Një aktivist iranian shkroi dhjetëra artikuj në mediat e djathta. Por a është ai një person real?

nga Murtaza Hussain.

NË vitin 2018 Presidenti Donald Trump po kërkonte të hidhte tutje marrëveshjen e rëndësishme bërthamore që paraardhësi i tij kishte nënshkruar me Iranin në vitin 2015 dhe po kërkonte mënyrat për të fituar kundrejt një shtypi skeptik. Shtëpia e Bardhë pretendoi se marrëveshja bërthamore i kishte lejuar Iranit të rriste buxhetin e tij ushtarak, ndërsa gazetarët e Washington Post Salvador Rizzo dhe Meg Kelly deshën të dinin burimin. Në përgjigje, Shtëpia e Bardhë prezantoi një artikull të botuar në Forbes nga një shkrimtar me emrin Heshmat Alavi.

Sipas një artikulli të një kontribuesi të Forbes, Heshmat Alavi, dërguar tek ne nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, thuhej se “Buxheti i tanishëm i Iranit financohet kryesisht nëpërmjet naftës, taksave, bonove në rritje, [dhe] eliminimit të parave ndihma ose subvencioneve” për iranianët, raportuan Rizzo dhe Kelly. Shtëpia e Bardhë e kishte përdorur artikullin e Alavit – i cili u pretendua se ishte marrë pjesërisht nga burimet iraniane – për të justifikuar vendimin e saj për dhënien fund të marrëveshjes.

Këtu ka një problem. Megjithëse Heshmat Alavi duket si inekzistent. Alavi si personazh është një operacion propagandistik i drejtuar nga grupi i opozitës iraniane Mojahedin-el-Khalq, i cili njihet me inicialet MEK, thanë dy burime për The Intercept.

“Heshmat Alavi është një personazh që drejtohet nga një ekip njerëzish të krahut politik të MEK-ut”, tha Hassan Heyrani, një defektor që i përkiste dikur rangut të lartë të MEK-ut, i cili tha se kishte njohuri të drejtpërdrejta për operacionin. “Ata shkruajnë çdo gjë që u dirigjojnë komandantët e tyre dhe e përdorin këtë emër për ta vendosur nepër artikujt e shtypit. Ai nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ka qenë asnjëherë një person i vërtetë”.

Heyrani tha se personazhi i rremë është menaxhuar nga një ekip operativësh të MEK-ut në Shqipëri, ku grupi ka një nga bazat e tij dhe është përdorur për të përhapur mesazhin e MEK-ut në internet. Llogarisë së Hejranit i është bërë jehonë nga Sara Zahiri, një studiuese e gjuhës persishte që fokusohet tek MEK-u. Zahiri, e cila ka burime nga brenda zyrtarëve iranianë për sigurinë kibernetike, tha se Alavi njihet në Iran si një “llogari grupi” që drejtohet nga një ekip anëtarësh të MEK-ut dhe se vetë Alavi nuk ekziston.

Alavi, kontribuesi i faqes së internetit të Forbes i cili identifikohet si “një aktivist iranian me një pasion për të drejtat e barabarta”, ka botuar shumë artikuj mbi Iranin gjatë viteve të fundit në Forbes, The Hill, Daily Caller, The Federalist, rrjetin mediatik al-Arabiya English që është në pronësi të sauditëve dhe në shumë media të tjera. (Alavi nuk iu përgjigj kërkesave të Interceptit për komente me mesazhe direkte në Twitter ose në adresën Gmail që ai ofron për mediat.)

Artikujt e botuar nën emrin Alavi, si dhe prania e tij në mediat sociale, duket se kanë qenë një ndihmë për MEK-un. Si një grup opozitar, thellësisht antipopullor në Iran dhe i njohur për propagandën e tij të sofistikuar, MEK gjatë dekadës së fundit e ka kthyer vëmendjen e tij tek audienca në gjuhën angleze – veçanërisht në vende si SHBA, Kanada dhe Britani e Madhe, politikat e jashtme të të cilave janë nyje vendimtare në qëllimin kryesor të MEK-ut për përmbysjen e regjimit iranian.

Personazhi i Aalavit thuhet se menaxhohet nga një treshe anëtarësh të MEK-ut. Heyrani, i cili për një kohë ndihmoi në bashkërendimin e operacioneve online të grupit, i identifikon këta individë, ku mes tyre edhe një komandant të krahut politik të MEK-ut. Ata janë përgjegjës për shkrimin e artikujve dhe mesazheve në Twitter në gjuhën angleze nën emrin Heshmat Alavi, ndërsa emrat dhe fotot e tyre ja ofroi Intercept-it. “Ata kanë qenë miqtë e mi. Kemi qenë miq të ngushtë,” tha Hejrani. “Ne punonim së bashku.”

Hassan Heyrani. Photo: Courtesy of Hassan Heyrani

Hejrani shpjegoi se lidershipi i MEK-ut nuk do të prezantohej mirë me folësit e rrjedhshëm të anglishtes që operojnë nëpër shkrime nën emrin e personazhit. Anëtarët e rangjeve, tha ai, nuk lejohen që të kenë profile të njohura në publik, gjë që tregon një pasqyrim të asaj që shumë kritikë kanë thënë se veprimtaria e MEK-ut është si e një kulti. “Lideri i organizatës nuk lejon asnjë person që të përdorë emrin e tij të vërtetë,” tha Hejrani, “sepse udhëheqësi është njeriu i parë në organizatë dhe gjithçka duhet të jetë nën hijen e tij”.

MEK kryen fushata të pamëshirshme të informimit online, duke përdorur një ushtri robotash kibernetikë për të mbizotëruar debatet online rreth Iranit sipas perspektivës së grupit. Një nga qëllimet e ekipit të MEK-ut që menaxhon llogarinë Hesmat Alavi, tha Heyrani, është që të botojë artikuj nën emrin e Alavit në shtypin amerikan. Kërkesat e the Intercept për komente nga krahu politik i MEK-ut, së bashku me kërkesat për intervistë drejtuat operativëve që menxhojnë personazhin Alavi, shkuan pa marrë përgjigje.

Një ish-anëtar i MEK-ut që jeton tani në Kanada, Reza Sadeghi, konfirmoi se treshja e identifikuar nga Hejrani ka qenë e përfshirë në operacionet informative online të grupit. Sadeghi ka qenë anëtar i MEK-ut deri në vitin 2008. Ai ishte përfshirë në aktivitetet lobuese në Shtetet e Bashkuara si dhe në operacionet në ish bazën e MEK-ut, kampin Ashraf në Irak. Ai e përshkroi propagandën në internet të grupit në rritje e cila synon që të ndikojë në diskursin online rreth Iranit.

“Ne ishim gjithmonë aktivë në bërjen e lajmeve të rreme kundër Iranit dhe në përhapjen e tyre në shtypin e huaj,” tha Sadeghi. “Në kampin Ashraf kishte kompjutera vetëm për të bërë operacione informacionesh online. Gjatë viteve, ky aktivitet u bë më intensiv me futjen e platformave të mediave sociale si Facebook dhe Twitter.”

MEK është ndër grupet më të kontraverse që kërkojnë të rrëzojnë qeverinë iraniane. Edhe pse sot ai është përfshirë kryesisht në aktivizimin politik dhe në lobim, grupi ka gjithashtu një histori të mbushur me dhunë. Nga viti 1997 deri në vitin 2012, MEK u rendit si një organizatë terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit, një status që u hoq më në fund si pjesë e një marrëveshje diplomatike të vendosur nga administrata Obama. Sulmi i dhunshëm i fundit i grupit ndodhi në vitin 2001.

MEK fillimisht u pozicionua në krah të Revolucionit Islamik, por u shkëput menjëherë pas themelimit të Republikës Islamike të udhëhequr nga klerikët. Masat e forta që u morën më vonë e detyruan grupin të shkojë në mërgim dhe të zhvillojë aktivitetin midis Francës dhe Irakut. Falë bujarisë së Sadam Huseinit, grupi u vendos në kampin Ashraf, të cilin e përdori si terren për pjesëmarrje në anën e Irakut gjatë luftës brutale Iran-Irak.

Vitet që pasuan pushtimin e Irakut nga ana e Shteteve të Bashkuara ishin të vështira për MEK-un, gjithashtu edhe për shkak se ishte listuar si organizatë terroriste. Kur amerikanët i tërhoqën forcat e tyre ushtarake, ata ja dorëzuan sigurinë e bazës së MEK-ut qeverisë së Irakut. Situata u pasua me një tjetër raund dhune. Marrëveshja e vitit 2012 për të hequr MEK-un nga lista amerikane e terrorizmit lehtësoi lëvizjen e mijëra anëtarëve të MEK-ut nga Iraku për në Shqipëri, ku grupi do të strehohej në një kompleks të ri të fshehtë. Eshtë kjo bazë në Shqiperi ku, sipas dezertorit Hejran, punojnë disa nga anëtarët e MEK-ut që menaxhojnë personazhin Alavi.

Artikujt e Alavit priren të përziejnë denoncimet e ashpra të qeverisë iraniane me sugjerime jo aq të hollësishme me synimin që lidershipi iranian të zëvendësohet nga MEK dhe udhëheqësja e tij Maryam Rajavi. Grupi duket se ka pasur sukses të madh me Alavin, veçanërisht në Forbes.

Intercept i është drejtuar redaktorëve të mediave në të cilat Alavi ka botuar artikuj gjatë disa viteve të fundit. Asnjë nga këto media nuk ishte në gjendje të konfirmonte se ata kishin folur ndonjëherë ose ishin takuar me Alavin. Sipas përfaqësuesve të mediave, ai nuk ishte paguar për shkrimet e tij në Forbes, the Daily Caller, apo në the Diplomat.

Megjithëse Alavi ka botuar artikuj rreth Iranit në një numër të madh mediash kryesisht të djathta, botuesi më i shpeshtë i artikujve të tij është Forbes. Në një hapësirë prej një viti, midis prillit 2017 dhe prillit 2018, Alavi botoi 61 artikuj në faqen e internetit të Forbes.

Një llogari në Twitter e krijuar nën emrin Alavi në vitin 2014 mburret me mbi 30,000 ndjekës, duke përfshirë një numër gazetarësh dhe punonjësish konservatorë të instituteve të studimeve strategjike me bazë në Washington D.C. Llogaria shpërndan shpesh artikuj dhe hashtagë që lavdërojnë Rajavin si dhe shpërndan pamje nga protestat dhe eventet e organizuara nga MEK.

Alavi duket se ka përfituar disa fitime në qarqet e krahut të djathtë në Uashington. Përveç artikujve të tij të shumtë të publikuar nga Forbes dhe media të tjera, Alavi duket gjithashtu se ka një blog të quajtur “Kumtesa i Iranit”, i cili e përshkruan misionin e tij si fokusim në “çështjet që lidhen me Iranin dhe Lindjen e Mesme”. Një nga raportimet e tij të fundit citohej me burimin nga një artikull i the Washington Free Beacon, një faqe neokonservatore që mban një qëndrim luftë nxitës ndaj Iranit……vijon

 

burimi: /theintercept/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne