Një tërmet godet Japoninë

Është rritur në 7 numri i viktimave ndërsa 200 të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmetit 6.7 ballë që goditi ishullin japonez Hokaido.

Transmetuesi japonez NHK njoftoi se në tërmetin i cili ka shkaktuar rrëshqitje të shumta të dheut në terrenin e pyllëzuar të ishullit Hokkaido në veri të vendit, kanë humbur jetën të paktën 7 persona, më shumë se 200 të tjerë janë plagosur ndërsa mbi 30 persona llogariten si të zhdukur.

Agjencia e Meteorologjisë së Japonisë fillimisht njoftoi se një tërmet 6.6 ballë ka goditur ishullin Hokaido ndërsa më pas përditësoi të dhënat dhe se tërmeti ishte 6.7 ballë. Kjo agjenci bëri të ditur se tërmeti ka ndodhur në lindje të qytetit Tomakomai dhe është regjistruar 40 kilometra në thellësi të tokës.

Ndërkohë mësohet se është dhënë urdhri për evakime në disa rajone ku janë përjetuar tronditje të shumta pas tërmetit të fuqishëm.

Po ashtu në vazhdim janë punimet për kërkim dhe shpëtim ku zyrtarët thonë se 25 mijë ushtarë janë dërguar në rajon për punimet e kërkim – shpëtimit për më shumë se 30 personat e zhdukur si rezultat i rrëshqitjeve të dheut që tërmeti ka shkaktuar në zonën Atsuma.

Pas tërmetit, tre reaktorët e centralit bërthamor Tomari u çaktivizuan dhe u lidhën në gjeneratorë të gjendjes emergjente. Rreth 3 milionë shtëpi nuk u furnizuan me energji elektrike ndërsa aeroportet dhe një numër i madh i autostradave u mbyllën.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne