Një premtim pikant i Bashës dhe disa imazhe nga Gjermania

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk u foli vetëm për çështjen e zgjedhjeve të lira qytetarëve të mbledhur përpara kryeministrisë.

Ai bëri edhe premtimet e tij elektorale.

Një prej tyre lidhej me shkollimin.

“Nuk do të ketë asnjë ndërtesë më madhështore e të mirëpajisur në asnjë fshat dhe asnjë lagje qyteti se shkollat e fëmijëve tuaj, shkollat e fëmijëve shqiptarë.

Me dyfishimin e korpusit të mësuesve, me rritjen e rrogave të tyre, do të mundësojmë për çdo fëmijë shqiptar, nga mosha 5 deri në 18 vjeç, të kenë drekën falas në shkollat e Republikës së Re, me orarin nga ora 08:00 deri në orën 16:00 duke përfshirë bërjen e detyrave të shtëpisë, aktiviteteve sportive.

Fëmijët e shqiptarë do të dalin nga tempujt e arsimit vetëm kur prindërit e tyre të dalin nga puna. Republika e Re do t’i heqë fëmijët e shqiptarëve nga rruga,” tha Basha.

Në fakt edhe në Shqipëri, sidomos në qytetet e mëdha, është kthyer në shqetësim real kujdesi ndaj fëmijëve kur prindërit janë akoma në punë.

Kjo gjë ndodh edhe gjatë pushimeve verore.

Për të kuptuar se sa problem është kjo gjë në Perëndim, shihni pamjet sipër që vijnë nga Gjermania.

Gazeta më e madhe gjermane, Bild, shkruan se qindra prindër kanë vërshur në Hamburg për të siguruar një vend në Kita, ose ndryshe qendrat ditore të kujdesit për fëmijët.

Për shkak të pranisë së madhe sepse vendet janë të kufizuara, pati tension dhe kaos, ndaj u desh ndërhyrja e policisë.

Qendrat ditore ose kopshtet kujdesen për fëmijët kur prindërit janë në punë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne