Një tjetër HEC planifikohet të ndërtohet në Gramsh, PD: Po varrosen bukuritë natyrore

Një tjetër HEC pritet të ndërtohet në Gramsh. Denoncimi vjen nga kreu i Partisë Demokratike në Gramsh, Kodhel Çala, i cili deklaroi në një lidhje telefonike për “FaxNews” se plani është miratuar gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak në dhjetor.

Sipas tij, ky projekt rrezikon bukuritë natyrore dhe prandaj banorët duhet të ngrihen në protestë që të parandalojnë ndërtimin e tij.

“Projekti është njoftuar nga Bashkia Gramsh, janë realizuar të gjitha procedurat përkatëse dhe do të nisë puna. Ndërtimi do të nisë së shpejti, të gjitha procedura janë bërë gati. Qytetarët janë mjaft të revoltuar, jo vetëm banorët e zonës, por të gjithë qytetarët e Gramshit janë të irrituar.

Sipas informacioneve, në mbledhjen e parë Këshilli i Bashkisë janë detyruar të gjithë ta miratojnë. Kjo është miratuar në prag të vitit të ri.

Ne si degë e PD ashtu siç vepruam edhe për të ndalur ndërtimin e HEC-it në kanionin e Holtës, po sensizibiliojmë të gjithë opinionin publik për të ndaluar shkatërrimin e bukurisë natyrore.

Banorët janë të gatshëm të protestojnë. Të gjitha HEC-et i kanë miratuar ata, do ta varrosin bukurinë natyrore të Gramshit”, tha Kodhel Çala.

“FaxNews” ka mësuar se kapaciteti HEC-it do të jetë 10 megavat, ndërsa koha e ndërtimit do të jetë 2 vjet. HEC-i do përdorë ujëra nga përroi i Moçalit dhe Sharrës, ndërsa baseni i HEC-it do ndërtohet në kuotën 1330 metra mbi nivelin e detit. Më herët, në “Facebook”, kreu i PD në Gramsh, Kodhel Çala akuzoi qeverinë se ka gënjyer banorët se do të investojë në Gramsh do të mbrojë bukuritë natyrore.

Postimi i plotë i Kodhel Çalës:

Vazhdon skenari i shkatërrimit të perlave natyrore në Gramsh. Pasi mbaruan punë me kanionin e Holtës, tani së shpejti do fillojnë me shkatërrimin e bukurive të tjera natyrore, radhën e kanë ato të Lenies pikërisht perlat e Graboves Sipër.

Bashkia Gramsh ka miratuar ndërtimin e HEC-ve mbi këto bukuri të rralla të natyrës. Kryetari i emëruar i Bashkisë Gramsh gënjeu gramshiotët para fushatës duke thënë “se HEC-ci mbi kanionin e Holtës nuk do të ndërtohet, do anulohet këtë gënjeshtër e tha bashkë me ministrat e tij gënjeshtarë”. Sot ky HEC ka përfunduar.

Pra ishte mashtrimi i radhës sa për të mbaruar punë me fushatën. Por puna është se si do gënjejë tani për HEC-in në Grabovë Sipër. Bashkia e ka miratuar tashmë ndërtimin e tij ashtu siç do miratojë me radhë një nga një edhe ndërtimin e HEC-ve të tjerët që janë planifikuar të ndërtohen mbi të tjera bukuri natyrore të Gramshit, siç janë ata mbi lumin e Kukurit, mbi Tomorricën, etj..

Të nderuar gramshiotë duhet të zgjohemi , duhet të reagojmë, madje fort, për të mbrojtur këto pasuri që Zoti na i ka falur, por që qeveria dhe bashkia në bashkëpunim midis tyre po na i marrin.

Ndryshe ne shumë shpejt nuk do mundemi dot më të shikojmë apo të shijojmë mrekullinë e gurgullinës së ujërave të kristaltë të burimeve tona. Ato do të futen nëpër tuba e do të përdoren për pasurimin e disa njerëzve të lidhur me pushtetin.

Mirë qeveria se u mor vesh që nuk do t’ja dijë fare për këtë popull e për këtë rreth, po ky i emëruari i bashkisë që është dhe gramshiot e flet shpesh per këto bukuri, këtë nga e çon mushka. Zotërinj pushtetarë përse gjithnjë së prapthi ju për këtë Gramsh e për këta gramshiotë, si nuk u kujtokeni njëherë për të bërë një gjë që tu shërbejë këtyre njerëzve, i doni e i përdorni këta njerëz vetëm për atë të shkretë vote e që gramshiotët gjithnjë ju a kanë dhënë. Çfarë presin gramshiotët e çfarë bëni ju.

Gramshiotët presin që tu çoni rrugën në keto perla natyrore e për ta kthyer Gramshin në një vend të fuqishëm turistik. Të çoni rrugën te moçalet e Grabovës ku natyra të mahnit me bukurinë e saj, të çoni rrugën te liqeni i zi , te liqeni i Dushkut, të çoni rrugen te ujëvara e Sotirës që keni tre vjet që e keni shpallur në 100 fshatrat prioritarë po që mbeti vetëm në letër si shumë premtime te tjera.

Ndërsa ju jo vetëm që nuk ju shkon mendja fare për këto punë, por doni edhe t’i rrëmbeni këto pasuri.

Të nderuar gramshiotë, për ne dy mundësi kanë mbetur, ose të ngrihemi e të reagojmë me dinjitet për t’i treguar vendin këtyre të babëziturve, ose të ulim kokën e t’u nënshtrohemi paudhësive të tyre. Unë jam për të parën./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne