Abdul Bari Atuan
Sot (të enjten) në agim, regjimi pushtues izraelit bombardoi me disa raketa një magazinë në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Damaskut. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se kjo magazinë është një depo armësh e “Hezbollahut” libanez.
Ky sulm me raketa, i cili u linçua nga një bazë në afërsi të Lartësive Golan, erdhi disa ditë pas sulmit raketor amerikan me raketat “Tomahawk” që shënjestroi bazën ajrore siriane al-Shayrat në provincën e Homsit dhe një muaj pas një sulmi izraelit mbi disa objektiva ushtarake siriane pranë qytetit Tedmur (Palmira).
Siria është i vetmi shtet arab – mes shteteve të Frontit të Rezistencës – ngjitur me kufijtë e Palestinës së pushtuar, e cila (së bashku me Libanin) është ende në luftë me Izraelin dhe nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje apo ndonjë traktat paqeje me të dhe për këtë arsye vazhdon të jetë një objektiv i sulmeve izraelite.
***
Qeveria izraelite nuk i merr përsipër absolutisht sulme të tilla – dhe sulmet e sotme raketore nuk përbëjnë përjashtim. Hera e vetme që doli nga kjo traditë ishte në marsin e kaluar, kur ajo u detyrua të marrë përsipër rrëzimin e disa raketave siriane që u lëshuan nga mbrojtja tokësore siriane kundër disa avionëve, të cilët thuhet se goditën një autokolonë armësh moderne që ishte në rrugën e saj drejt “Hezbollahut” libanez.
Ministri i Inteligjencës izraelite Yisrael Katz tha se qeveria e tij do të ndërhyjë në çdo kohë nëse informohet me informacione serioze për transferim armësh drejt “Hezbollahut”. Kjo deklaratë është interpretuar si marrje përsipër e përgjegjësisë për sulmin më të fundit me raketa kundër objektivave në brendësinë siriane.
Asnjë vend arab nuk e dënoi fare këtë agresion izraelit kundër një vendi arab, madje nuk ekzagjerojmë nëse themi se shumë qeveri arabe festuan për të dhe shpresuan që ai të shkaktonte humbje më të mëdha njerëzore dhe materiale. Izraeli nuk është më armik i shumë prej tyre, sidomos i (vendeve arabe të) Gjirit, por një aleat i ngushtë dhe mundësisht i besueshëm.
Lajmet që vijnë nga Uashingtoni konfirmojnë se presidenti Donald Trump është duke u përgatitur për një turne në Lindjen e Mesme, që përfshin Tel Avivin, Ramallahun, Ammanin dhe Riadin, në kuadër të planit të tij për krijimin e një “NATO-je” arabo-sunite për t’u përballur me zgjerimin iranian. Izraeli, drejtpërdrejt apo tërthorazi, do të jetë “guri i qoshes” së kësaj aleance. Është e sigurt se Siria, si aleatja më e afërt e Iranit dhe armikja më e madhe e Izraelit dhe e planeve amerikane në rajon, do të jetë në listën e objektivave të aleancës së mbështetur nga SHBA-të.
Nëpërmjet fjalëve të znj. Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, Moska dënoi “aktet e agresionit kundër Sirisë dhe i konsideron ato të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare.”
Qëndrimi rus u duk më pak i egër sesa qëndrimi pararendës, i cili është mbajtur fill pas sulmit ajror izraelit mbi të ashtuquajturën “autokolonë armësh rrugës drejt Hezbollahut në afërsi të qytetit Palmira”, kur Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorin izraelit në Moskë dhe i dorëzoi atij një notë proteste me fjalë të ashpra. Por nuk përjashtohet mundësia që, si përgjigje, udhëheqja ruse të armatosë ushtrinë siriane dhe forcat e saj mbrojtëse tokësore me raketa të afta për t’u përballur me agresione të tilla në të ardhmen.
Mbështetja e ushtrisë izraelite në përdorimin e raketave dhe jo avionëve gjatë bombardimeve të radhës, reflekton një ndryshim në strategji dhe shmangien e dërgimit të avionëve nga frika e rrëzimit të tyre, duke konfirmuar se udhëheqja e kësaj ushtrie ka informacion në lidhje me ekzistencën e mjeteve dhe aftësive të mbrojtjes ajrore siriane, të cilat mund të rrëzojnë çdo avion inkursiv izraelit.
***
Siria – ushtria e së cilës është angazhuar në një luftë të ashpër kundër grupeve të armatosura të mbështetura nga SHBA-të, Turqia dhe vendet arabe të Gjirit (Persik) që prej gjashtë vjetësh me qëllim përmbysjen e regjimit – së bashku me “Hezbollahun” vazhdojnë të jenë kërcënimi i vetëm për pushtuesin izraelit. Për këtë arsye sulmet ajrore dhe raketore kundër saj janë të vazhdueshme.
Ky është një agresion izraelit që risjell në kujtesë arsyet e vërteta që ekzistojnë pas shënjestrimit të Sirisë – dhe jo vendeve të tjera arabe – nga armiku izraelit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas përpjekjes për ta zhveshur atë nga ç’ka mbetur prej mjeteve të saj të forcës dhe armëve të shkatërrimit në masë, duke bërë të mundur hapjen e rrugës për agresionin ushtarak, pushtimin dhe fragmentimin e saj, siç ndodhi në Libi, në Irak dhe në Jemen.
Sulmet amerikane dhe izraelite janë medalje nderi për Sirinë, ushtrinë e saj dhe popullin e saj të palëkundur, pavarësisht nëse disa pajtohen me këtë apo nuk pajtohen. Izraeli dhe Amerika janë armiqtë e këtij ymeti (bashkësie) dhe burimi i gjithë të këqijave dhe intrigave që e shënjestrojnë atë. Nëse zgjedhja jonë do të jetë mes llogores së Sirisë apo kampit armik izraelit, ne nuk do të hezitojmë aspak që të qëndrojmë me llogoren arabe siriane. Kështu kemi mësuar në shkollat e dinjitetit, patriotizmit dhe krenarisë arabe e islame. Jeta duhet të jetë plot me qëndrime dinjitare.
⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 27 prill 2017./ PT