Një votë që nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

Shqipëria ka votuar sot pro një projekt-rezolute që denoncon vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur aty ambasadën e SHBA, e cila ndodhet, bashkë me shumë përfaqësi të tjera diplomatike në qendrën zyrtare politike e administrative të shtetit hebre, Tel Aviv. Me shumicën dërrmuese të votave të Asamblesë së Përgjithshme (128 të tilla), e vetëm me pak vota kundër (vetëm 9 shtete), Asamblea ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Jemeni dhe Turqia, për të dënuar vendimin amerikan.

Kundër qëndrimit të Trump për Izraelin kanë votuar praktikisht të gjitha vendet e zhvilluara europiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe. Kanë abstenuar Australia, Polonia, Rumania dhe Hungaria, ndërkohë që Kina e Rusia kanë votuar gjithashtu kundër. “Nuk do ta harrojmë këtë votim”, u shpreh ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley, e cila më parë kishte njoftuar se do të merrte shënim të gjitha shtetet që do të votonin kundër qëndrimit amerikan. Një kërcënim i hapur ky, i cili i shkon për shtat stilit të deritanishëm komunikues të presidentit amerikan.

Kriza diplomatike rreth statusit të Jeruzalemit është vetëm kapitulli i fundit të një teme të nxehtë, e cila lidhet me simbolikën e qendrës më të vjetër religjioze të planetit. E reklamuar nga të gjitha fetë kryesore, për rëndësinë historike dhe prezencën aty të objekteve unikale të kultit, Jeruzalemi ka qenë një mollë e vjetër sherri mes hebrenjve dhe muslimanëve.

Pozicioni i Shqipërisë në këtë aferë globale është krejt periferik dhe i parëndësishëm. Jo vetëm për shkak të peshës tonë të vogël si shtet, por edhe nga fakti që epiqendra e kësaj historie nuk prek asnjë nga interesat apo prioritetet e politikës sonë të jashtme, Tirana zyrtare ka mbajtur me të drejtë një profil të ulët në zhurmën që pasoi vendimin e Uashingtonit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Në shumë raste heshtja është një rrugëdalje mëse dinjitoze dhe e frekuentuar në diplomaci dhe qeveria shqiptare ka bërë gjënë e drejtë duke anashkaluar të gjitha prononcimet publike, që do të krijonin vetëm kosto dhe zhurmë të kotë.

Megjithatë momenti i votës në OKB shënon një akt solemn, ku çdo vend anëtar shprehet zyrtarisht dhe hapur. Dhe sërish duket se ne si vend kemi bërë gjënë e duhur, përtej të gjitha lidhjeve të njohura dhe shumë të rëndësishme të bashkëpunimit e partneritetit që kemi me Shtetet e Bashkuara, apo edhe me Izraelin. Shqipëria ka votuar duke ndjekur një qëndrim të njohur historik të saj në lidhje me problemin e Jeruzalemit, ashtu siç ka votuar edhe duke unifikuar qëndrimin e vet zyrtar me atë të Bashkimit Europian. Një rrethanë kyç kjo, në vendimmarrjen e saj.

Një sjellje e tillë nuk përbën as një hap në errësirë dhe as një akt papërgjegjshmërie ndaj një aleati të madh si Amerika, e cila i ka dhënë shqiptarëve shtetin e dytë në Ballkan para dhjetë viteve. Ky qëndrim diplomatik i Tiranës shënon një pozicion të pjekur dhe të përmbajtur, në një mjedis global të nxehur skajshëm, pas vendimit të njëanshëm dhe shumë të debatueshëm të presidentit Donald Trump. Fakti që 128 vende anëtare të OKB, përfshirë të gjithë aleatët e mëdhenj perëndimorë të SHBA, vendosën t’i thonë “Jo” nismës amerikane, tregon se edhe një vend i madh si SHBA mund ta shohë veten në minorancë, kur flitet për çeshtje delikate. Dhe Lindja e Mesme, me syrin e saj të ciklonit – Jeruzalemin, është një temë e nxehtë dhe delikate prej kohësh që s’mbahen mend.

Vendimi shqiptar është thjesht një pasqyrim i dëshirës së vendit tonë për të bërë pjesë në shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të OKB, e sidomos për t’ju bashkuar pozicionit zyrtar të BE.

Le të shpresojmë se hyrja në “listën e zezë” të të një vendi të madh mik, nuk do të ketë pasojat e përfolura këto ditë. Ne shqiptarët, adhurimin tonë të hershëm ndaj SHBA, s’e kemi lidhur kurrë me spostimin ose jo të ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Do të ishte reduktive dhe thjesht qesharake që kjo rrethanë të dëmtonte sadopak marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe.

Skënder Minxhozi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne