OEM: Vetëm me ndihmë shtetërore mund të rritet prodhimi për eksport

Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) vlerëson se vetëm me ndihmë shtetërore për kompanitë e mëdha dhe të suksesshme, mund të rritet konkurrenca e tregut, më saktësisht prodhimi për eksport i cili si i tillë do të vë në lëvizje ekonominë e vendit.

Në konferencën e rregullt javore për mediat, Aneta Trajkovska nga OEM, përshëndeti miratimin e ligjit për përkrahje financiare të investimeve i cili hyri në fuqi në maj të këtij viti, duke thënë se Oda dhe sektori i biznesit kanë kërkuar një gjë të tillë për më shumë se dhjetë vjet.

Trajkovska tha më tej se në tre dekadat e fundit, Maqedonisë po i ndodhë një deindustrializim, ku pjesëmarrja e industrisë në PBV-në e vendit është vetëm 15 për qind nga 32 sa ishte dhjetë vite më parë, ndërsa numri i produkteve konkurruese nga 675 është ulur në 461.

Ajo thotë se kjo është hera e parë që qeveria investon para nga buxheti si përkrahje financiare në sektorin privat, i cili përfshinë kompanitë e suksesshme, ndërkohë që thotë se OEM do të vizitojë kompanitë të cilat kanë marrë financa nga ligji në fjalë, për të parë nga afër zbatimin e tij.

“Në bazë të të dhënave të publikuara, për pjesëmarrjen e industrisë në krijimin e PBV-së, dhe uljes së prodhimeve konkurruese, themi se vetëm përmes ndihmës shtetërore për kapacitetet e mëdha prodhuese mund të sigurohet llojllojshmëri eksportuese të produkteve vendore me epërsi konkurruese”, tha Trajkovska.

OEM, thotë se 100 kompanitë e para që kanë nënshkruar një marrëveshje me qeverinë është vetëm fillimi i procesit, ndërkohë që për ligjin thonë se është transparent me kritere shumë të qarta, sepse përfshin kompanitë që kanë realizuar profit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne