Një gabim i përsëritur

Partia Demokratike duket se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe me audiopërgjimin e vet ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt. Përveç se ministri i Brendshëm qëndron në detyrë, PD-ja rrezikon që të vihet përpara kërkesës për të zbardhur autorësinë e përgjimit që mund të jenë edhe shërbime të huaja. Po kështu duhet provuar autenticiteti, që është çështje më vete.

Nga ky këndvështrim, opozita ka ndërmarrë një veprim jo shumë të menduar, duke mos dëshmuar seriozitet. Ajo nuk i ka bërë të qartë opinionit as edhe axhendën e vet në këtë rast. Synimet, qëllimet e veta duke lënë sërish dyshimet se pas lojës me përgjime, komunikimi me qeverinë vazhdon rregullisht.

Shembulli me sulmin operativ ndaj Fatmir Xhafës na provon sërish se ky nuk është roli i një opozite. Dhe se përmes lëvizjeve të tilla mund të fitohet ndonjë njollosje imazhi të qeverisë, por jo diçka më shumë.

Opozita e tanishme e provoi disa herë në mandatin e shkuar këtë lloj politike. Në fillim ajo e lëshoi veten në çështjen Doshi-Meta, pa arritur ndonjë gjë. Duke akuzuar Ilir Metën si porositës vrasjesh, Partia Demokratike në finale bëri punën e Edi Ramës që I duhej goditja e partnerit të vet. Mandej, opozita u mor gjerë e gjatë me pajisjen përgjuese që implikonte ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, sërish pa rezultat. As hetim parlamentar serioz nuk u kërkua dhe u konkludua, për të vazhduar me një marrëdhënie të paqartë deri në fund të mandatit të parë të socialistëve. Demokratët nuk arritën as të sjellin ndonjë përfitim publik nga debati për çështjen  e CEZ që u personalizua si kauzë e Sali Berishës.

Por PD-ja pati dy arritje që i duhen shënuar: së pari me ligjin për dekriminalizimin dhe me Çadrën e protestës. Në të dyja rastet kemi një produkt politik real, pavarësisht se si peshon ai në interesin publik. Përfshirja në lodra të tilla nervash me një qeveri që ka vetëm gjashtë muaj që ka dalë nga zgjedhjet e konfirmuar, është një qasje taktike dhe e ngushtë ndërkohë që retorika e opozitës zgjerohet drejt ambicieve të tilla si revolucion, revoltë etj..

Patjetër që probleme të tilla madhore si ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri janë në favor të pakicës, por nuk duhet harruar se deficiti elektoral i 2017-ës, në kushtet kur skandalet e qeverisë nuk kishin të sosur për katër vjet, tregon se nuk mjafton të ngresh gishtin e akuzës ndërkohë që vetë je kompromentuar me lloj – lloj pazaresh. Është një mësim që duhet mbajtur mend mirë: në opozitë duhet të afirmohesh si OPOZITË që të të mund të ndikosh te perceptimi i njerëzve dhe besimi i tyre. Në të kundërt nuk është fare çudi që edhe nëse qeveria bie, në zgjedhjet e reja të kemi një rezultat dramatik për PD-në dhe partneren e saj, LSI. Për arsyen e thjeshtë se tani e dinë të gjithë se interesi publik i qytetarëve të zakonshëm, për pronën, punën e shëndetin, nuk është realisht në axhendën e askujt.

Edi Rama mund ta lëshojë Fatmir Xhafën dhe ndonjë ministër tjetër. Por jo nën presionin e PD-së, thjesht kur t’i leverdisë vetë. Njësoj si me Tahirin të cilin e nxori nga qeveria muaj përpara se prokuroria t’i kërkonte arrestimin. E në këtë rast për opozitën nuk mbetet tjetër veçse të shikojë sesa mirë funksionon bashkëqeverisja…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne