OÇP: Izraeli bën përpjekje për të tërhequr rajonin në një luftë fetare

Përmes një deklarate me shkrim të lëshuar pas një takimi në Ramallah, Komiteti Ekzekutiv i OÇP-së tha se deklaratat e fundit janë “një përpjekje për të tërhequr rajonin në një luftë fetare” dhe “propagandë” për ndarjen e xhamisë.

“Thirrja e ministrave të qeverisë izraelite për të ndryshuar status-kuonë në Xhaminë al-Aksa, për të lejuar zyrtarisht kolonët që të bastisin Xhaminë al-Aksa dhe të kryejnë ritet e tyre atje, është një tentativë për të tërhequr rajonin në një luftë fetare dhe propagandë për ndarjen kohore e hapësinore të Xhamisë al-Aksa”, theksohet në deklaratën e OÇP-së.

Ministri i Sigurisë Publike të Izraelit, Gilad Erdan, kërkoi të enjten ndryshimin e status-kuosë në Xhaminë al-Aksa për t’u mundësuar edhe hebraikëve që të kryejnë ritet e tyre fetare.

Ndërkohë Hamasi bëri thirrje për unitet kombëtar në një komunikatë me shkrim pasi mbajti një takim urgjent mbi zhvillimet e fundit në lidhje me Xhaminë al-Aksa, të cilat ndodhën në prag dhe ditën e parë të festës së Bajramit të Kurbanit.

Forcat izraelite sulmuan të dielën besimtarët palestinezë në kompleksin e Xhamisë al-Aksa duke plagosur të paktën 37 veta.

Hamasi e quajti Jerusalemin një “vijë të kuqe” dhe potencoi se “çdo sulm ndaj Xhamisë al-Aksa është një sulm ndaj popullit palestinez në veçanti dhe ymetit mysliman në përgjithësi”.

“E vetmja mënyrë për t’i rezistuar këtij komploti është uniteti kombëtar real i bazuar në një partneritet të vërtetë”, shtoi Hamasi.

Një tjetër deklaratë me shkrim mbi zhvillimet e fundit lidhur me Xhaminë al-Aksa erdhi gjithashtu nga Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare të Palestinës, e cila paralajmëroi kundër një “lufte fetare” në rajon.

Duke i quajtur veprimet e fundit të Izraelit një “hap provokues” që synon të ndajë Xhaminë al-Aksa, Ministria i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë.

Status-kuoja në Haram al-Sharif lejon kryerjen e riteve fetare vetëm për myslimanët në Xhaminë Al-Aksa, për të cilën kujdeset Administrata e Fondacioneve Islame të Jerusalemit.

Edhe pse regjimi i Tel-Avivit pretendon se respekton status-kuonë në Haram al-Sharif, Administrata e Fondacioneve Islame të Jerusalemit – një agjenci shtetërore e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë – e hedh poshtë këtë pretendim dhe thekson se Izraeli ndërhyn vazhdimisht në kompetencat e saj./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne