Kultura Shqiperia

Njoftim për media mbi viziten e Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë Kiril

Njoftim për media nga prifti Aleksandër Volkov, zëdhënësi
i Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë Kiril.

Më 26 prill 2018 

Në datat 28-30 prill, me ftesë të Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Anastas, Patriarku Fort i Shenjtë i Moskës dhe i gjithë Rusisë Kirili do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Shqipëri. Dy Kishat kanë shumë dekada që ruajnë marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën, ku kontribuon edhe përvoja e ngjashme e persekutimeve kundër fesë në shekullin XX. Dhe aktualisht Kishat tona mbajnë qëndrime të përbashkëta në përgjigje të sfidave të ditëve të sotme.

Na vjen mirë të shohim ringritjen e jetës fetare në Shqipëri, gjë që pa dyshim po jep fryte të mira për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Gjatë vizitës së tij Patriarku Fort i Shenjtë Kirili do të ketë mundësi për të komunikuar vëllazërisht me Primatin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Kryepeshkopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë Anastas, me të cilin ka lidhje të hershme miqësore. Dy Primatët bashkë me hierarkët dhe klerikët do të zhvillojnë Liturgjinë Hyjnore në Katedralen kryesore të Kishës Shqiptare. Gjithashtu, programi i vizitës parashikon vizitën e Patriarkut Fort të Shenjtë Kiril në Manastirin e Shën Vlashit dhe Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Siç pritet, Shenjtëria e Tij do të mbajë edhe takime me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar.