Oda Ekonomike reagon rreth taksës në “Rrugën e Kombit”

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit për riaplikim të taksës rrugore në “Rrugën e Kombit” që do të filloj nga 17 shtatori, për shkak se siç thonë ata se është realizuar vetëm opsioni i parë, nga  tri opsione të ndërlidhura me aplikimin e kësaj takse rrugore.

“Taksa në aplikim do të duhej të llogaritej si taksë për përdorimin e tunelit jo për përdorim të autostradës, pasi që kemi të bëjmë me autostradë tip të hapur jo të mbyllur -me qasje të shumta nga qytezat në vazhdimësi të rrugës. Po ashtu, autostrada nuk është e finalizuar dhe si e tillë vazhdon të ketë probleme të shumta teknike të cilat nuk do ta arsyetonin shumën e caktuar në asnjë rrethanë,” thuhet në reagim, shkruan.

Në qershor të këtij viti, me institucionet relevante kishte ardhur deri tek dakordimi për  shtyrjen e aplikimit, klasifikimin e bizneseve nga Kosova si biznese nga Kukësi apo llogaritje si komitet lokal, dhe  ofrimin e një zbritjeje prej 50% për bizneset nga Kosova.

“Oda Ekonomike e Kosovës është e mandatuar që të përfaqësoj interesat e anëtarëve të saj pranë institucioneve publike, rrjedhimisht të kërkoj mbështetje në zgjidhjen sa më të shpejt dhe korrekte të problematikave të paraqitura nga bizneset dhe shoqatat nën ombrellën e vet,” thuhet në reagim.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, pjesë e Odës Ekonomike të Kosovës, ka kërkuar riaktualizim të përshpejtuar të çështjes në fjalë.

Shoqata numëron mbi 350 operatorë me mbi 1000 autobus. Sipas informatave të ofruara, jashtë sezonës së verës në muajt Shtator-Prill rreth 20 autobus udhëtojnë nga Kosova për në Shqipëri çdo ditë, kurse gjatë sezonës së verës rreth 80-100 autobus çdo ditë, duke mos llogaritur vikendet në asnjërën nga këto shifra.

“Po të aplikohej taksa e rregullt për çdo udhëtim nga operatorët kosovar, atëherë kjo do të rezultonte në shifër marramendëse dhe të papërballueshme financiarisht. Së këtejmi, turizmi i ofruar nga Kosova për Shqipëri nuk është faktor konstant, në të kundërtën, i duhet ofruar kujdes të shtuar dhe konsideratë më të lartë në mënyrë që të vazhdon interesimi i operatorëve kosovar për t’i mbajtur këto linja ditore operacionale,” bënë të ditur OEK.

Shqetësim me çmimin e përcaktuar kanë shprehur edhe biznese të shumta të cilat shfrytëzojnë rrugën e kombit për transport të derivateve, mallrave dhe produkteve të ndryshme.

Vetëm një kompani e derivateve nga Kosova lëviz 15-20 auto cisterna për në Shqipëri dhe anasjelltas në baza ditore, kurse gjatë sezonës së verës ky numër rritet deri ne 20-30 brenda një dite.

OEK parasheh se pagesa  zvogëlon dukshëm linjat turistike për në Shqipëri dhe gjen  rrugët alternative për transport të mallrave.

Burimi: Koha islame

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne