Bota

Nisin kërkimet për nëndetësen e zhdukur argjentinase

Zhdukja e mistershme e një nëndetëseje me 44 persona në bord, një ndër të cilët grua, po mban Argjentinën me frymën pezull, pasi nuk dihet nëse bëhet fjalë për një tragjedi, apo thjesht një problem komunikimi.

Ara San Juan po lëvizte drejt brigjeve veriore të vendit, kur me të u ndërpre çdo kontakt, ndërsa Forcat e Armatosura argjentinase pranuan se komunikimi i fundit ishte të mërkurën, e që prej atëherë, mbi fatin e nëndetëses nuk dihet më asgjë.

Mjeti i prodhuar në vitin 1983 në Gjermani po kthehej nga një mision rutinë në Ushuaia, pranë skajit më jugor të Amerikës së Jugut, drejt bazës së saj në Mar del Plata, në jug të Buenos Ajresit. Protokolli i marinës kërkon që një nëndetëse të ngjitet në sipërfaqe në momentin kur lidhja me të shkëputet.

Operacionin argjentinas po e ndihmon edhe një avion vrojtues i NASA-s, por edhe Britania dhe vendet e rajonit kanë ofruar gjithashtu ndihmën e tyre. Skenarët e diskutuar të ngjarjes përfshijnë një problem elektrik ose një zjarr në bord, ndërsa marinarët llogaritet të kenë ende rezerva të mjaftueshme oksigjeni.

OPINIONE