Një aktivist iranian shkroi dhjetëra artikuj në mediat e djathta. Por a është ai një person real?

nga Murtaza Hussain.

NË vitin 2018 Presidenti Donald Trump po kërkonte të hidhte tutje marrëveshjen e rëndësishme bërthamore që paraardhësi i tij kishte nënshkruar me Iranin në vitin 2015 dhe po kërkonte mënyrat për të fituar kundrejt një shtypi skeptik. Shtëpia e Bardhë pretendoi se marrëveshja bërthamore i kishte lejuar Iranit të rriste buxhetin e tij ushtarak, ndërsa gazetarët e Washington Post Salvador Rizzo dhe Meg Kelly deshën të dinin burimin. Në përgjigje, Shtëpia e Bardhë prezantoi një artikull të botuar në Forbes nga një shkrimtar me emrin Heshmat Alavi.

Sipas një artikulli të një kontribuesi të Forbes, Heshmat Alavi, dërguar tek ne nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, thuhej se “Buxheti i tanishëm i Iranit financohet kryesisht nëpërmjet naftës, taksave, bonove në rritje, [dhe] eliminimit të parave ndihma ose subvencioneve” për iranianët, raportuan Rizzo dhe Kelly. Shtëpia e Bardhë e kishte përdorur artikullin e Alavit – i cili u pretendua se ishte marrë pjesërisht nga burimet iraniane – për të justifikuar vendimin e saj për dhënien fund të marrëveshjes.

Këtu ka një problem. Megjithëse Heshmat Alavi duket si inekzistent. Alavi si personazh është një operacion propagandistik i drejtuar nga grupi i opozitës iraniane Mojahedin-el-Khalq, i cili njihet me inicialet MEK, thanë dy burime për The Intercept.

“Heshmat Alavi është një personazh që drejtohet nga një ekip njerëzish të krahut politik të MEK-ut”, tha Hassan Heyrani, një defektor që i përkiste dikur rangut të lartë të MEK-ut, i cili tha se kishte njohuri të drejtpërdrejta për operacionin. “Ata shkruajnë çdo gjë që u dirigjojnë komandantët e tyre dhe e përdorin këtë emër për ta vendosur nepër artikujt e shtypit. Ai nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ka qenë asnjëherë një person i vërtetë”.

Heyrani tha se personazhi i rremë është menaxhuar nga një ekip operativësh të MEK-ut në Shqipëri, ku grupi ka një nga bazat e tij dhe është përdorur për të përhapur mesazhin e MEK-ut në internet. Llogarisë së Hejranit i është bërë jehonë nga Sara Zahiri, një studiuese e gjuhës persishte që fokusohet tek MEK-u. Zahiri, e cila ka burime nga brenda zyrtarëve iranianë për sigurinë kibernetike, tha se Alavi njihet në Iran si një “llogari grupi” që drejtohet nga një ekip anëtarësh të MEK-ut dhe se vetë Alavi nuk ekziston.

Alavi, kontribuesi i faqes së internetit të Forbes i cili identifikohet si “një aktivist iranian me një pasion për të drejtat e barabarta”, ka botuar shumë artikuj mbi Iranin gjatë viteve të fundit në Forbes, The Hill, Daily Caller, The Federalist, rrjetin mediatik al-Arabiya English që është në pronësi të sauditëve dhe në shumë media të tjera. (Alavi nuk iu përgjigj kërkesave të Interceptit për komente me mesazhe direkte në Twitter ose në adresën Gmail që ai ofron për mediat.)

Artikujt e botuar nën emrin Alavi, si dhe prania e tij në mediat sociale, duket se kanë qenë një ndihmë për MEK-un. Si një grup opozitar, thellësisht antipopullor në Iran dhe i njohur për propagandën e tij të sofistikuar, MEK gjatë dekadës së fundit e ka kthyer vëmendjen e tij tek audienca në gjuhën angleze – veçanërisht në vende si SHBA, Kanada dhe Britani e Madhe, politikat e jashtme të të cilave janë nyje vendimtare në qëllimin kryesor të MEK-ut për përmbysjen e regjimit iranian.

Personazhi i Aalavit thuhet se menaxhohet nga një treshe anëtarësh të MEK-ut. Heyrani, i cili për një kohë ndihmoi në bashkërendimin e operacioneve online të grupit, i identifikon këta individë, ku mes tyre edhe një komandant të krahut politik të MEK-ut. Ata janë përgjegjës për shkrimin e artikujve dhe mesazheve në Twitter në gjuhën angleze nën emrin Heshmat Alavi, ndërsa emrat dhe fotot e tyre ja ofroi Intercept-it. “Ata kanë qenë miqtë e mi. Kemi qenë miq të ngushtë,” tha Hejrani. “Ne punonim së bashku.”

Hassan Heyrani. Photo: Courtesy of Hassan Heyrani

Hejrani shpjegoi se lidershipi i MEK-ut nuk do të prezantohej mirë me folësit e rrjedhshëm të anglishtes që operojnë nëpër shkrime nën emrin e personazhit. Anëtarët e rangjeve, tha ai, nuk lejohen që të kenë profile të njohura në publik, gjë që tregon një pasqyrim të asaj që shumë kritikë kanë thënë se veprimtaria e MEK-ut është si e një kulti. “Lideri i organizatës nuk lejon asnjë person që të përdorë emrin e tij të vërtetë,” tha Hejrani, “sepse udhëheqësi është njeriu i parë në organizatë dhe gjithçka duhet të jetë nën hijen e tij”.

MEK kryen fushata të pamëshirshme të informimit online, duke përdorur një ushtri robotash kibernetikë për të mbizotëruar debatet online rreth Iranit sipas perspektivës së grupit. Një nga qëllimet e ekipit të MEK-ut që menaxhon llogarinë Hesmat Alavi, tha Heyrani, është që të botojë artikuj nën emrin e Alavit në shtypin amerikan. Kërkesat e the Intercept për komente nga krahu politik i MEK-ut, së bashku me kërkesat për intervistë drejtuat operativëve që menxhojnë personazhin Alavi, shkuan pa marrë përgjigje.

Një ish-anëtar i MEK-ut që jeton tani në Kanada, Reza Sadeghi, konfirmoi se treshja e identifikuar nga Hejrani ka qenë e përfshirë në operacionet informative online të grupit. Sadeghi ka qenë anëtar i MEK-ut deri në vitin 2008. Ai ishte përfshirë në aktivitetet lobuese në Shtetet e Bashkuara si dhe në operacionet në ish bazën e MEK-ut, kampin Ashraf në Irak. Ai e përshkroi propagandën në internet të grupit në rritje e cila synon që të ndikojë në diskursin online rreth Iranit.

“Ne ishim gjithmonë aktivë në bërjen e lajmeve të rreme kundër Iranit dhe në përhapjen e tyre në shtypin e huaj,” tha Sadeghi. “Në kampin Ashraf kishte kompjutera vetëm për të bërë operacione informacionesh online. Gjatë viteve, ky aktivitet u bë më intensiv me futjen e platformave të mediave sociale si Facebook dhe Twitter.”

MEK është ndër grupet më të kontraverse që kërkojnë të rrëzojnë qeverinë iraniane. Edhe pse sot ai është përfshirë kryesisht në aktivizimin politik dhe në lobim, grupi ka gjithashtu një histori të mbushur me dhunë. Nga viti 1997 deri në vitin 2012, MEK u rendit si një organizatë terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit, një status që u hoq më në fund si pjesë e një marrëveshje diplomatike të vendosur nga administrata Obama. Sulmi i dhunshëm i fundit i grupit ndodhi në vitin 2001.

MEK fillimisht u pozicionua në krah të Revolucionit Islamik, por u shkëput menjëherë pas themelimit të Republikës Islamike të udhëhequr nga klerikët. Masat e forta që u morën më vonë e detyruan grupin të shkojë në mërgim dhe të zhvillojë aktivitetin midis Francës dhe Irakut. Falë bujarisë së Sadam Huseinit, grupi u vendos në kampin Ashraf, të cilin e përdori si terren për pjesëmarrje në anën e Irakut gjatë luftës brutale Iran-Irak.

Vitet që pasuan pushtimin e Irakut nga ana e Shteteve të Bashkuara ishin të vështira për MEK-un, gjithashtu edhe për shkak se ishte listuar si organizatë terroriste. Kur amerikanët i tërhoqën forcat e tyre ushtarake, ata ja dorëzuan sigurinë e bazës së MEK-ut qeverisë së Irakut. Situata u pasua me një tjetër raund dhune. Marrëveshja e vitit 2012 për të hequr MEK-un nga lista amerikane e terrorizmit lehtësoi lëvizjen e mijëra anëtarëve të MEK-ut nga Iraku për në Shqipëri, ku grupi do të strehohej në një kompleks të ri të fshehtë. Eshtë kjo bazë në Shqiperi ku, sipas dezertorit Hejran, punojnë disa nga anëtarët e MEK-ut që menaxhojnë personazhin Alavi.

Artikujt e Alavit priren të përziejnë denoncimet e ashpra të qeverisë iraniane me sugjerime jo aq të hollësishme me synimin që lidershipi iranian të zëvendësohet nga MEK dhe udhëheqësja e tij Maryam Rajavi. Grupi duket se ka pasur sukses të madh me Alavin, veçanërisht në Forbes.

Intercept i është drejtuar redaktorëve të mediave në të cilat Alavi ka botuar artikuj gjatë disa viteve të fundit. Asnjë nga këto media nuk ishte në gjendje të konfirmonte se ata kishin folur ndonjëherë ose ishin takuar me Alavin. Sipas përfaqësuesve të mediave, ai nuk ishte paguar për shkrimet e tij në Forbes, the Daily Caller, apo në the Diplomat.

Megjithëse Alavi ka botuar artikuj rreth Iranit në një numër të madh mediash kryesisht të djathta, botuesi më i shpeshtë i artikujve të tij është Forbes. Në një hapësirë prej një viti, midis prillit 2017 dhe prillit 2018, Alavi botoi 61 artikuj në faqen e internetit të Forbes.

Një llogari në Twitter e krijuar nën emrin Alavi në vitin 2014 mburret me mbi 30,000 ndjekës, duke përfshirë një numër gazetarësh dhe punonjësish konservatorë të instituteve të studimeve strategjike me bazë në Washington D.C. Llogaria shpërndan shpesh artikuj dhe hashtagë që lavdërojnë Rajavin si dhe shpërndan pamje nga protestat dhe eventet e organizuara nga MEK.

Alavi duket se ka përfituar disa fitime në qarqet e krahut të djathtë në Uashington. Përveç artikujve të tij të shumtë të publikuar nga Forbes dhe media të tjera, Alavi duket gjithashtu se ka një blog të quajtur “Kumtesa i Iranit”, i cili e përshkruan misionin e tij si fokusim në “çështjet që lidhen me Iranin dhe Lindjen e Mesme”. Një nga raportimet e tij të fundit citohej me burimin nga një artikull i the Washington Free Beacon, një faqe neokonservatore që mban një qëndrim luftë nxitës ndaj Iranit

Punimet e botuara nën emrin Alavi marrin vazhdimisht qëndrim armiqësor kundrejt qeverisë iraniane dhe presidentit Hassan Rouhani. Artikujt e Alavit gjithashtu përziejne kritikën ndaj politikës së Iranit dhe SHBA-së, ku në dukje vërehet një mbrojtje e hapur për MEK-un. Megjithëse më pak të shpeshta se kontributet e tij në Forbes, pjesët e artikujve të tij në Daily Caller, The Hill dhe media të tjera, janë një përzierje shkrimesh kundër regjimit iranian dhe lavdërime për MEK-un. Megjithëse MEK njihet në mesin e popullit iranian si një grup i urreyer, Alavi e përshkroi grupin në një artikull të vitit 2017 në Daily Caller si “grupin kryesor të opozitës iraniane”.

The Diplomat, një faqe mbi politikën e jashtme që publikoi disa pjesë nga shkrimet e Alavit në vitin 2017, tha se Alavi ja dërgoi draftet nga një llogari në Gmail. Alavi dërgoi tek media dhjetëra artikuj, megjithatë vetëm një numër i vogël u pranuan. The Diplomat nuk pranoi më shkrime nga Alavi pasi e kishte bërë të qartë se artikujt e tij nuk i përmbushnin standardet e publikimit, tha një burim i cili kërkoi anonimitet lidhur me diskutimet e çështjeve të brendshme.

The Daily Caller gjithashtu tha për The Intercept se i ndërpreu publikimet e artikujve të Alavit mbas shqetësimeve lidhur me cilësinë e artikujve të dorëzuar prej tij. The Hill, al-Arabiya English dhe The Federalist nuk ju përgjigjen kërkesave për komente.

“Ne e përfunduam marrëdhënien tonë me Heshmat Alvin në fillim të vitit 2018”, tha një zëdhënës i Forbes në një deklaratë për The Intercept. “Për begraundin tonë, të gjithë kontribuesit në Forbes.com nënshkruajnë një kontratë që kërkon që ata të zbulojnë çdo konflikt të mundshëm interesi. Nëse zbulojmë se një kontribues i ka shkelur këto kushte, ne e hetojmë rastin plotësisht dhe i japim fund marrëdhënies tonë sipas mënyrës së duhur”.

Maryam Rajavi speaks at a conference outside of Paris, France, on Aug. 25. 2018. Photo: Siavosh Hosseini/SIPA via AP

 

MEK përdor një numër mjetesh për të fituar ndikim në Uashington. Grupi ka paguar figura të shquara politike për të dhënë fjalime dhe konferenca shtypi, ka dhuruar para për politikanët dhe ka përhapur mesazhet e tij përmes paraqitjeve të këtyre personaliteteve në media, ndërsa praninë e vet e ka forcuar në mediat sociale. Në vitin 2018, operacionet e tij ne mediat sociale u bënë subjekt i një dokumentari në “Listening Post” të Al Jazeeras.

Grupi i ka përdorur këto përpjekje të marrëdhënieve me publikun për të zbatuar qëllimet e tij politike. Deri në vitin 2012, MEK u përqendrua kryesisht në heqjen e emrit nga lista amerikane e terrorizmit. Në vitet që pasuan, grupi u përqëndrua në sulmet ndaj diplomacisë bërthamore që zhvillohej mes Iranit dhe SHBA-së, dhe pas vitit 2015 nisi të sulmojë vetë marrëveshjen. Gjatë gjithë kësaj, mesazhet e MEK-ut kanë theksuar ndryshimin e regjimit dhe e kanë paraqitur MEK-un si një alternativë praktike ndaj udhëheqjes së Republikës Islamike, duke ofruar Rajavin, e cila ka qenë fytyra publike e grupit për një dekadë e gjysmë, si figurë potenciale për të udhëhequr vendin.

Artikujt e Alavit shpesh i ndjekin nga afër këto objektiva. Në shkrimet e tij, Alavi ka përfshirë referenca pozitive ndaj Rajavit, si dhe krahut politik të MEK-ut, Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit. Në një artikull në Forbes që bënte thirrje efektive për mbështetje ndërkombëtare për ndryshimin e regjimit iranian, Alavi shkroi:

Ka ardhur koha që të lemë mënjanë “mirazhin” reformist në Iran. Për dekada të tëra, Maryam Rajavi, si Presidente e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, po ofron alternativën e vetme dhe realiste për Iranin me një plan dhjetë pikësh që gëzon mbështetjen e mijëra zyrtarëve të zgjedhur në të gjithë globin.

Ashtu sikurse fokusimi i tij tek MEK-u që ka si qëllim ngritjen e Rajavit, mesazhet e Alavit janë rreshtuar gjithashtu me përpjekjet e grupit në sulmet kundër marrëveshjes bërthamore të Iranit. Gjatë periudhës 2017 deri në 2018, kur artikujt e Alavit u shfaqën në Forbes, administrata Trump po merrte hapa për të larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja, pavarësisht kundërshtimeve nga aleatët evropianë dhe ish-zyrtarët e administratës së Obamës. Artikujt e Alavit nxisnin administratën me artikuj të tillë si “Irani po e ndjen presionin e Trumpit për marrëveshjen bërthamore” dhe “Si mundet që Trump ti afrohet sipas mënyrës së duhur marrëveshjes bërthamore të Iranit”. Në maj 2018, Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqej nga marrëveshja – një muaj pasi artikulli i fundit i Alavit ishte botuar në Forbes.

Shkrimi i Alavit që fliste se si në vitin 2018 Shtëpia e Bardhë i shpjegonte the Washington Post justifikimin e tërheqjes nga marrëveshja bërthamore, citonte burime gjysmë zyrtare të qeverisë iraniane që tregonin për shpenzime ushtarake të shtuara nga qeveria Rouhani. Shkrimi përfundonte me një retorikë tipike të artikujve të Alavit të cilët lavdëronin administratën Trump për dhënien fund të politikave të “buta” ndaj Iranit dhe dënonin Europën për “qëndrimin e saj në krah të regjimit vrasës të mullahëve përkundër vullnetit të popullit iranian”.

Kursi i Alavit që më shumë se sa në vetë Iranian e shfaq presionin në diskursin politik të Shteteve të Bashkuara, duket të jetë pjesë e strategjisë së MEK-ut.

“Grupi rrallë herë i përmbahet audiencës në gjuhën persishte. Ai duket se ka hequr dorë nga të paturit një audiencë të brendshme në Iran. Synimi i tij tani është të ndikojë tek njerëzit e botës angleze,” tha Massoud Khodabandeh, ish-anëtar i departamentit të inteligjencës të MEK-ut që u largua nga grupi në vitin 1996.” Strategjia e tyre në internet zhvillohet në Uashington; ajo nuk funksionon në Teheran.”

Krahas strategjisë së tij në median sociale dhe artikujve periodikë, MEK përfshihet në fushatat të mëdha informuese. Në vitin 2002, MEK ndihmoi të zbulojë ekzistencën e një strukture bërthamore të fshehtë iraniane afër qytetit të Natanz-it. Por sipas ekspertëve të kontrollit të armëve, MEK i mori detajet e rëndësishme gabim. Një artikull i vitit 2006 në the New Yorker gjithashtu tregonte se informacioni sekret mund t’i ishte dhënë grupit nga shërbimi sekret izraelit, gjë që vë në dyshim pretendimet e MEK-ut se ai operon një rrjet të fuqishëm spiunazhi brenda Iranit.

Në shumë raste të tjera, informacionet e MEK-ut kanë qenë më pak të besueshëm, gjë që ka shkaktuar skepticizëm në mesin e shumë analistëve të sigurisë kombëtare të Perëndimit. Gjatë një konference për shtyp të vitit 2015, zyrtarët e MEK-ut pretenduan se kishin prova për një ndërtesë të fshehtë bërthamore në ndërtim e sipër në Iran, për të cilën kishin edhe disa fotografi. Ky pretendim pothuajse u demaskua nga një bloger i një faqeje liberale e quajtur Daily Kos. Një kërkim që u bë për imazhet të cilat tregonin një pjesë të portës së supozuar të vendit bërthamor zbuloi se në të vërtetë i përkiste portës hyrëse së një qendre tregtare në Iran.

MEK e ka pasur suksesin më të madh influencues në debatin mbi politikën e Iranit përmes prezencës së tij agresive në mediat sociale. Çdo vlerësim në lidhje me grupin apo edhe për politikën iraniane në përgjithësi mund të pritet që të plotësohet nga shumica e mbështetësve të MEK-ut që komentojnë përmes Twitter-it dhe mediave të tjera sociale. Shumë nga llogaritë pro MEK-ut përsërisin në mesazhe të njëjtat përgjigje, shpesh edhe fjalë për fjalë.

Geoff Golberg, një ekspert për manipulimin që bëhet në mediat sociale dhe themelues i SocialCartograph, një kompani që merret me media sociale, mori në konsideratë llogarinë në Twitter të Alavit, e cila duket se vepron si një robot në fushatën online për të rritur profilin e MEK-ut. Llogaria është promovuar shumë nga llogaritë e tjera pro MEK-ut, si dhe nga mbështetësit e politikës së grupit në konfrontimin ndaj Iranit. Për vëzhguesit e rastësishëm, ky gëlim në aktivitetet në internet mund ta bëjnë atë të duket sikur një numër i madh iranianësh janë entuziastë për çfarëdo gjëje që MEK promovon.

“Llogaria e Heshmat Alavit është pjesë e një grupi akontosh, të cilat për vite me radhë kanë qenë të angazhuara në sjellje jo autentike të bashkërenduara”, tha Golberg. “Llogaria është e lidhur me mijëra llogari jo autentike të MEK-ut, shumë prej të cilave angazhohen rregullisht në llogaritë në Twitter. Qëllimi i këtyre përpjekjeve është krijimi i iluzionit të një baze më të madhe mbështetjeje sesa në realitet ekziston”.

ALAVI ka lënë disa gjurmë online, si në mediat sociale, artikujt e tij dhe emailet e tij që u ka dërguar redaktorëve. Një fotografi e vetme, një profil i filtruar shumë, përdoret për të gjitha profilet e personazhit të Alavit, sikurse në LinkedIn dhe Twitter. Origjina e fotos është e paqartë.

Së paku, ka indikacione të forta se personazhi Alavi nuk është ai që pretendon të jetë. Përdorimi i identiteteve të rreme për të kryer propagandë politike është bërë e zakonshme në vitet e fundit. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara panë përdorimin e robotëve të panumërt dhe llogarive të rreme për përhapjen e keqinformimit dhe paranojës tek publiku.

Një hetim i BBC News i vitit 2018 shqyrtoi një tjetër personazh të shquar në internet që dyshohej të ishte i rremë. Llogaria e tij në Twitter që vepronte nën emrin “Sarah Abdallah” ishte përzier rëndë në debatin online gjatë luftës në Siri. Akontoja e Sarah Abdallah ishte në anën e kundërt të spektrit politik të Alavit. Abdallah ishte një mbështetëse e zëshme e qeverisë siriane të Bashar al-Assadit, një aleat i afërt me Iranin. Një kompani kërkimore në internet përcaktoi se llogaria e Abdallahut ishte “një nga llogaritë më me ndikim të medias sociale në bisedat online rreth Sirisë”.

Megjithëse hetimi i BBC-së ngriti shqetësime serioze rreth ndikimit të një llogarie në internet që ishte duke u ndjekur nga qindra gazetarë të vërtetë, ai nuk arriti të konkludonte se Abdallah ishte i rremë apo operohej nga një organizatë e frontit.

Megjithë ndikimin e saj, Sarah Abdallah nuk arriti kurrë që të arrinte suksesin e Heshmat Alavit, artikujt e të cilit u botuan në mediat amerikane dhe lexohen në Shtëpinë e Bardhë.

Për ata që nuk kanë shumë njohuri të politikës së brendshme të Iranit, Alavi haset në shkrimet e tij thjesht si një person që pretendon se është: “një aktivist iranian me një pasion për të drejtat e barabarta”. Ish-anëtari i MEK-ut, Hejrani thotë se ky inkuadrim është pikërisht ai që grupi ka shpresuar të krijojë me personazhin. Për media si Forbes që janë treguar indiferentë ndaj personazhit të Alavi, duket se kjo ka funksionuar.

“Moxhahedinët” – emri iranian për MEK-un – “dëshiron t’i tregojë botës se narrativa e tyre ka mbështetje, madje nga njerëz që nuk janë anëtarë direkt të grupit”, tha Heyrani. “Ata duan të tregojnë se njerëz të tjerë të pavarur – shkrimtarë dhe aktivistë – mbështesin qasjen e tyre dhe besojnë se liria dhe demokracia do të vijnë në Iran nëpërmjet punës së këtij grupi”./theintercept/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne