Opinion

Një aleancë vrasësish në Lindjen e Mesme

nga Hilal Kaplan.

Mohammed Morsi, presidenti i parë dhe i vetëm që do të zgjidhej përmes zgjedhjeve demokratike në historinë e Egjiptit, vdiq në gjykatë ndërsa po gjykohej nga vetë komplotistët e grusht shtetit që e rrëzuan atë nga pushteti.

Me një autoritet të kufizuar, Morsi mundi të shërbente vetëm një vit. Protestuesit që kërkonin të ashtuquajturën demokraci i bënë thirrje ushtrisë që të ndërmerrte veprime kundër presidentit të tyre të parë dhe të fundit që erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve.

Pas grushtit të shtetit, kushtetuta e Egjiptit u anullua. Ata që protestuan kundër grushtit të shtetit u qëlluan me armë zjarri dhe mijëra njerëz u vranë. Në zgjedhjet pasuese në të cilat nuk pati as edhe një kandidat kundërshtar, në pushtet erdhi Abdel Fattah el Sisi.

Mijëra njerëz u burgosën dhe shumë të tjerë u ekzekutuan për arsye politike. Vdekja e Morsit është për fat të keq një pjesë “e natyrshme” e kësaj serie të ngjarjeve. Si Morsi janë me mijëra të burgosur politikë të cilët janë privuar nga kujdesi shëndetësor, si dhe mijëra të tjerë që janë dënuar me izolim dhe që nuk janë lejuar të shohin familjet apo avokatët e tyre.

Ata që udhëhoqën demonstratat kundër Morsit ose u vranë, ose u burgosën ose kanë ikur në mërgim të detyruar prej diktaturës ushtarake të ngritur nga Sisi. Duhet kujtuar se ishte Fronti Kombëtar i Shpëtimit (the National Salvation Front), i drejtuar nga Mohamed ElBaradei, Amr Moussa dhe Hamdeen Sabahi, të cilët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese, pra që juristokracia të bashkëpunonte me ushtrinë për të shfuqizuar Asamblenë Kushtetuese përgjegjëse për krijimin e kushtetutës, pavarësisht thirrjeve të Morsit për dialog.

Blogerë si Gigi Ibrahim, apo liberalë dhe laikë sikurse Lëvizja Rinore e 6 Prillit llogariten nga ata që i bënë thirrje ushtrisë për të ndërhyrë. Ata ua mësynë rrugëve dhe luftuan ashpër derisa mbetjet e regjimit të vjetër organizuan grushtin e shtetit. Nëse ushtria ishte e para që i bëri të keqen popullit egjiptian, këto figura dhe grupe që i bënë thirrje ushtrisë për veprim ishin të dytët. Është e rëndësishme të dënosh veprimin e Sisit, por edhe ata që i hapën rrugën grushtit të shtetit nuk duhen harruar.

Përkundër gjithë kësaj egërsie pa kufij, ka ende disa që argumentojnë se Morsi u rrëzua sepse ishte anti- demokratik. Të mos harrojmë se edhe Sekretari i Shtetit i atëhershëm amerikan John Kerry arriti të thoshte në një deklaratë pas grushtit të shtetit se “ushtria po rivendos demokracinë në Egjipt”. Kjo nuk erdhi për shkak se Morsi nuk ishte demokrat, por për faktin se ai nuk po vepronte në përputhje me interesat e SHBA-së dhe Izraelit, aleatit të tij të madh në Lindjen e Mesme.

Dy ditë pas vdekjes së Morsiut, u publikua raporti i OKB-së mbi vrasjen e Jamal Khashoggit. Sipas raportit, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman në vrasjen Khashoggit, ku zyrtarët vrases kishin vepruar në emër të familjes mbretërore saudite. Raporti për vrasjen e Khashoggit, i cili u mbyt me një qese plastike dhe u pre në copa me sharrë, bën thirrje për vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj princit të kurorës Mohammed bin Salman dhe për ngrirjen e aseteve bankare të tij. Megjithatë, siç mund të kuptohet edhe nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo, se duke bllokuar dhe selektuar Arabinë Saudite si një nga vendet e listës së shteteve që rekrutojnë fëmijët si ushtarë, pavarësisht nga rekomandimet e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe pavarësisht dënimit të miliona njerëzve me uri në Jemen dhe prerjes në copa me sharrë të një gazetari brenda ndërtesës së konsullatës thjesht vetëm pse ai ishte një kundërshtar, Mohammed bin Salman është ende i lirë dhe i sigurt.

Egjipti dhe Arabia Saudite si dhe administratat e tyre vrastare janë në qendër të fokusimit të politikës amerikane të Lindjes së Mesme, e cila vazhdon të ndjekë atë izraelite. Për ta, njerëzit që aspirojnë për demokraci nuk janë gjë tjetër vetëm se turma që duhen shtypur./dailysabah/Gazeta Impakt

OPINIONE