Nuk kanë sosur skandalet me “Rrugën e Kombit”, firmat e ndërtimit “harruan” mbikalimet

Abuzimi me ndërtimin e rrugëve është një “gropë e zezë” në buxhetin e shtetit shqiptar. Por kjo nuk i ka penguar shtetarët, por edhe firmat e favorizuara që të bëjnë ç’të duan me projektet. Megjithëse në letra apo në 3D apo  4D duken mjaft mirë, në terren zbatimi lë shumë për të dëshiruar.

Pasi denoncoi abuzimet ndër vite me mbikalimin e Milotit, Tpz.al shkon pak në veri lindje, duke u ndalur te “Rruga e Kombit”. Projekti i filluar në vitin 2006, ende nuk ka përfunduar, megjithëse ka marrë nga paratë e shqiptarëve më shumë se 1.3 miliardë EURO.

Ky segment rrugor vijon të marrë para nga buxheti i shtetit, për shkak të abuzimit të frikshëm financuiar. Sëfundmi Autoriteti Rrugor Shqiptar akordoi plot 3 milionë EURO për mbikalimet, pasi firmat që i projektuan e ndërtuan rrugën, i kishin “harruar”. Dhe ky skandal po mbulohet nga ARRSH, e cila vazhdon të derdhë para në një rrugë që ka marrë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e tenderit, objekti i së cilit është marrëveshjes kuadër “Vendosja e Mbikalimeve ne aksin rrugor Thumanë – Milot dhe Kukës -Morine”. Fondi limit për këto mbikalime është 372,739,264 lekë (rreth 3 milionë EURO). Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 10 muaj.

Në dokumente thuhet se në kuadër të realizimit të projekteve për mbikalimet që planifikohen të ndërtohen në aksin rrugor Thumanë – Milot dhe Kukës – Morinë, janë kryer disa vëzhgime në terren bashkërisht me ekipin teknik të Autoritetit Rrugor të Shqipërisë si dhe përfaqësues të pushteteve lokale të këtyre zonave.

“Gjatë vëzhgimit në terren është biseduar me patrullat e njësive të policisë rrugore si dhe me përfaqësues të pushtetit vendor, të cilat ishin prezente, prej të cilave u morën informacione për pozicionet ku kalimtaret hasnin vështirësi dhe për vendet ku aksidentet janë më të shpeshta. Gjithashtu gjate survejimit u vunë re edhe momentet kur kalimtaret bënin përpjekjet për të kaluar nga njëra anë e rrugës për në anën tjetër dhe rrjedhimisht në këtë mënyrë u gjykua mbi intensitetin e fokusuar ku ka nevoje për vendosje të mbikalimit” thuhet në këto dokumente.

Sipas saj, në të dyja anët zbritëse të shkalleve u propozua që të realizohen xhepa të ndalimit të mjeteve në mënyrë që të kryhet funksionimi i sigurt i stacionit të autobusëve dhe furgonëve të linjave të ndryshme.

Mbikalimet e aksit Thumane – Milot, kanë një gjatësi aksiale që varion nga 35.00 m deri ne 41.5 m. Mbikalimi është zgjidhur me elementë tubolarë me struktura e mbikalimit, për t’i dhënë edhe një efekt sa me estetik.

Nuk dihet edhe sesa para do të marrë “Rruga e Kombit”, por e sigurtë është që deri më sot, të gjitha qeveritë kanë shpërdoruar miliona euro për ndërtimin dhe më pas mirëmbajtjen e saj./TPZ.AL/

Më poshtë dokumentat e tenderit:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne