Një grua u mbyt në Vjosë për një thes me sherebelë

Një qytetare nga Memaliaj u mbyt në lumin Vjosë për të shpëtuar mundin e saj, një thes sherebelë të mbledhur në malin e Trebeshinës.

Shoqet e saj nuk mundën ta shpëtonin.

Një thes me sherebelë do të thotë të ngrihesh në orën 3 të mëngjesit të arrish në Trebeshinë. Do të thotë të kërkosh me sytë në tokë me trupin të përkulur, thyer më dysh.

Do të thotë të punosh shpejt, sa më shpejt që mos të të kapin rrezet e diellit.

Duhet ta mbushësh atë thes.

Nuk mbaron me kaq. Thesin duhet ta ngarkosh në krahë si mushkë e duhet të nxitosh me shoqet për në Memaliaj.

Nuk mbaron as këtu. Përpara të del lumi Vjosë. Gratë e Memaliajt e njohin lumin, e dinë vahun ku duhet hedhur, por këtë herë nuk llogaritën thesin.

E për këtë thes me sherebelë që i tharë kushton 1 mijë lekë, njëra prej tyre u mbyt. Një tjetër është në spital. Për të shpëtuar bukën e fëmijëve.

Një thes sherebelë. A i thotë gjë shtetit, qeverisë, klasës politike, ky thes?

Pikërisht kur ndodhi ngjarja kryeministri po përuronte një resort. Plot të ftuar me kostume të bukura, dhe në krye ai vetë, i kapardisur si baron.

Vini re. Resorti në fjalë ka lidhje me këtë që po shkruaj unë. Ka lidhje sepse ajo grua e ndjerë zvarritej për të fituar bukën e gojës me sherebelën që i duhet mjekësisë në përpunim.

Edhe rrushi që kishte mbjellë “artisti” ku shkoi kryeministri. Por ky nuk shkoi te gruaja e varfër, por te resorti i “artistit”. Nga ku lëshoi dënglat e përditshme…

A nuk duhet të shkonte kryeministri në Memaliaj!? Jo për të qarë, nuk ia kërkon kush. Por për t’u thënë familjarëve se në atë mbytje ka faj edhe shteti që sot e përfaqësoj unë.

Mbyten njerëzit për një thes sherebel, vdesin. Migjeni ka zbritur ne Memaliaj dhe po ulëret./ panorma

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne