Opinion

Nuk janë njerëzit armiku: Anarkia e policisë në Amerikë

Gjithçka po rrëzohet; qendra nuk mund të mbajë;
Anarkia e pastër ka marrë kontrollin mbi botën,
Rrjedha e gjakut të turbullt është liruar, dhe kudo
Ceremonia e pafajësisë është mbytur.

-William Butler Yeats, “Ardhja e Dytë”

Gjithçka po rrëzohet.

Nuk mund të them se edhe sa gjatë ne do ta mbështesim trillimin që jetojmë në një republikë kushtetuese, por anarkia ka marrë kontrollin mbi kombin.

Ne jemi dëshmitarë të shpërbërjes së ëndrrës amerikane mbi padrejtësinë në këtë kohë.

Ditë pas dite, krimet e qeverisë kundër qytetarëve bëhen më të egra, më të pabesa dhe më tragjike. Dhe ditë pas dite, populli amerikan zgjohet pak më shumë për të kuptuat që ata janë bërë robër në një burg që e ndërtojnë vetë. Nuk jemi më njerëz të lirë, tani jemi të shtyrë dhe të nxitur dhe të mbikëqyrur nga roje të armatosura të dyshimta, të tejndjeshme dhe të frikshme, që u intereson shumë pak për të drejtat, humanitetin apo mirëqenien e atyre që janë në kujdesin e tyre.

Numri i të vdekurve është në rritje. Kërdia të thyen zemrën. Besimi i publikut në qeverinë që bën punën e vet – që është mbrojtja e lirive tona – po përkeqësohet.

Me drejtësinë alarmante, burrat e paarmatosur, gratë, fëmijët dhe madje edhe kafshët shtëpiake janë duke u qëlluar nga policia që godet në fillim dhe bën pyetje më vonë, dhe gjithçka që qeveria bën është ngritja e supeve dhe premtimi për të bërë më mirë.

Gjërat nuk po përmirësohen.

Justine Damond ka vdekur. Instruktorja 40-vjeçare e jogas u qëllua dhe u vra nga policia e Mineapolisit, për shkak se ata u alarmuan nga një zhurmë e madhe në afërsi, teksa ajo po i afrohej makinës së tyre të patrullimit. Damond, e veshur me pizhame, kishte thirrur 911 (policinë) për të raportuar një sulm të mundshëm në lagjen e saj.

Ismael Lopez ka vdekur. Mekaniku 41-vjeçar u qëllua dhe u vra nga policia e Misisipit, e cila shkoi në një adresë të gabuar duke kërkuar një të dyshuar në lidhje me një rast të rëndë të dhunës në familje. Policia goditi gjithashtu edhe qenin e tij, i cili kishte dalë nga shtëpia para tij.

Mary Knowlton ka vdekur. Bibliotekarja 73-vjeçare e dalë në pension u qëllua dhe u vra nga policia e Floridës gjatë një skenari me role “qëllo / mos qëllo”, kur polici pa dashje përdori një armë të mbushur të destinuar për stërvitje.

Sam DuBose ka vdekur. Rreperi 43-vjeçar i paarmatosur u qëllua në kokë dhe u vra nga një oficer policie i Universitetit të Sinsinatit gjatë një ndalese në trafik, për shkak të mungesës së targës.

Andrew Scott ka vdekur. Megjithëse pronari 26-vjeçar i shtëpisë nuk kishte kryer kurrfarë krimi dhe nuk kishte gjuajtur asnjëherë një plumb të vetëm, apo të kishte drejtuar armën e tij të zjarrit kundër policisë, ai u qëllua nga policia e Floridës, e cila po hetote një incident shpejtësie me teknikën “Trokit dhe flit” në mes të natës në kompleksin e apartamentit të Scottit.

Richard Ferretti ka vdekur. Kuzhinieri 52-vjeçar u qëllua dhe u vra nga policia e Filadelfias gjatë përpjekjes për të gjetur një vend parkimi. Policia ishte duke hetuar për një Dodge Caravan të purpurt që po ngiste në mënyrë të “dyshimtë” nëpër lagje.

Fritz Severe ka vdekur. 46-vjeçari i pastrehë u qëllua pesë herë dhe u vra nga policia e Majemit para më shumë se 50 nxënësve që po mernin pjesë në një kamp veror aty afër, vetëm për shkak se ai u pa duke mbajtur një tub metalik.

Jordan Edwards ka vdekur. 15-vjecari në shkollë të mesme ishte ulur në vendin e pasagjerëve të një makine që po largohej nga një party në shtëpi, kur policia e Dallasit, duke pretenduar se kishte dëgjuar të shtëna armësh, theu dritaren e makinës në lëvizje dhe e qëlloi të riun në kokë. Dy vëllezërit e Edwards, gjithashtu në makinë, e panë teksa vdiste. Asnjë armë nuk u gjet.

Charleena Lyles ka vdekur. Shtatzëna 30-vjeçare, nëna e 4 fëmijëve, kishte thirrur policinë për të raportuar një njësi të vjedhur Xbox-i. Ajo u qëllua dhe u vra nga policia e Sitëllit pasi kjo e fundit mbërriti në shtëpinë e saj dhe e gjeti atë me thikë në dorë.

Në secilin prej këtyre skenarëve, policia mund të kishte përdorur taktika më pak vdekjeprurëse.

Ata mund të kishin vepruar me arsye dhe llogaritje në vend që të reagonin me një instinkt vrasës.

Ata mund të kishin tentuar të de-eskalonin situatën dhe të zbusnin çfarëdo “kërcënimi” të perceptuar që i bënte ata të kishin aq frikë për jetën e tyre sa të reagonin me forcë vdekjeprurëse.

Fakti që policia në vend të kësaj vendosi t’i zgjidhë me vdekje këto takime duke përdorur armët kundër qytetarëve, flet shumë për atë që nuk shkon me policinë në Amerikë sot, ku oficerët e policisë janë duke u veshur me pajimet e luftës, duke u stërvitur me artin vdekjeprurës të luftimit dhe duke u trajnuar për ta parë “çdo individ me të cilin ata ndërveprojnë si një kërcënim të armatosur, dhe çdo situatë si një forcë vdekjeprurëse në ballafaqim”.

Mos harroni, për një çekiç, e gjithë bota duket si një gozhdë.

Sidoqoftë, nuk është puna thjesht që ne po gozhdohemi gjithnjë e më shumë.

Ne po vdesim, me stilin e ekzekutimit.

Nuk ka më rëndësi nëse jeni i pafajshëm apo fajtor për ndonjë keqbërje: kur keni të bëni me një polici që më parë qëllon dhe më pas merr në pyetje, proçesi i duhur – sigurimi kushtetues i një gjyqi të drejtë para një jurie të paanshme – nuk do të thotë asgjë.

Të gjithë individët, të cilët janë qëlluar dhe vrarë nga policia – të qëlluar tre, katër dhe pesë herë në një sekond – tashmë janë gjykuar, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me vdekje. Dhe në atë sekond të vendosjes nëse do të qëllojmë dhe se ku do të qëllojmë, oficerët e policisë të vendit janë vetëemëruar gjykatës, juristë dhe xhelatë mbi bashkëqytetarët e tyre.

Në këtë mënyrë, ne shihemi as më pak e as më shumë si kafshë, dhe trajtohemi si të tillë.

Në fakt, ne jemi duke u qëlluar si qenër.

Konsideroni se “çdo 98 minuta” një qen qëllohet nga një oficer policie.

Departamenti i Drejtësisë vlerëson se të paktën 25 qenë vriten çdo ditë nga policia.

Spike, një Pitbull 32 kilogramësh, u qëllua nga policia e NY kur ata e ndeshën qenin në korridorin e një pallati në Bronks. Kamerat e mbikqyrjes tregojnë qenin teksa tund bishtin, pikërisht përpara se një oficer ta godiste atë në kokë.

Arzy, një qen 14-muajsh, përzierje e racave Njufaundlend, Labrador dhe qen gjahu, u qëllua në mes të syve nga një oficer i policisë në Luiziana. Qeni ishte i lidhur në kohën kur u qëllua. Një dëshmitar tha se qeni nuk i dha oficerit asnjë shenjë provokimi për ta qëlluar atë.

Seven, një qen St.Bernard, u qëllua në mënyrë të përsëritur nga policia e Konektikatit në prani të pronarit 12-vjeçar të qenit. Policia, duke hetuar një alarm të rremë, kishte hyrë në pronë – pa urdhër – ku qeni dhe pronari i tij kishin qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, duke shkaktuar ndjekjen nga qeni.

Dutchess, një qen shpëtimtar 2-vjeçar, u qëllua tri herë në kokë nga policia e Floridës ndërsa doli me vrap jashtë derës. Zyrtari po i afrohej shtëpisë për të informuar banorët se dera e makinës së tyre ishte e hapur, kur qeni kapërceu për ta përshëndetur.

Yanna, një bokser 10-vjeçar, u qëllua tre herë nga policia e Xhorxhias pasi ata hynë në shtëpinë e gabuar dhe hapën zjarr, duke vrarë qenin, duke qëlluar pronarin e shtëpisë në këmbë dhe duke plagosur një oficer hetues.

Shikoni ku qëndron çështja: nëse do ta stërvisni policinë për të qëlluar njëherë dhe pastaj për të bërë pyetje – qoftë kafshë familjare, fëmijë me një armë lodër apo plak me bastun – ata do të qëllojnë për të vrarë.

Kjo është pasoja e mësimit të policisë për të menduar skenarin më të keq dhe për të reaguar me frikë ndaj çdo gjëje që përbën qoftë edhe kërcënimin më të vogël (imagjinar ose real). Kjo është pasoja e mësimit të policëve për ta parë veten si ushtarë në një fushë beteje, dhe ata për të cilët duhet të shërbejnë, si luftëtarë armiq. Ky është rezultati përfundimtar i një sistemi të njëanshëm të drejtësisë penale, që nuk e bën qeverinë dhe agjentët e saj të përgjegjshëm për sjellje të pahijshme.

Pavarësisht nëse jeni duke folur për policinë që qëllon qenin apo qytetarët, mendësia është e njëjtë: një nxitim drejt dhunës, një shpërdorim i pushtetit, frikë për sigurinë e oficerit, trajnim i dobët për mënyrën e de-eskalimit të një situate, dhe pakujdesi e përgjithshme.

Kjo është e njëjta mendësi që nuk sheh asgjë të keqe te qytetarët amerikanë që iu nënshtrohen kërkimeve me shirita në rrugë, marrjeve të dhunshme të gjakut, mbikëqyrjeve invazive, eksperimenteve sekrete të qeverisë dhe taktikave të tjera moralisht të dënueshme.

Për fat të keq, kjo është një mendësi që po lulëzon brenda shtetit policor amerikan të kontrolluar nga qeveria e të udhëhequr nga ushtria.

Pra, çfarë duhet bërë për gjithë këtë?

Në thelb, bëhet fjalë për trajnim dhe llogaridhënie.

Bëhet fjalë për dallimin mes oficerëve të policisë që rendisin sigurinë e tyre personale mbi gjithçka, dhe oficerëve të tjerë të policisë që e kuptojnë se puna e tyre është të shërbejnë dhe mbrojnë. Bëhet fjalë për dallimin midis policëve që janë trajnuar për të qëlluar për vdekje dhe policëve të trajnuar për të zgjidhur situatat në mënyrë paqësore. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për dallimin mes policëve që besojnë se ligji është në anën e tyre dhe policëve të cilët e dinë se do t’u merret llogari për veprimet e tyre nga i njëjti ligj si të gjithë të tjerët.

Për fat të keq, gjithnjë e më shumë policë janë duke u trajnuar për ta parë veten të veçantë nga qytetarët, për ta parë autoritetin e tyre si superior ndaj qytetarëve dhe për ta parë jetën e tyre si më të çmuar sesa jetët e homologëve të tyre qytetarë. Në vend që të mësohen ta shohin veten si ndërmjetësues dhe paqebërës, armët vdekjeprurëse të së cilëve duhet të përdoren si një mjet i fundit, ata po stërviten për të vepruar si njerëz të armatosur me instinkt vrasës që qëllojnë për të vrarë e jo thjesht për të paralizuar veprimet e personit përballë.

Si rezultat, ne po i afrohemi humnerës.

Kjo krizë policore është shumë më e menjëhershme dhe më e rëndësishme sesa lufta e ashtuquajtur e qeverisë kundër terrorizmit apo drogës.

Ky nuk është më një debat mbi policët e mirë dhe policët e këqinj.

Është një tërheqje litari midis republikës kushtetuese që themeluesit e Amerikës synonin, dhe shtetit policor që jemi duke u bërë shumë shpejt.

Pra, si mund ta rregullojmë atë që është thyer, të ndalim goditjet e pakuptimta me armë dhe të sjellim reforma të qëndrueshme?

Si fillim, mjaft me taktikat e frikësimit. Në të njëjtën mënyrë që qytetarët amerikanë po mbështillen nga një klimë e frikës ndaj një qeverie që e di saktësisht se cilat butona duhet të shtypë për të fituar bashkëpunimin dhe pajtueshmërinë e publikut, punonjësit e policisë gjithashtu po indoktrinohen me psikologjinë e frikës. Përkundrejt propagandës që po transportohet nga qeveria dhe sindikatat e policisë, policia sot po përjeton më pak viktima në punë se kurrë.

Së dyti, niveloni fushën e lojës. Jetët e policisë nuk janë më të vlefshme se ajo e çdo qytetari tjetër. Pavarësisht nëse kanë armë, policët janë nëpunës publikë si të gjithë zyrtarët e tjerë të qeverisë, që do të thotë se ata punojnë për ne. Derisa policia ka të drejtën e çdo mbrojtjeje të ofruar sipas ligjit, njësoj si çdo qytetar tjetër, atyre nuk u ofrohet asnjë privilegj i veçantë. Ata sigurisht që nuk duhet të mbrohen nga përgjegjësia për sjellje të pahijshme nga gjykatat dhe legjislaturat.

Së treti, kërkoni që punonjësit e policisë të trajnohen me taktika jo vdekjeprurëse. Sipas New York Times, regjimet e trajnimit në pothuajse të gjitha akademitë e policisë së vendit vazhdojnë të mëshojnë në stërvitjet e stilit ushtarake, me oficerin e ri të mesëm që i nënshtrohet 58 orëve të trajnimit me armë zjarri dhe 49 orëve trajnimi taktik mbrojtës, por vetëm tetë orëve trajnim de-eskalimi. Nëse oficerët e policisë po marrën leksione se si të gjuajnë, të gjymtojnë dhe të vrasin, a nuk duhet të trajnohen edhe në forcën jo vdekjeprurëse, në trajnime se si të merren me të sëmurët mendorë, në teknikat e de-eskalimit për të përdorur nivelin më të ulët të mundur të forcës kur t’i përgjigjen kërcënimit, dhe si t’i respektojnë të drejtat kushtetuese të bashkëqytetarëve të tyre?

Së katërti, hiqni qafe obsesionin pothuajse-ushtarak. Forcat e policisë kurrë nuk kishin për qëllim të ishin ushtri. Megjithatë, me agjentët e policisë që vishen si ushtarakë me kamuflazh dhe antiplumb, me stërvitjet me ushtrinë duke përdorur armë ushtarake, duke hipur në automjete të blinduara, duke rekrutuar veteranë ushtarakë dhe madje duke u mburrur me tituj ushtarakë, do të ishte e vështirë të bëhej dallimi midis tyre. Megjithatë, është detyra jonë të sigurohemi që mund të bëjmë dallimin ndërmjet të dyjave, dhe kjo do të thotë mbajtjen e policisë në vendin e tyre si civilë – qytetarë jo-ushtarakë – të cilëve u është besuar mbrojtja e të drejtave tona.

Së pesti, demilitarizoni. Ka shumë shembuj të vendeve ku policia nuk është e armatosur dhe e rrezikshme, dhe kjo nuk i ka bërë keq. Në të vërtetë, normat e krimit janë të ulëta dhe oficerët e policisë janë të trajnuar për të parë çdo qytetar si të çmuar.

Së gjashti, mjaft i lejuat taksapaguesit të paguajnë për abuzimet e policisë. Disa komunitete po përpiqen të kërkojnë që policia të paguajë vetë sigurimin e përgjegjësisë profesionale. Llogjika është që nëse policia do të duhet të paguante nga xhepi për keqbërjet e veta, ata do mund të ishin më të kujdesshëm dhe më pak të prirur për të qëlluar si fillim dhe për të bërë pyetje më vonë.

Së shtati, mbështesni proçesin e duhur për të gjithë, jo vetëm për njerëzit në rrethin tuaj. Mos harroni se ju nuk duhet të jeni i varfër, i zi ose fajtor për t’u trajtuar si një kriminel në Amerikë. Mjafton që ju t’i përkisni klasës së të dyshuarve – a.k.a. qytetarisë – të shtetit policor amerikan. Si një anëtar de facto i kësaj klase kriminale, çdo qytetar i SHBA-së tani është fajtor derisa të provohet mungesa e fajit.

Ju mund të jeni personi i ardhshëm që goditet nga një oficer i policisë pse keni lëvizur në mënyrë të gabuar gjatë një ndalese në trafik, pse keni ecur në mënyrë të gabuar në afërsi të një oficeri policie apo pse keni mbrojtur veten kundër një invazioni në shtëpi kur policia shfaqet gabimisht në adresën tuaj në mes të natës.

Njerëzit janë qëlluar gabimisht dhe janë vrarë pikërisht për këto arsye.

Megjithatë, siç theksoj në librin tim Fushëbeteja Amerikane: Lufta kundër Popullit Amerikan, nuk mund të ketë drejtësi në Amerikë kur amerikanët po vriten, po ndalohen dhe po grabiten me armë nga zyrtarët qeveritarë për dyshimin më të thjeshtë për keqbërje.

Për fat të keq, amerikanët janë propaganduar, politizuar dhe polarizuar aq shumë sa që ndihen të detyruar të zgjedhin midis mbrojtjes së policisë me çdo kusht, ose pikturimit jashtë kontrolli të saj si të rrezikshme.

Asgjë nuk është krejt e zezë apo e bardhë, por ka disa gjëra për të cilat mund të jemi të sigurt: Amerika nuk duhet të jetë fushë beteje.

Oficerët e policisë nuk janë ushtarë.

Dhe “Ne, Njerëzit”: nuk jemi armiku.

John W. Whitehead

/ © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA