Bota

OBSH: Kolera ka marrë jetën e të paktën 140 jemenasve vetëm dy ditët e fundit

Të paktën 140 jemenas kanë vdekur nga shpërthimi i kolerës në dy ditët e fundit, duke e rritur numrin e rasteve fatale të epidemisë deri në 1,740 vdekje, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të mërkurën.

Mbi 320,000 raste të dyshuara janë raportuar gjithashtu nga OBSH në gjithë 22 provincat e Jemenit, që në fund të prillit të kaluar kur filloi epidemia.

Sëmundja është përhapur shumë më shpejt nga sa pritej. Në qershor, Fondi i Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara tha se priste 300,000 raste deri në shtator.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të diskutojë shpërthimin në një takim të mërkurën në mbrëmje.

Epidemia ka qenë në gjendje të përhapet pasi më shumë se gjysma e objekteve të kujdesit shëndetësor të Jemenit nuk janë më funksionale, për shkak të luftës në vazhdim midis qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite dhe rebelëve të lidhur me Iranin.

Për më tepër, nëpunësit civilë – duke përfshirë mjekët, infermierët, inxhinierët e ujit dhe mbledhësit e plehrave – nuk janë paguar për gati 10 muaj.

Shpërthimi i kolerës pritet të përshpejtojë një zi buke në Jemen, pasi burimet e kufizuara janë zhvendosur nga sigurimi i ushqimit dhe ujit të pijshëm për të luftuar sëmundjen, tha të martën koordinatori humanitar i OKB-së për Jemenin, Jamie McGoldrick.

Kolera është një infeksion që shprehet me diarre dhe që shkaktohet nga marrja e ushqimit ose ujit të kontaminuar me vibrionin e kolerës. Pacientët mund të vdesin brenda pak orëve nëse nuk trajtohen. / © Gazeta Impakt

OPINIONE