Nisma kundër blerjes së votave/ “Sponsorizuesit e partive nuk përfitojnë tendera për tre vjet”

Draft-dokumenti me një sërë ndryshimesh në Kodin Zgjedhor, i përgatitur nga ekspertët e atashuar pranë Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, parashikon ashpërsim të sanksioneve në rastin e shkeljes së rregullave të financimit të fushatave elektorale.

Përmes këtyre ndryshimeve synohet rritja e kontrollit mbi shpenzimet, financimet dhe raportimet nga partitë politike. Kështu përshembull, neni 7 parashikon që përpara fushatës elektorale çdo kryetar partie të bëjë një deklaratë me shkrim, ku të shprehë angazhimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme.

Angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet”.

Ndryshimet e propozuara ashpërsojnë gjithashtu ndëshkimet për shitblerjen e votës, si edhe për favorizime të çfarëdoshme të zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të.

Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin  të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike”.

Ndërsa, për donatorët e partive politike parashikohen disa kufizime, ku përfshihet pamundësia për të përfituar tendera deri në 3 vjet pas datës së zgjedhjeve.

Personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë,përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne