Njofton përdoruesit kur ndodhen afër njerëzve me COVID-19, Franca shqyrton përdorimin e aplikacionit të gjurmimit. Debate për privatësinë

Parlamenti i Francës voton javën e ardhshme në lidhje me planet për të përdorur një aplikacion të debatueshëm gjurmues për të ndihmuar në luftimin e koronavirusit, ndërsa vendi po përgatitet për lehtësimin e masave kufizuese muajin tjetër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton nga Parisi se aplikacionet e këtij lloji kanë ngjallur shqetësime për privatësinë në Francë dhe në shumë vende të tjera të Evropës.

Ministri Francez i Teknologjisë, Cedric O thotë se aplikacioni do të njoftojë përdoruesit e telefonave inteligjentë kur ata ndodhen afër njerëzve të infektuar me COVID-19, dhe me këtë informacion ndihmon autoritetet të zvogëlojnë përhapjen e pandemisë.

Në një video të partisë në pushtet, të shfaqur në faqen saj në Facebook, Ministri O tha se aplikacioni i quajtur “Stop COVID” do të respektojë plotësisht liritë e individit. Ai tha se përdorimi i aplikacionit do të jetë plotësisht në baza vullnetare dhe anonime.

Ai gjithashtu tha se kjo do të jetë një masë e përkohshme, që do të skadojë pas përfundimit të pandemisë.
Qeveria synon të fillojë përdorimin e aplikacionit më 11 maj, në datën që ajo ka vendosur të fillojë lehtësimin e masave kufizuese dy mujore. Fillimisht autoritetet franceze njoftuan se do të zhvillohej një debat parlamentar mbi teknologjinë. Por kjo është ndryshuar në votim, pas një reagimi të madh nga ana e ligjvënësve.

Kritikët e aplikacionit përfshijnë anëtarët e partisë në pushtet si Guillaume Chiche, i cili i tha Televizionit Francez se aplikacioni do të zbulonte gjendjen shëndetësore të njerëzve dhe do të çonte në diskriminim dhe përjashtim.

Ai nuk është i vetmi që ka shprehur shqetësim.
“Ne mendojmë se është shumë e rrezikshme që qeveria t’i thotë popullit francez se zgjidhja për këtë problem do të jetë ky lloj aplikacioni”, tha Benoit Piadallu.

Zoti Piedallu është anëtar i “La Quadrature du Net”, një grup që mbron të drejtat dhe liritë dixhitale. Ai përmendi një seri problemesh të mundshme, nga cënimi i mundshëm i lirive të individit nga ky aplikacion, deri në faktin se ai mund të mos funksionojë në mënyrë efektive.

“Ne mendojmë se aplikacioni dixhital nuk është përgjigja e duhur për këtë problem. Qeveria duhet të blejë maska, të ndërtojë spitale të reja. Ka shumë zgjidhje të tjera më të mira se sa një aplikacion”, tha ai.

Një sondazh i kohëve të fundit tregonte se 80 për qind e të anketuar francezë thanë se ata do të ishin të gatshëm ta shkarkonin aplikacionin. Por zoti Piedallu beson se numri i atyre që me të vërtetë do ta përdornin atë ka të ngjarë të jetë shumë më i vogël dhe shumë të moshuar, grupi më i rrezikuar nga koronavirusi, nuk kanë telefona inteligjentë.

Franca nuk është i vetmi vend evropian që po punon për përdorimin e aplikacioneve gjurmese. Edhe Gjermania fqinje po shqyrton këtë mmundësi, duke nxitur debate të ngjashme për të drejtat e njeriut dhe privatësinë. Mediat njoftojnë gjithashtu se qeveria franceze po inkurajon kompaninë Apple që të lejojë aplikacionin të punojë në iPhone-et e saj pa masa të integruara të privatësisë./VOA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne