Një intervistë që i shton pikëpyetjet dhe përgënjeshtron Kryeministrin

Akuzat e opozitës parlamentare për Bankën Amerikane të Investimeve kanë provokuar reagimin e kësaj të fundit. Mesa duket Abi Bank, nuk i ka mjaftuar mbrojtja populiste e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, bashkëshortja e të cilit, Linda Rama ka qenë në bordin drejtues të bankës, por ka nxjerrë drejtorin ekzekutiv të përgjithshëm, Andi Ballta për të folur për çështjet që janë bërë pjesë e debatit parlamentar.

Në intervistën e tij për gazetën “Tema”, Ballta duket se përgënjeështron Kryeministrin Rama në një element që ka rëndësi. Thotë ndër të tjera ai:

Banka Amerikane e Investimeve është 100% e zotëruar nga fonde apo individë amerikanë. Për të shmangur cdo keqinterpretim: Ne nuk jemi bankë në Amerikë por bankë e investitorëve të mirënjohur amerikanë në Shqipëri. NCH Capital është me qendër në Nju Jork dhe ka pothuaj 30 vjet eksperiencë investimi global

Në Parlament zoti Rama tha se Abi Bank është një bankë amerikane e cila kontrollohet dhe auditohet nga Enti Rregullator amerikan i bankave. Mirëpo z.Ballta na thotë se Abi Bank nuk është Bankë në Amerikë që t’i nënshtrohet këtij rregulli, por investim i investitorëve amerikanë. Kjo pikë meriton të sqarohet edhe për të mos e nxjerrë z. Rama një person që del garant për çështje që nuk i di dhe ngatërron gjërat më shumë.

Më poshtë Ballta shton edhe një element tjetër:

Capital nuk ka patur kurrë asnjë pjesëmarrje kapitali rus, apo të ndonjë kombësie tjetër në strukturën e aksionerëve të ABI Bank. NCH thjesht ka investuar kapital tërësisht Amerikan në Rusi dhe në Europën Lindore. Gjithashtu të gjithë aksionerët e ABI Bank janë të listuar publikisht dhe të aprovuar sipas të gjitha rregullave nga autoritetet rregullatore shqiptare që në vitin 2010

Në këtë kuptim akuza e opozitës nuk bie tërësisht poshtë, por ajo thjesht korrektohet duke shmangur degën e NHC në Shqipëri nga paratë ruse. Kujdesi për të sqaruar këtë pikë në të vërtetë lidhet me lojën politike që bëhet në Shqipëri, pasi në përgjithësi askush nuk mund të ndalojë rregullat e qarkullimit të kapitalit në funksion të politikave ditore.

Zoti Ballta ofron garanci edhe ai populiste për bankën ku punon, kur përdor si koracë mbrojtëse faktin se në të operojnë investitorë amerikanë. I pyetur për pastrimin e parave, një tjetër akuzë kjo e opozitës, ai ka thënë:

ABI Bank ka patur disa auditime që nga blerja e bankës Credit Agricole dhe asnjëherë nuk ka patur asnjë problem me politikat e mbrojtjes ndaj pastrimit të parave. Përkundrazi, ne jemi shumë krenarë për vlerësimin e lartë të të gjithë auditimeve. Vleresojmë dhe falënderojmë shpjegimet e plota dhe të qarta të Bankës së Shqipërisë ku informacioni rreth ABI Bank është i plotë dhe i përditësuar… Nuk është se sulmet kanë prekur Bankën apo veprimtarinë e saj, por kanë tërhequr vemendje negative te investitorët e huaj dhe kanë shqetësuar autoritet amerikane që ndjekin ecurinë e bizneseve amerikane në Shqipëri

Përveç se të flasë për këtë temë, ndoshta zoti Ballta duhet të japë të dhëna konkrete se kush prej investitorëve është stepur. Abi Bank nuk është përfshirë në operacione të mëdha financimi projektesh në Shqipëri që të mbërrihet në këtë konkluzion. Nga ana tjetër, me të vërtetë që akuzat nga politika janë diçka anormale dhe instrumentale në rastin konkret, por z. Ballta e di fare mirë se në sektorin bankar ekspozimi është i përhershëm. P.sh një bankë me kredenciale të tilla në të vërtetë do të kishte menduar ndoshta dy herë për të marrë si drejtor të Përgjithshëm, z. Ballta, i cili në cv-në e tij ka edhe detyrën e zv. Presidentit të Israel Discount Bank në New York para vitit 2008. Kjo bankë në vitin 2005 u detyrua të paguante 25 milionë dollarë pasi i verifikua se kishte lejuar që përmes saj të bëheshin transferta ilegale nga Brazili për pesë vjet rresht në shumën e 2.2 miliardë dollarëve. Këtë verifikim në SHBA e kryejnë autoritetet federale, por në Shqipëri në 28 vjet, hetimi që po ndodh nga Autoriteti i Konkurencës është ndoshta i pari.

Sigurisht që në banka mund të ndodhin dukuri të tilla, por emri është një nga asetet kryesore në këtë sektor dhe është pak e nxituar në mos keqdashëse, nisur nga naiviteti i publikut shqiptar, që të japësh garanci absolute duke e mbuluar atë nën okelio populiste siç është ajo e “investitorit amerikan”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne