Një përgjigje për Lalin që fyen Çamët

Nga Beqir Nuredini*

Erion Veliaj kërkon vëmendje dhe bën gjithçka, çdo pafytyrësi për të rënë në sy. Ngaqë ka nisur një garë pa konkurent, një garë qesharake dhe të mjerë e për këtë arsye po ngjan përditë e më shumë si klloun, shan e gjuan me batare ngado, që të sajojë armiq, që mos të duket i vetmuar në turin e tij absurd.

Po ka shumë konktradita në sjelljen e tij.

Nga njëra anë mezi pret të ikë Edi Rama, se ëndërron t’i zërë vendin, pra të marrë një rol kombëtar, se i kanë thënë që je i zoti shumë, nga ana tjetër shpif dhe fyen shumë komunitete, grupe të shoqërisë dhe çdokënd që nuk i pëlqen. Po si mund të pretendosh të marrësh një rol kombëtar, kur i quan të ardhur në Tiranë protestuesit, i cilëson ata me përçmim. Quan vandalë e talebanë ata që nuk janë dakord me projektet e tua korruptive dhe ruajnë gjenë më të shenjtë, shtëpinë. Nuk le gjë pa thënë për Çamët dhe prej votës së tyre ke 4 vite që je në krye të bashkisë më të madhe në vend.

Pra, si mund të pretendosh të marrësh një rol kombëtar, kur fyen këdo dhe bëhesh i neveritshëm në sytë e mbarë shqiptarëve.

Këto janë qëndrime të dëshpëruara të një të llastuari që ka marrë çdo gjë gati në jetë e që kërkon vëmendje. Në fakt, të tilla qëndrime publike janë tërësisht të ndaluara, sepse nxisin përçarje e ndasi. Këto mund t’i bëjë vetëm një i paditur që është në fund të karrierës. Ndërkohë që ky pretenton dhe punon çdo ditë që nesër t’u shkojë të ardhurve, vandalëve, njerëzve kudo, Çamëve, pra pretendon t’u shkojë në shptëi e t’u kërkojë votën për kryeministër.

Nuk ka dyshim, ai nuk ka turp dhe do ta bëjë. Po puna është se njerëzit nuk harrojnë. Nuk i harrojnë fyerje të tilla që prekin identitetin dhe dinjitetin e tyre.

Do ta shohë pastaj Lali nga Ura Vajgurore, çdo të thotë t’i cënosh njerëzit në faktin që nuk kanë lindur në Tiranë, apo se nuk kanë përfituar çdo gjë prej të tjerëve, apo se kanë punuar vetë dhe nuk janë pasuruar prej postit.

Se sa i vlen lëkura ky e pa kur krijoi partinë e tij, që nuk mori dot vota as për gjys mandati.

Ai e ka çdo gjë prej socialistëve, edhe prej atyre socialistëve që janë të ardhur, apo që u përkasin komuniteteve të ndryshme kulturore në vend, të cilët ai i përçmon, i fyen, i shan dhe i sulmon.

Si pjestar i komunitetit Çam, dhe anëtar i kryesisë së PDIU, po shtoj dhe dy fjalë.

Çamët, që ta dish ti, janë të parët që janë ngritur për liri e dinjitet, se e kanë vuajtur më shumë se çdokush tjetër shtypjen dhe sundimin. Dhe janë disa vlera, për të cilat komuniteti ynë do qëndrojë gjithnjë.

Ne kemi gabimet tona. Një prej tyre është se të mbështetëm e të bëmë ty kryetar bashkie. Po ti dole bukëshkalë në rastin më të parë. Ne mësojmë prej gabimeve tona, kurse ti haram e paç votën e çamëve!

* Beqir Nuredini është anëtar i Kryesisë së PDIU

 

/27.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne