Një Turqi e fortë – avantazh gjeopolitik për Shqipërinë

Nga Shaban Murati

Interesi shtetëror dhe strategjik shqiptar dikton që zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit në Turqi të shihen me sy gjeopolitik. Kjo don të thotë të merren në konsideratë në rradhë të parë rrethanat e favorshme rajonale, që krijon për dy shtetet shqiptare dhe për faktorin shqiptar në Ballkan rizgjedhja e Erdoganit në postin e presidentit të shtetit më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm ballkanik. Rizgjedhja e Erdoganit don të thotë vazhdimësi e politikës dhe e strategjisë së tij të njohur për të forcuar rolin e Turqisë si faktor i rëndësishëm rajonal në Mesdhe, në Lindjen e Mesme, në Azinë Qëndrore dhe në Ballkan. Kjo vazhdimësi e forcimit të pozitës së Turqisë si fuqi e madhe rajonale përbën një rrethanë të favorshme për peshën dhe perspektivën e faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit.
Presidenti Erdogan është i pari dhe i vetmi president i një shteti ballkanik, që afishoi në politikën e tij të jashtme përcaktimin e Shqipërisë dhe të Kosovës si aleatë strategjikë. Presidenti Erdogan është i pari dhe i vetmi president i një shteti ballkanik, që i kushtoi vëmendje të veçantë dhe ndërtoi marrëdhënie të posaçme me Shqipërinë dhe me Kosovën. Presidenti Erdogan është i pari dhe i vetmi president i një shteti ballkanik, që pranoi dhe vlerësoi rolin e ri diplomatik dhe strategjik të dy shteteve shqiptare dhe të faktorit shqiptar në skakierën ballkanike në fillimi të shekulliti 21. Presidenti Erdogan është i pari dhe i vetmi president i një shteti ballkanik, që ndihmoi në rivendosjen e një simetrie dhe të një ekuilibri forcash në rajon midis Shqipërisë dhe rivalëve të saj historikë në rajon. Aleanca strategjike me Turqinë është një kartë diplomatike force për Shqipërinë dhe për Kosovën në marrëdhëniet e tyre rajonale dhe sidomos përballë rivalëve historike të kombit shqiptar, të cilët nuk e njohin Kosovën.

Të gjithë shtetet ballkanike, dhe sidomos ata që nuk e kanë dashur kurrë faktorin dhe kombin shqiptar, janë të detyruar të llogarisin rrethanën e aleancës strategjike të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar me Turqinë. Rivalët tanë historikë janë të ndërgjegjshëm për forcën e Turqisë në rajon dhe ndaj Serbia dhe Greqia, ende pa u numuruar gjithë kutitë e votimit dhe pa u shpallur zyrtarisht fitorja e Erdoganit, nxituan t’i dërgojnë në 24 qershor mesazhe zyrtare urimi presidentit të Turqisë.

Zgjedhjet në Turqi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit gjykohen nga efektet, që kanë në pozitat rajonale dhe ndërkombëtare të vendit tonë. Konkretisht në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës forcimi i Turqisë dhe i pozitës së saj rajonale dhe ndërkombëtare favorizon rolin dhe peshën e faktorit shqiptar në rajon. Nuk gjykohen as zgjedhjet dhe as marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera sipas komplekseve të frymëzuara nga pakicat fetare, nga pakicat etnike apo nga sponsorizimet e rivalëve tanë historikë në Ballkan dhe të lobeve të tyre në Tiranë dhe në Prishtinë. Çeshtja e regjimeve të brendshme dhe e menyrave të qeverisjes së një populli janë çeshtje e brendshme dhe domen i atij populli, që zhvillon zgjedhjet e veta dhe zgjedh udhëheqësit e vet.

Ka perënduar ajo kohë kur Shqipëria kërkonte t’i mësonte botës si të bënte revolucionin proletar dhe i jepte leksione Kinës dhe Indonezisë se si të ngrihen në revolucion. Shqipëria nuk mundet as sot të bëhet qendër e botës dhe të mësojë shtetet e tjera si të bëjnë demokracinë. Nuk mund të flasësh për “sulltanët” e botës, kur ke vetë 106 vjet që drejtohesh nga sulltanë. Çështjet e brendshme të një shteti nuk duhet të ngatërrojnë vizionin dhe interesin gjeopolitik të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ndaj një Turqi e fortë duhet parë si një avantazh gjeopolitik për Shqipërinë, për Kosovën dhe për kombin shqiptar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne