Bota

“Nord Stream II do të vazhdojë edhe përkundër sanksioneve amerikane”

Interesi i fortë i ndërsjellë nga Rusia dhe Evropa Perëndimore për të realizuar projektin e gazit natyror Nord Stream II (Rrjedha e Veriut) do ta çojë përpara projektin dhe do të sigurojë përfundimin e tij, tha të enjten Igor Jusufov, ish-ministri i energjisë i Rusisë.

Jusufov, i cili është gjithashtu themelues i kompanisë për investime në Moskë, Fund Energy, tha për Anadolu Agency (AA) se Nord Stream II do të mundësojë siguri energjetike për kombet evropiane.

Projekti Nord Stream II u njoftua më 18 qershor 2015, kur Shell, Gazprom i Rusisë, E.ON dhe BASF të Gjermanisë së bashku me OMV-në austriake nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e projektit, i cili do të shtojë dy tubacione shtesë në projektin origjinal Nord Stream.

Projekti ka në plan që të ketë një kapacitet prej 55 miliardë metra kub në Evropë në vit për të siguruar rrjedhje të mjaftueshme të gazit nga Rusia në Gjermani përgjatë Detit Baltik për të furnizuar 26 milionë familje në rajon.

Megjithatë, të mërkurën presidenti amerikan, Donald Trump, ligjësoi një projektligj që imponon sanksione ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj të dyshuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, edhe pse shprehu kundërshtime të mëdha ndaj dispozitave të saj, ndërsa veprimi i tij sfidoi palët e përfshira në projekt dhe vuri në pikëpyetje realizimin e projektit.

Trump kritikoi Kongresin dhe shpalosi rezervat e tij për projektligjin në një deklaratë të gjatë kur ai njoftoi vendimin e tij për ta nënshkruar projektligjin. Trump e përshkroi projektligjin si “tejet të mangët” për shkak të “dispozitave të tij jokushtetuese”.

“Unë jam i sigurt se ato (sanksionet) do të reflektojnë në radhë të parë disa polemika brenda politikës amerikane,” tha Jusufov.

Ish-ministri vuri në dukje se sanksionet përfshijnë tregun rus të energjisë dhe bashkëpunimin me kompanitë evropiane për projektet e tubacionit si Nord Stream II.

“Veçanërisht pasi që furnizimi me këtë tubacion ka gjasa të jetë shumë më i lirë sesa gazi që do t’i nënshtrohet dy herë një procedure të shtrenjtë teknologjike të lëngëzimit dhe rikuperimit, dhe gjithashtu do të transportohet edhe nëpër oqean”, tha ai.

Interes i fortë i përbashkët

Një numër i madh i kompanive energjetike të Evropës Perëndimore janë të përfshira në projektin e Nord Stream II, ndërsa ekziston gjasa që sanksionet të dëmtojnë interesat e tyre, shpjegoi Jusufov.

Ai shtoi se të premten, ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, shprehu shqetësimet e tij mbi sanksionet e SHBA-ve kundër Rusisë dhe paralajmëroi kundër përdorimit të tyre si një mjet për të dëmtuar kompanitë evropiane.

“Presidenti Trump e di këtë, dhe po kështu edhe Departamenti i Shtetit dhe administrata e SHBA-ve. Politikat e sanksioneve nuk janë as mjet i përshtatshëm dhe as instrument i përshtatshëm për promovimin e interesave kombëtare të eksportit dhe sektorit të brendshëm të energjisë”, tha Gabriel të premten.

Sanksionet e miratuara nga Trump gjithashtu kërcënojnë bizneset e kompanive të mëdha gjermane të energjisë me Rusinë.

Sanksionet përfshijnë masa të mundshme kundër kompanive që japin mbështetje financiare ose teknologjike për tubacionet e eksportit rus të energjisë.

Kompanitë gjermane kanë shprehur shqetësime për pasojat e mundshme të gazsjellësit të planifikuar Nord Stream II mes Rusisë dhe Gjermanisë.

Gabrieli prej kohësh e ka favorizuar projektin Nord Stream II dhe lidhje më të ngushta ekonomike me Rusinë, si një mënyrë për të fituar ndikim politik mbi Moskën.

“Gjithsesi, pasi që ka interes të përbashkët si nga Rusia, ashtu edhe nga ana e Evropës Perëndimore në suksesin e projektit të Nord Stream II, unë do të pajtohem me presidentin Putin: projekti i lindur si pasqyrim i interesit të ndërsjellë ekonomik është në përputhje të plotë me parimet e ekonomisë së tregut për të cilën zotohen SHBA-të”, tha Jusufov.

“Kështu që unë nuk do të dyshoj që Nord Stream II do të realizohet dhe do t’i shërbejë kauzës së sigurisë energjetike të kombeve evropiane”, shtoi ai.

Projekti i gazit natyror Nord Stream II përbëhet nga një sistem i dy linjave të tubacioneve në det të hapur, 1.224 kilometra përgjatë Detit Baltik, nga Rusia në Gjermani./ AA

OPINIONE

INTERVISTA