Nuk është teori konspiracioni: Telefoni juaj me të vërtetë ju vrojton, thonë kërkimet

Nëse keni pasur ndonjëherë dyshimin se telefoni juaj mundet që t’ju vrojtojë, hulumtimet e reja tregojnë se nuk paskeni qenë paranojak.

Shkencëtarët hulumtues në Universitetin Northwestern të Bostonit kaluan një vit duke u përpjekur të përcaktojnë nëse aplikacionet e smartfonave regjistrojnë në fshehtësi bisedat tona private për ti dërguar më vonë të dhënat personale tek reklamuesit.

Për fat të mirë, studiuesit nuk gjetën ndonjë dëshmi për të mbështetur këtë teori. Megjithatë, ata ngecen në një tjetër informacion shqetësues: Ndërkohë që telefoni juaj mundet që të mos ju dëgjojë, në të vërtetë ai ju shikon.

Studimi konfirmon se aplikacionet e smartphonave regjistrojnë pamjet video të ekraneve tona, dmth screenshotet e aktivitetit tonë dhe pastaj i kalojnë regjistrimet e ekranit tek palët e treta. Regjistrimi sekret fikson edhe informacionet personale, madje edhe kodet personale.

Hulumtuesit e Bostonit testuan 17,260 aplikacione të njohura të sistemit android, shumë prej të cilave janë në pronësi të Facebookut nga të cilat 8,000 prej tyre i dërgojnë informacionet direkt në Facebook. Studimi gjeti se më shumë se gjysma e aplikacioneve të shqyrtuara hynin lirshëm në kamerat dhe mikrofonët e përdoruesve, gjë që do të thotë se ato mund ti aktivizonin ato veçori në çdo kohë kur aplikacioni të ishte i hapur.

Shkencëtarët përdorën një sistem të automatizuar për të bashkëvepruar me aplikacionet, i cili vëzhgonte çdo material që dërgohej prej tyre – veçanërisht tek palët e treta. Ishte rrjedha e kërkimit të skedarëve audio që i çoi kërkuesit tek zbulimi, ku screenshotet dhe regjistrimet video u dërgoheshin palëve të treta.

Kur një nga telefonat e studimit përdorte një aplikacion të quajtur GoPuff që përdorej për shpërndarjen e ushqimeve, informacionet e interaksionit të telefonit me aplikacionin tregonin se regjistrimet dërgoheshin në një palë të tretë që lidhej me kompaninë Appsee. Regjistrimi i dërguar kompanisë përfshinte edhe screenshotet e bëra, madje edhe screenshotet e përdoruesit të cilat ishin bërë kur personi kishte futur kodin postar për ofrimin e ushqimit.

Studiuesit vunë në dukje se kompania Appsee nuk ndihej e turpëruar për aftësinë e saj për të regjistruar aktivitetin e përdoruesit, të cilin kompania e shfaqte në faqen e vet të internetit. Ata thonë se problemi qëndron se ky aktivitet nuk u bëhej e qartë përdoruesve përmes politikave të privatësisë së aplikacionit GoPuff. Kur GoPuff u kontaktua nga hulumtuesit, ajo shtoi një detaj në aplikacion ku bëhej e qartë para instalimit se aplikacioni kishte qasje edhe në të dhënat personale.

Appsee në anën tjetër, pohoi se ishte GoPuff që ishte në faj dhe tha se aplikacioni i shpërndarjes se ushqimit e kishte “keqpërdorur” teknologjinë e tij dhe se kushtet e shërbimit të Appsee ishin shkelur. Drejtori ekzekutiv i Appsee, Zahi Boussiba tha se kompania i ndalon klientët e vet që të gjurmojnë të dhënat personale dhe tha se Appsee menjëherë i kishte caktivizuar aftësitë e gjurmimit dhe i kishte fshire të gjitha regjistrimet nga serverët e vet.

Hulumtuesit pritet që ti paraqesin gjetjet e tyre të plota në Konferencën e Simpoziumit për Rritjen e Privatësisë që do të mbahet në Barcelonë muajin e ardhshëm.

Për shkak të faktit se telefonat e hulumtimit operoheshin nga sisteme të automatizuar dhe jo nga njerëzit, hulumtuesit thanë se nuk ishin plotësisht të sigurt se telefonat nuk mundet që edhe të dëgjonin bisedat gjithashtu.

Ata shpjeguan se kjo ndodh pasi aplikacionet nuk mund të jenë aktivizuar tërësisht në të njëjtën mënyrë sic do të aktivizoheshin nga njerëzit. Ata gjithashtu pranuan se ishte ende e mundur që ata të kishin humbur rastet e regjistrimeve audio para se aplikacionet ti kishin transkripuar ato para dërgimit tek palët e treta.

Pra, nuk mund ta përjashtojmë plotësisht idenë se telefonat tanë jo vetëm që na vrojtojnë por edhe na dëgjojnë./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne