Nuk ka rëndësi kë sulmon, Iranin apo Anglinë; terrori ka një origjinë

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane thotë se aktet e terrorizmit, qofshin ato kundër Iranit apo Mbretërisë së Bashkuar, e kanë origjinën nga një burim.

Duke folur të martën, Bahram Qassemi e dënoi ashpër një sulm terrorist në një sallë koncertesh në qytetin anglez të Mançesterit, i cili vrau të paktën 22 vetë, dhe tha se origjina e këtij sulmi ishte e njëjtë me burimin e një sulmi të kohëve të fundit që vrau 11 roje kufitare iranianë në qytetin Mirjaveh më 26 prill.

“Ne besojmë se rrënjët dhe origjina ideologjike e incidenteve terroriste në Mirjaveh të Iranit dhe Mançester të Mbretërisë së Bashkuar është një”, tha Qassemi.

Kuptohet se vërejtjet e tij ishin më së shumti një referencë për Arabinë Saudite.

Regjimi saudit njihet si forca kryesore e “ideologjisë” së Daesh dhe grupeve të tjera terroriste që operojnë kryesisht në Lindjen e Mesme, por që gjithashtu arrijnë të sulmojnë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara me sulme terroriste herë pas here.

Klerikët, të cilët janë të vendosur në Arabinë Saudite dhe që gëzojnë miratimin e qeverisë së Rijadit për të punuar, predikojnë lirshëm vehabizmin, një filozofi të dhunshme që i deklaron njerëzit e besimeve të tjera “jobesimtarë” – një praktikë e njohur si “tekfir” në arabisht – dhe që lejon vrasjen e tyre.

Qassemi tha: “Është e nevojshme një luftë serioze, e qëllimshme dhe e ndershme [kundër terrorizmit], me unitetin dhe vendosmërinë [e kombinuar] të të gjitha vendeve që janë viktimizuar nga ideologjia ekstremiste dhe tekfiri i këtyre grupeve [terroriste]”.

Ai gjithashtu bëri një referim të heshtur ndaj një koalicioni të ashtuquajtur anti-terror të formuar nga Arabia Saudite dhe tha: “Një rezultat i [krijimit] të koalicioneve nominale dhe të bazuara në interes, dhe dhënia e drejtimeve të gabuara në lidhje me themelet … e terrorizmit, është përhapja e kancerit (terrorizmit) në të gjithë botën”.

Të dielën, Arabia Saudite hapi atë që e quajti Qendra Globale për Luftimin e Ideologjisë Ekstremiste në Rijad, në një lëvizje që u hodh poshtë përgjithësisht si një marifet publiciteti që synonte largimin e vëmendjes nga mbështetja e Rijadit për grupet terroriste.

Ndërkohë, kryetari i parlamentit iranian, Ali Larijani, i cili u shpreh veçmas të martën, i referohet zhvillimit duke thënë se hapja e qendrës në kryeqytetin saudit ishte “gjëja e duhur për t’u bërë, sepse ky vend (Rijadi) është burimi i eksportimit të terrorizmit.”

Duke ju drejtuar një seance të hapur të Parlamentit, kryetari Larijani tha se nuk kishte dyshim se Arabia Saudite po eksportonte terrorizëm në botë.

“Është një pikë e dukshme historike që Arabia Saudite, që nga fillimi i saj, është angazhuar në luftë dhe terrorizëm,” tha ai.

Ai tha se regjimi saudit për gati 60 vjet ka përhapur vehabizmin në emër të predikimit të Islamit dhe përmes ndërtimit të xhamive dhe qendrave të trajnimit për të rinjtë.

“Nëse Amerika arrin ta ndalë rrjedhën e fondeve, armëve dhe personave të armatosur nga Arabia Saudite në vende të tjera, nuk do të kishte pasur shpërthime në kullat binjake në Nju Jork dhe as nuk do të kishin vdekur mijëra njerëz të pafajshëm në Irak, Siri dhe Liban”, tha Larijani. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne