Shqiperia

Një “qeli” merr me vete një qeveri!

Skandali Habilaj-Tahiri nuk ndalon me kaq. Është si orteku që sa më shumë rrotullohet nëpër majën e thepisur të politikës së krimit, aq me shumë bëhet i rrezikshëm për këdo që del përpara apo mundohet ta ndalë. Edi Rama duke ditur mirë nga shërbimet e vendit dhe të huaja se nuk duhet të dalë në udhën nga ku po vjen orteku, në fillim hezitoi, por më pas u mundua ta ndaloj.

Nuk ndalohet orteku! Ai thjesht do marrë më vete gjithçka del përpara dhe në fund copëtohet. Orteku copëton gjithçka ka marrë tëposhtës së madhe të akullt.

Saimir Tahiri në fillim u ç’orientua sapo doli kërkesa për arrestim, më pas sa nuk u çurros duke qarë te Blendi Fevziu. Bile aq shumë e theksonte atë fjalën: “po shkoj në burg!” aqsa u kuptua se diçka të vertetë ka akuza e prokurorisë. Te Fevziu tha se është krejt vetëm, pra aludoi se Edi Rama e kishte braktisur. Bile shprehu, hapur, pakënaqësi edhe ndaj ministrit Fatmir Xhafa. Kryeministri nuk e braktiste nëse nuk kishte fakte apo dyshime të bazuara ndaj Saimir Tahirit. Pikësëpari nëse një njeri, i cili akuzohet për një vepër të tillë kriminale, kur është i pastër dhe i papërzier del dhe thotë, pa iu dridhur syri dhe përdredhur zëri: “Hajdeni këtu, me keni të Fevziu në emision. Më merrni për në qeli sepse politika kështu do, ndonëse nuk kam bërë asgjë”. Turpi më pas do ishte për prokurorinë. Saimir Tahiri, pas gjyqit, do të dilte i lirë dhe i pafajshëm. Aksionet e tij politike do shkonin në stratosferë. Do ishte një hero socialist, sa edhe Edi Rama do t’ia kishte zili. Gjithnjë nëse nuk ka gëlltitur çorbën.

E ç’janë dy ditë burg në qeli për një ish-ministër dhe deputet që nuk ka shkelur ligjin?! Asgjë, përkundrazi nga qelia shkon direkt në qeveri. Një gjyq politik, pra pa fakte, do ishte podiumi më i lartë që i bëhet një politikani që aspiron karrierë. Por të nesërmen e daljes të Fevziu, gjithçka ndryshoi. Edi Rama kaloi në kampin e Saimirit, PS-ja u ngjall dhe filloi mbrojtjen. Ministrat nga të hutuar se ç’po ndodh dhe të kënaqur se uragani amerikan “Irena” po mbaron punë vetëm me Saimirin, filluan të pëshpërisin se “po na merr në qafë kryeministri që po e mbron”. Tahiri ndryshoi mimikë, zëri iu bëhet më i lartë, fillon akuzat ndaj Berishës, Bashës, Metës dhe hamëndëson që po merr flamurin e lidershipit në PS, duke ngritur edhe militantët që rrethojnë kryesinë e kuvendit. Kjo kthesë e Ramës ndodhi pasi kërcënoi kryeministrin dhe gjithë deputetët e PS. Thonë se ka, edhe ky si Spartak Braho, një çantë me përgjime, dvd, dokumenta, etj për shumëkënd. Të paligjshme si aktivitet përgjues, por kur plasin në media nuk e ka kush mendjen te ligjshmeria apo paligjshmeria.

Prokuroria ndonëse u paraqit jo mirë ditën e parë në përballjen publike me Tahirin, të shtunën e mori veten. Ka fakte të reja, thonë. Dëshmitari i penduar që punon për drejtësinë do paraqitet kundër ish-ministrit. Nga Italia nuk ndalojnë thasët e dosjeve që po mbërrijnë. Por prapë Edi Rama vazhdon mbrojtjen, ndonëse duhet të jetë gjykata e cila duhet të vendos. As prokuroria e as kryeministri nuk kanë gjë në dorë. Prokuroria heton dhe paraqet faktet në gjykatë, kurse qeveri rri e vëzhgon me shpresë së mos shpëton ish-ministri. Nga larg Tahiri kërcënon, luan për ta kthyer në sulm politik, dhe nganjëherë shigjeton të vetët në PS. Me sa duket ish-ministri përveç aktivitetit që po nxjerr prokuroria, paska regjistruar, filmuar dhe dokumentuar për të tijtë në qeveri. Ndaj ministrat janë nën ankth se ç’mund të nxjerrë Saimir nëse ai shkon në burg. Kur ke gjynahe, ke edhe frikë. Nëse nuk ke bërë asgjë të keqe pse duhet të sikletosesh apo frikësohesh.

Saimir Tahiri është në ditët e tij më të vështira. Realisht. Por kjo duhet thënë nëse ka gisht apo i përzier në dosjen Habilaj. E theksuam pak më sipër që nëse nuk je përzier dhe të akuzojnë politikisht, siç thotë Tahiri, njeriu shkon me qejf të madh, edhe për të bërë histori. Shkon, rri ca ditë dhe del si hero pas pak ditësh. Më pas ditët punojnë për ty!

Por frika nga burgu, se hyn por nuk del më, tregon se ka “erë të keqe” në dosje.

Me sa duket kështu është shkruar që një qeli të marrë me vete një qeveri!

G.U.

(marrë nga www.folshqip.al)

OPINIONE