Nuk i dhatë timonin, por butonin!

Nga Poli Hoxha

Një lavatriçe gjigante për pastrimin e parave të drogës, koncesioneve dhe atyre të krimit të organizuar, po vihet me shpejtësi në punë. Butoni është shtypur dhe Shqipëria në katër vitet që vijnë, ashtu si edhe premtoi pas fitores absolute Edi Rama, do të kthehet në një kantier ndërtimi. Plani është i shumëfishtë; “projekti 1 milard në vit” si borxh nga bankat, ndërtime veprash infrastrukturore nga “kompani” shqiptare të cilat nuk i kanë marrë përsipër as gjigantët kinezë dhe qershia mbi tortë; sektori i ndërtimit. Në krye të këtij operacioni janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe disa nga kryebashkiakët socialist, të qyteteve më të mëdha. Shumë shpejt do të shohim, se si miliardat e drogës (thërrasin të gjithë hashashi-hashashi, por kokaina dhe heroina po bën kërdinë në Shqipërinë, si nyje kryesore tranziti), të korrupsionit dhe koncesioneve do të sistemohen si investime të ligjshme.

Skema është e gjerë, por le të mbetemi te një pjesë e saj; sektori i ndërtimit. Në vitin 2015 Edi Rama nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, do të ndalonte të gjitha ndërtimet në vend. Në këtë VKM thuhej qartë, që nuk do të lejoheshin ndërtime të cilat nuk do të ishin të rëndësishme dhe në funksion publik. Ky moratorium korrespondon me kohën kur në krye të bashkisë së Tiranës, (zonë ku edhe ndërtohet, më shumë se në të gjithë qytet bashkë) erdhi Erion Veliaj dhe emra të tjerë të Rilindjes, në qytetet kryesore të Shqipërisë. Dukej sikur kishte marrë fund, epoka e betonizimit dhe e, “ndërtojmë për të ndërtuar”. Por viti 2016 do të shënjonte, një ndryshim të madh plani. Vendi ju la në dorë mafies së drogë, e cila arriti të realizojë sipërmarrjen më legale kriminale, që ka njohur Europa. Tashmë shërbimet inteligjente shqiptare dhe të huaja e dinë që investitor aty, nuk ishte vetëm bota e errët e krimit, por edhe biznesi shqiptar e i huaj dhe segmente të shtetit. Një nga pikat më të forta të Veliajt gjatë fushatës për të qenë në krye të bashkisë së kryeqytetit, ishte premtimi për “zero leje ndërtimi”, gjatë mandatit të tij të parë. Në 9 Qershor të vitit 2015 ai e ka paraqitur këtë projekt në studion e “Opinion” ku ka mbrojtur fort tezën se me firmën e tij, nuk të ketë leje ndërtimi. Plot pasion Veliaj fliste atëherë, për një qytet të mbingopur nga betoni. Me pompozitet premtonte se do ti jepte fund manisë për të ndërtuar pallate shumëkatëshe, veçanërisht në qendër. “Dua të mbahem mend si një njeriu, që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate”, deklaronte plot patos vetëm dy vite më parë, Erion Veliaj. Ndoshta e ka pasur seriozisht këtë synim të jetës atëherë, por siç e thamë më lartë, 2016-ta, do të shënonte me kanabisin një ndryshim plani. Në fakt për çfarë do të mbahet mend në të vërtetë ai, së bashku me Edi Ramën, pionier i betonizimit të Tiranës?

Për projektimin dhe vënien në punë të një lavatriçeje pastrimi, qindrafish më të madhe se ajo e Vangjushit në Durrës. Kjo është e sigurt. Se çfarë po ndodh në realitet, e gjejmë zyrtarisht së fundmi në të dhënat e EUROSTAT dhe INSTAT: Shqipëria (veçanërisht Tirana) është kampione absolute në Europë, për leje ndërtimi gjatë vitit të fundit të mbyllur kalendarik, 2016! Në një shkrim të datës 7 Korrik, “Monitor” ka kalkuluar të dhënat mes institucionit qendror europian të statistikave dhe atij shqiptar, (që varet nga qeveria) dhe ka arritur në një përfundim katastrofik: Shqipëria e varfër ka një bum historik në sektorin e ndërtimit, për vitin 2016, me një rritje eksponenciale në rang europian. Kështu sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim, ose një rritje me 167 për qind! Vini re! Lejet e ndërtimit në një vend që ka edhe një moratorium ndalimi kanë qenë rreth 17 herë më të larta, se mesatarja evropiane. Bëhet edhe më “absurd” ky bum lejesh ndërtimi kur dihet që Shqipëria futet ndër vendet me sipërfaqe të vogël të shfrytëzueshme dhe nga ana tjetër projeksionet e shtimit të popullsisë (Sipas OKB pas 90 vitesh në Shqipëri do të jetojnë, 1.2 milion persona më pak) flasin për tkurrje të vazhdueshme, gjatë gjithë shekullit në vazhdim. Absurditeti në dukje i këtij trendi të dhënieve pa karar të lejeve të ndërtimit nga Rama dhe Veliaj bëhet edhe më i fortë kur mëson, që nga ana tjetër shumë vende të Europës, pikërisht ato më të zhvilluarat, edhe pse po përballen me shtim të popullatës prej emigracionit nga vendet e Lindjes se Mesme dhe atyre të Afrikës së Veriut, japin rreth 17 herë më pak leje! Ky paradoks i madh, nuk mund të ketë asnjë lloj tjetër shpjegimi, përveçse legalizimit të parave të botës së errët, korrupsionit dhe makutërisë për të përfituar në kurriz të hapësirave të lira të qytetarëve. Miliardat e zeza shqiptare të identifikuara nga shërbimet më të mëdha ndërkombëtare të inteligjencës, duhen sistemuar me shpejtësi. Prandaj përveç lejeve të dhëna deri më tani për të cilat flet INSTAT dhe Eurostat është bërë fakt i kryer, edhe ndërtimi i shpejtë i të paktën 15 kullave shumëkatëshe në Tiranë, tre prej të cilave do të hedhin themelet që këtë vit. Vetë INSTAT njofton, se vetëm në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m 2, nga të cilat 43 leje ishin në Tiranë. Është e qartë, që lavatriçeja për pastrimin e miliardave ka nisur punë me kapacitet të plotë. Logjikë tregu nuk ka dhe pikë. Misteri i thënies së famshme të Edi Ramës, “nuk keni parë asgjë akoma”, po zbulohet me shpejtësi. Zoti e ruajt Shqipërinë e Amerikës Latine, aty ku gjen qytete ku poshtë hijeve të pallateve gjigante ku nuk banon njeri, jetojnë mijëra të pastrehë… Më 25 Qershor nuk i dhatë timonin, por butonin e një lavatriçeje gjigante me para!/ shekulli

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne