Njeriu që 92-vjeç u bë kryeministër

Nga Hajdar Muneka*

Mahathir Muhamed ka thyer sot një rekord botëror. Në moshën 92 vjeçare është zgjedhur kryeministër i vendit të tij. Ky është edhe një rekord Guinness. Deri tani bota nuk njeh një rast të dytë të këtij lloji.

Mahathir është pa asnjë dyshim njeriu më i shquar i vendit të tij, madje ka qenë i tillë edhe përpara se kjo ngjarje të ndodhte. Ai ka shërbyer si kryeministër i Malajzisë edhe më përpara, madje për 22 vite rresht. Është larguar nga ai post në vitin 2003 me dëshirën e tij dhe kundër dëshirës dhe vullnetit të pjesës më të madhe të popullit të vet me shumicë muslimene, por edhe me shumë kinezë e indianë. Dy racat e fundit përbëjnë rreth 40 përqind të popullsisë të të gjithë vendit.


Kam patur fatin të ndodhesha në sallën e mbledhjeve të UMNO, partia më e madhe në vend, në ditën e fundit kur po zhvillohej ceremonia e mbylljes së punimeve të njërit prej kongreseve të asaj partie. Punimet e kongresit kishin qenë shumë të suksesshme. Partia që kishte ardhur në pushtet që në ditën e parë të shpalljes së pavarësisë së Malajzisë në vitin 1957, vazhdonte të drejtonte vendin e sigurtë përballë një opozite të dobët e pa asnjë shpresë.

Dhe, pikërisht kur delegatët kishin bërë gati të jepnin edhe duartrokitjen e fundit dhe të shkonin në sallën tjetër ku ishte shtruar darka e fitores, Mahathir, asokohe edhe president i Partisë, e lëshoi një bombë që i la të gjithë pa fjalë. Me një zë paksa të dridhur e nën tonet që kërkon një mbledhje kaq solemne, siç mund të jetë një kongres bilanci fitoresh, ui tha të pranishmëve se kishte vendosur të jepte dorëheqjen nga të gjitha postet drejtuese të partisë e të shteti. Madje kjo dorëheqje do të kishte efekt të menjëhershëm, duke filluar nga ai moment. Në bazë të kushtetutës malajziane në raste të tilla zëvendës kryeministri emërohet kryeministër pa qenë nevoja e kalimit në zgjedhje të përgjithshme.


I kam parë me sytë e mi dhjetëra delegatë, midis tyre edhe ministra, të turreshin tek foltorja, të uleshin në gjunjë e të shtriheshin tek këmbët e kryeministrit Mahathir duke iu lutur që të mos e bënte një gjë të tillë.

Atë natë ministria e Jashtme malajziane ka kontaktuar me ambasadën tonë për të kërkuar një leje kalimi mbi hapësirën tone ajrore për një avion qeveritar malajzian, i cili do ta çonte kryemini8strin tashmë të dorëhequr për një muaj pushime në Napoli të Italisë.


Dita tjetër është gdhirë e zymtë për të gjithë Malajzinë. Mijëra vetë kanë bllokuar daljen e vilës së Mahathirit, për të moe e lënë atë të largohet. Pas presioneve që i kanë ardhur nga të katër anët, kryeministri Mahathir e ka shtyrë largimin e tij edhe për disa muaj, deri në tetor të atij viti kur në Kuala Lumpur do të zhvillohej një konferencë ndërkombëtare e nivelit të lartë.

Ndërkohë Mahathir e bëri të qartë edhe arsyen e vërtetë të largimit. Tha se i duhej të largohej sa ishte akoma i fortë me këmbë e me duar. Kishte 22 vite kryeministër. Ishte koha të ndahej mënjanë e të pushonte. Por e tha vetë shprehimisht se nuk dëshironte të largohej nga kjo botë pa e mësuar se cilët e kishin dashur dhe respektuar me të vërtetë dhe cilët ia kishin patur me hile. Ai refuzoi në mënyrë kategorike të gjitha propozimet që i erdhën si nga partia ashtu edhe nga miqtë e afërt për të emëruar nën emrin e tij aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpurit, shkolla, universitete apo institucione të ndryshme. Edhe kjo ishte pjesë e performancës së tij. Thoshte se do të ndjehej shumë më keq ai, ose, kur të mos ishte ai, fëmijët e tij, kur ai emër do të përdhosej.

Ka njëmijë arsye për të thënë se Mahathir është një njeri shumë i zgjuar. Ai e kishte njohur shumë mirë karakterin e njerëzve që e rrethonin, por edhe qenien njerëzore, në përgjithësi. Pa kaluar as gjashtë muaj nga largimi i tij, ata që ishin përjargur tek këmbët e tij kanë qenë të parët që filluan ta sulmonin. Kjo ka habitur të madh e të vogël, por jo Mahathirin. Plaku i mënçur me qetësinë e tij karakteristike u thoshte se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë. Aq i madh ishte sulmi sa u detyrua të largohej nga partia, tëp cilës i kishte kushtuar gjithë jetën e tij.

Ndërkohë personi që ishte në vendin e tij, ishte jo vetëm zgjedhja e Mahathirit, por edhe djali i një kryeministri të mëparshëm të Malajzisë, edhe ai mik i Mahathirit. Naxhip Razak quhet. Ai sot njiohet si personi më i korruptuar i Malajzisë dhe ndoshta ndër personat me pushtet më i korruptuari në botë. Nën udhëheqjen e tij Malajzia nga një dragua i Azisë është kthyer në një vend me një ekonomi të rrënuar. Familja e Razak, dikur ndër më të nderuarat në Malajzi, është kthyer në simbolin e të së keqës.

Në këto kushte, njerëzit, në dëshpërim e sipër, nuk kishin se ku t’i gjenin shpresat, veçse të kujtonin me nostalgji kohën e Mahathir Muhamed, duke thënë se çfarë iku nuk kthehet më. Lëkurëkuqi Mahathir (kështu e thërret veten për shkak të një origjine të vjetër indiane) shkonte sa në një universitet në tjetrin, sa në një shopping center në një tjetër duke takuar e biseduar me njerëz. Pa shofer, pa roje, pa shoqërues. Njerëzit e thjeshtë i luteshin të kthehej për hatërin e tyre. Ata nuk shikonin një person tjetër që mund ta mundte Razakun. Nëse edhe ky nuk e bënte atëhere fundi tragjik po e priste Malajzinë.

Dhe Mahathir guxoi. Vendosi që të mblidhte aq forca sa mund t’i ketë lënë zoti dhe t’i bashkohej opozitës, të cilën ai e kishte luftuar për rreth 50 vjet. Dhe u ngrit kundër partisë së tij, por që nuk ishte më as e tij dhe askujt, me përjashtim të një familjeje, asj të Naxhip Razakut. Dhe, me mbështetjen e popullit fitoi.

Çfarë ka bërë Mahathir për Malajzinë?

Ai e vendosi atë në hartën e botës. Deri vonë askush nuk e njihte me atë emër. Mahathir kishte mendimin se, që të të njohë bota, duhet të bësh diçka të veçantë që të mbetesh në memorien e njerëzve. Kjo e shtyu që në vendin e tij të ndërtonte kullat binjake më të lartat në botë. Gjithashtu ndërtoi edhe një aeroport gjigand, ndër më të mëdhatë në të gjithë Azinë Juglindore. Duke ditur se e gjithë bota është e çmendur pas Formula One, ka investuar shumë që vendi i tij të ishte vendi i parë i organizimit të kësaj gare në gjithë Azinë. Edhe sot kompania Petronas e Malajzisë është një ndër sponsorizueset kryesore të kësaj gare.

Në Malajzi kanë qendrat e tyre për gjithë Azinë Juglindore pjesa më e madhe e prodhuesve japonezë të elektronikës. Ajo është ndër prodhueset kryesore botërore të kauçukut e të vajit të palmës. Mahathir është i njohur edhe për përzënien nga vendi i tij pa të drejtë kthimi të supermiliardierit amerikano – çifut Soros, të cilin e ka akuzuar si shkaktar kryesor të krizës financiare të viti 1997 si dhe të FMN. Askush që e njeh nuk dyshon se pa mendjen e tij të ndritur Malajzia do të ishte krejt ndryshe.


Mahathir është edhe një mik i Shqipërisë. Ai flet me simpati të veçantë për vendin tonë, të cilin e ka vizituar disa herë, madje edhe në vitet e fundit. Me inisiativën e tij ka ardhur në Tiranë kompania që ndërton tek Kthesa e Kamzës si edhe Banka Ndërkombëtare Tregtare. Ka qenë gjithashtu inisiativa e tij për sponsorizimin e një pjese të shpenzimeve të përfaqësisë shqiptare në Kuala Lumpur, e cila prej disa vitesh është mbyllur.

Kthimi i Mahathirit 92 vjeçar në postin e lartë të kryeministrit të vendit të tij është një inkurajim për të gjithë ata njerëz që nuk e kanë humbur akoma shpresën. Por edhe një këmbanë kujtese për të gjithë ata që kujtojnë se e kanë kaluar lumin njëherë e përgjithmonë. Në konferencën e tij të parë për shtyp Mahathir tha se nuk kishte ndërmend të hakmerrej ndaj Naxhip Razakut. Por aq sa e njoh unë realitetin e atij vendi Razak shumë shpejt do të jetë në burg, ndoshta aty do t’i kalojë të gjitha vitet e jetës që i kanë mbetur./ Dritare.net

*Ish Ambasador i RSH në Malajzi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne