OKB e shqetësuar: Mezi del ndonjë informacion nga Kashmiri

Zyra e të Drejtave të Njeriut e OKB-së ka shprehur shqetësim për ndërprerjen e informacionit në rajonin e trazuar Xhamu dhe Kashmir, që vazhdon pasi India tërhoqi statusin e veçantë të rajonit në fillim të kësaj jave.

“Jemi thellësisht të shqetësuar se kufizimet e fundit në Kashmirin e administruar nga indianët do të përkeqësojnë situatën e të drejtave të njeriut në rajon. Vetë fakti që aktualisht pothuajse asnjë informacion fare nuk po del është shqetësues”, tha Rupert Colville, zëdhënës i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Xhamu dhe Kashmir ka qenë i bllokuar që nga nata e të dielës pasi India vendosi kufizime të ashpra në rajon dhe ditën tjetër shfuqizoi të gjitha statuset e veçanta të garantuara për rajonin me shumicë muslimane përmes një dekreti presidencial.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Narendra Modi uli më tej statusin e rajonit duke e ndarë atë në “Territore të Bashkimit” të kontrolluar nga qendra.

“Ne po shohim sërish kufizime telekomunikacioni në përgjithësi, ndoshta aq përgjithësisht saqë nuk kemi parë më parë, arrestimin arbitrar të raportuar të liderëve politikë dhe kufizime për asamblenë paqësore”, tha Colville.

Sipas tij, këto kufizime do të parandalojnë popullin e Kashmirit të administruar nga India dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të marrin pjesë plotësisht në debat demokratik për statusin e ardhshëm të rajonit Xhamu dhe Kashmir.

Interneti, media sociale, shërbimet telefonike celular dhe ato fikse janë ndërprerë në rajon që nga e diela e kaluar.

Ndërkohë, një zyrtar i OKB-së ka thënë se ata po zhvillojnë kontaktet me Indinë dhe Pakistanin në “nivele të ndryshme”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në konferencën e rregullt të djeshme në New York, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha se “nuk ka ngurrim nga ana e sekretarit të përgjithshëm për t’u angazhuar.”

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm dhe po ndjekim situatën me shumë shqetësim”, u shpreh Dujarric.

Dujarric nuk specifikoi në çfarë niveli po zhvilloheshin kontaktet.

Sidoqoftë, ai konfirmoi se kryediplomati pakistanez i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, e cila është pranuar.

“Duke kërkuar ndërhyrjen e OKB-së për të zgjidhur krizën, letra do t’u shpërndahet po ashtu 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, siç edhe kërkohej”, shtoi Dujarric./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne