Njeriu i ri “rilindas” si njeriu i ri komunist

Makina propagandistike e qeverisë Rama në komunikimin publik ngjan me komunikimin e regjimit komunist shqiptar të viteve ’60-të. Sot çdo aktivitet politik, ekonomik dhe kulturor në vend vihet në shërbim të pushtetit politik për krijimin e njeriut të ri rilindas, si njeriu i vetëm që do integrojë Shqipërinë në BE. Integrimi evropian merr rëndësinë jetike si të fitores së revolucionit marksist-leninist. Bashkëbisedimi i kryeministrit me gazetarët ngjan me bashkëbisedimin e diktatorit Hoxha me kooperativistët e Çermës në Lushnjë më 1964, ku i detyron të bëhen korrespondentë të shtypit. Rama komunikon online, Hoxha komunikonte në radio, TV, në gazeta, në parullat që shkruheshin në male, në qendrat e punës, në emërtimet e ndërmarrjeve e kooperativave bujqësore. Të dy liderat arrijnë në destinacionin e shumëdëshiruar: te publiku, edhe pse në rrugë e kohë të ndryshme. “Shqipëria që duam” realizohet vetëm, nëse fiton revolucioni proletar. Platforma e bashkëqeverisjes barazohet me çelikosjen e unitetit parti-popull. Diktatorët janë hamshorë të tmerrshëm të fjalës së lirë.

Diktatorët kanë qasje të përbashkët në marëdhënien me median. Ata njohin vetëm kontrollin e saj dhe përdorjen. Regjimi komunist shqiptar pas 6 shkurtit 1967, ndërmori një lëvizje kombëtare që e quajti revolucionin kulturor shqiptar. Qëllimi ishte për një shoqëri pa klasa, duke ç’rrënjosur praktikat burokratike, për intensifikimin kulturor kundër bestytnive fetare, etj.. Doktrina kryesore komuniste, me të cilën do të ngrihej njeriu i ri komunist ishte: “Në njërën dorë kazmën atdheun e ndërtojmë; në tjetrën dorë pushkën fitoret i mbrojmë”. Vetëm njeriu i ri komunist, siguronte të ardhmen e vendit. Të njëjtën gjë bën edhe Rama, duke u kujtuar nëpunësve politik të tij se nga ata varet integrimi evropian. Ashtu si atëherë edhe regjimi sot ka të njëjtën sjellje dhe përqasje për qytetarët e tij. Ndërtimi i njeriut të ri rilindas është kthyer sot në kryedetyrë mbi detyrat për organizatat e Partisë, të rinisë, të gruas dhe për të gjithë institucioneve politike, zyrave të administratës publike, të cilët promovojnë dhe propagandojnë masivisht në favor të regjimit.

Njeriu i ri rilindas në propagandën e qeverisë sot ngjan me njeriun e ri komunist. Partia-shtet e drejtuar nga Rama pasi zotëron tepsi, kusi, timon dhe autostrada pa pengesa, është shndërruar në një makineri gjigande që propagandon. Njeriu është vocrrak para shtetit. Shteti paraqitet sikur ka në dorë, jetën, punën, zhvillimin, oksigjenin dhe ëndrrat e njerëzve. Në dobi të çelikosjes së pushtetit, njeriu kthehet në një qënie eksperimentale në favor të ansamblit propagandistik qeveritar. Nëpunësi pa dëshirën e tij merret në aktivitete politike në kundërshtim me ligjin. Qeveria vendos kur të ikësh nga puna dhe kur të kthehesh. Makina propagandistike e kryeministrit të partisë shtet pasi hoqi qytetarët e pamundur nga ndihma ekonomike, bombardoi publikun me lajme të tilla si: “falë qeverisë dhe aftësive”, “Shpresa gjen punë me më shumë të ardhura”, “Gazmiri gjuan peshk”, “Arbeni bëhet zanatçi”, “Vjollca qeron patate”, “Anxhela mbledh ullinj”, “Mario ngarkon-shkarkon”, “Dritani saldon”, etj.. Pra tipike komuniste. Partia të heq bukën, partia të jep bukë, të heq nga puna, të gjen punë po partia dhe më e tmerrshmja, partia-qeveri bën edhe videoklip me qytetarin e varfër.

Deputeti i Librazhdit pushtoi mediat për ndihmën që i dha një të aksidentuari. Vetëm prekja e rilindasit deputet e mbajti qytetarin në jetë. Vetëm prania e tij i solli të lënduarit frymën hyjnore që e mbajti gjallë. Deputeti merr edhe këtu protagonizmin. Policia, ambulanca, mjekësia ligjore, ekspertët, teknikët nuk ekzistojnë para partisë, para njeriut të veshur me pushtet, para njeriu të ri komunist. Shteti nuk zgjidh asnjë hall të qytetarëve, por partia. Tipike zgjidhje komuniste. Pra duhet t’i shkruash kryeministrit nëse do të gjesh zgjidhje. Komunikimi i kryeministrit tregon paralizën e institucioneve dhe mungesën e shërbimeve ndaj qytetarëve. Pra, shteti dhe institucionet nuk funksionojnë, por funksionon vetëm partia. Punohet kundër shtetit institucional dhe ndërtohet paralelisht një shtet partiak.

Makina e propagandës kthehet një makinë shantazhuese ndaj punonjësve të administratës. Letrat anonime, ankesat gjoja të qytetarëve, presin koka njerëzish çdo ditë në administratën publike. Dhe vetëm njeriu i ri rilindas që ka edhe timonin edhe tepsinë ngop barkun bosh të qytetarit dhe me timonin e tij i drejton edhe të ardhmen. Tipike komuniste. Për Shqipërinë që duam. Për revolucionin që duam. Për Shqipërinë evropiane . Për fitoren e marksizëm-leninizmit.

Llogaridhënia publike është një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut, ku drejtuesi i partisë shtet u bën gjyq publik, përqesh, tall punonjësit e partisë së tij. Qeveria nuk furnizon dot me mjekë të gjitha spitalet e vendit dhe reklamon si super arritje shërbimin spitalor parti-time të disa mjekëve turistë që ikin nga Tirana në Leskovik, Dibër, Bilisht, Konispol, apo Kukës. Mediatikisht qeveria na shfaq: Dështimi reklamohet si sukses. Masat shtrënguese si arritje. Shtypja si zhvillim. Degjenerimi si emancipim. Varfëria si pasuri. Qeveri e etur për propaganda, pasi zotëron dhe kontrollon të gjitha mediat, krijon media paralele si ERTV dhe e mbush me të dërguarit e tij në të gjitha studiot e tv private e RTVSH. Qeveria nuk dënjon të takojë qytetarët e saj si minatorë, naftëtarë, prodhues, tragtarë, bujq, por bën lidhje direkte me “scype”, duke treguar fytyrën arrogante dhe përçmuese të saj. Qeveria duhet të shtrihet në në terren në çdo cep të republikës, jo online. Qeveria në dobi të krijimit të njeriut të ri rilindas online ka harruar qytetarin real.

Sokol Paja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne