Një libër me vlerë të veçantë për historinë tonë

nga Faik Miftari.

Para ca kohësh pata rastin të lexojë librin e përgatitur për botim nga dr. Nimetullah Hafëzi”Jeta dhe veprat e Shykri Dilegut” i cili me të vërtet ishte një kënaqësi e veçantë  nga njëra anë dhe një befasi e jashtëzakonshme  nga ana tjetër. Aq më shumë kur mora vesh se Shukri Dilegu ishte një bashkëqytetar ynë prizrenas i cili ishte shpërngulur  para 90 vitesh në Turqi, për të cilin dorën në zemër nuk kam pas njohuri gjer tani, e i cili ka lindur  dhe  jetuar në lagjen në të cilin gravitojë në Prizren, para se të shpërngulej në Turqi.

Shykri Dilegu, ka shkruar dy libra, njëra titullohet “Jetëshkrimi im” dhe tjetra “Lufta  Ballkanike dhe Lufta e Madhe” në gjuhën osmane me alfabet arab.   Në saje të punës dhe angazhimit  të studiuesit   dr. Nimetullah Hafëzi,  arriti që  këto vepra t’i transkriptoi në alfabet latin dhe t’i përshtat në gjuhën turke,  duke i   botuar  në një libër të vetëm me titull ”Şükrü Dilege Hayatı ve eserleri- Jeta dhe vepra e Shykri Dilegut” në vitin 2014 me rastin e shënimit të 100 vjetorit  të Luftës së parë botërore. Të njëjtën libër pas disa përmirësimeve dhe plotësimeve e ribotoi në vitin 2017, duke përfshirë  në të edhe shkrimin origjinal të autorit në gjuhën osmane me alfabet arab, për të pasur qasje direkte ata  studiues të cilët merren me  studimin dhe hulumtimin e gjuhës osmane me alfabet arab.

Ky libër i shkruar nga autori Shykri Dilegu si i tillë ka një vlerë të madhe jo vetëm për historinë tonë, por edhe për historinë osmane(turke), si dhe për historinë e Ballkanit  pasi i përshkruan me mjaft sukses ngjarjet, pasi ishte vet përjetues “live” i periudhës së fundit të qeverisjes  osmane në Ballkan, Luftën ballkanike  dhe Luftën e madhe apo Luftën e parë botërore. E veçanta e këtij libri është se autori  qet në dritë, ngjarjet e ndodhura të asaj periudhe  jo vetëm në qytetin e Prizrenit, por edhe më gjerë, në Kosovë e  Shqipëri si  dhe në Ballkan.  Duhet bërë çmos  që ky libër me vlerë të madhe historike,  sa më parë të përkthehet në gjuhën shqipe për të prezantuar opinionit të gjerë  publik  shqiptar të dhëna të reja gjer tani të panjohura, pasi që me të vërtet  me përkthimin dhe botimin e këtij libri historia jonë do të pasurohet me të dhëna  të reja historike që gjer tani i kanë munguar  historisë  sonë kombëtare nga periudha osmane, Luftën ballkanike si dhe  Luftën e parë botërore.

Shykri Dilegu u lind në vitin 1879 në Prizren, në mahallën e Mehmet Pashës (Bajraklisë) në shtëpinë e familjes së Agallarëve( Dodave) të sotshme, e cila gjendet  ngjit me kompleksin e tanishëm të Lidhjes së Prizrenit. Baba i tij ishte Galip Agallari, i cili rrjedh nga një familje e njohur  qytetare prizrenase. Nëna  e tij ishte Fatime hanëm  e cila pas një sëmundje të shkurtër vdiq  kur Shykriu ishte tetëvjeçar. Shykriu  ishte fëmija i dytë në familjen e tij, ndërsa  vëllai i tij më i vogël  ishte Nysret ef. Agallari (Doda), myftiu i dikurshëm i Prizrenit dhe myderriz (profesor) i  Medresesë së  Mehmet pashës në Prizren, gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar apo shekullit  XX-të.

Pas kryerjes së iptidaijes(shkollës fillore)  Shykri (Agallari) Dilegu vazhdoi mësimet në ryzhdijen (gjimnazin) e Prizrenit të cilin e kreu me  sukses. Pasi që në atë kohë në Prizren nuk ka pas shkollë më të lartë se gjimnazi, pas përfundimit të gjimnazit  u punësua  nëpunës në postën e Prizrenit në pozitën e  telegrafistit në të cilin pozitë qëndroi  13 vite, gjer në vitin 1912 kur u tërhoq Perandoria Osmane  pas dëbimit të saj nga Ballkani. Pasi  ka punuar si telegrafist në postën e Prizrenit plot 13 vite,  ka qenë përcjellës i drejtpërdrejtë i dorës së parë  i ngjarjeve të mëdha  historike që kanë shënuar këtë periudhë   jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë e Shqipëri dhe Ballkanin në përgjithësi.

Pas pushtimit të Prizrenit nga Serbia në vitin 1912, i jepet  rasti që të punojë prap në postën e Prizrenit në vitin 1913, por  këtë ai  kategorikisht e refuzoi. Në vitin 1921 në zgjedhjet e para komunale të mbajtura  në Prizren zgjidhet në mesin e nëntë kuvendarëve mysliman, në mesin e të cilëve ishin përveç tjerash edhe Bajram Rogova dhe Ramiz Aliu. Pas kryerjes së mandatit trevjeçar të kuvendarit në komunën e Prizrenit, punoi një kohë  si mësimdhënës i mësim besimit fetar mysliman së pari në fshatin Krushë e pastaj edhe  në fshatin Zhur të Prizrenit  në të cilin qëndroi dy vite.  Pas kësaj mbeti pa punë dhe për shkaqe ekonomike, së bashku me  familjen  e tij  tetë anëtarëshe, u detyrua të shpërngulet  në Turqi në vitin 1929 dhe  vendoset në Stamboll.  Atje punoi  si nëpunës gjer në pensionimin e tij. Në vitin 1951 i vdes bashkëshortja e tij e cila për të  ishte një goditje e madhe, dhe së shpejti edhe ai ndërroi jetë në vitin 1952 dhe u varros në Stamboll larg vendlindjes së tij, Prizrenin  që aq shumë e deshi.

Vepra e tij e parë ” Jetëshkrimi im “ në të cilin autori  e ka përshkruar autobiografinë e tij nga lindja e gjer në shpërnguljen  dhe jetën e tij në Turqi, përmban gjithsejtë 111 faqe, ndërsa libri i dytë” Lufta Ballkanike dhe Lufta e Madhe” përmban 132 faqe në të cilën  autori i ka shënuar ngjarjet e rëndësishme historike të  periudhe kohore 1912-1918.

E përgëzoj dr. Nimetullah Hafëzin për punën e tij rreth përgatitjes së këtij libri për botim, njëherit shpresoj  që ky libër  sa më parë të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa gjatë ditëve dhe javëve në vijim do të përkthejë disa nga ngjarjet që janë me interes të veçantë për opinionin tonë publik shqiptar.

Në fund do të përmbyll këtë prezantim të librit me një thënie të dhimbshme   nga autori i këtij libri, Shykri(Agallari) Dilegut, i cili e ka përjetuar drejtpërsëdrejti  në lëkurën e tij, pushtimin  e atdheut  nga ushtria serbe në vitin 1912:  ” Nëse në  botë ekziston  diçka më e dhimbshme , atëherë ajo është humbja e vatanit(atdheut)”./Gazeta Impakt

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne