OKB: Gjendja në Mianmar duhet t’i referohet Gjykatës ndërkombëtare penale

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Mianmar, Yanghee Lee i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit për t’ia referuar çështjen Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), raporton Anadolu Agency (AA).

“E gjithë situata në Mianmar duhet t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale ose një gjykatë ndërkombëtare duhet të krijohet për të siguruar drejtësinë për popullin e Mianmarit”, tha Lee në një takim me gazetarët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.

“Mbetem besnike në besimet e mia se nuk është e sigurtë për defugjatët Rohingya në Bangladesh të kthehen në Mianmar derisa të korrigjohen rrethanat themelore që çuan në dëbimin e tyre”, tha Lee.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për sanksione ndaj kompanive të udhëhequra nga ushtria e shtetit dhe zyrtarëve ushtarakë që janë përgjegjës për shkelje serioze të të drejave të njeriut.

“Interesat ekonomike nuk duhet të ndiqen në llogari të të drejtave të njeriut”, shtoi ajo.

– “Shkelje serioze”

Në takimin e njëjtë me gazetarët, Marzuki Darusman, kreu i Misionit të Pavarur Ndërkombëtar për Gjetjen e Fakteve në Mianmar, tha se “janë bërë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar”.

“Mianmari nuk po i përmbush detyrimet e tij në bazë të Konventës së Gjenocidit për të parandaluar, hetuar dhe miratuar një legjislacion efektiv që kriminalizon dhe ndëshkon genocidin”, tha ai.

Darusman tha se misioni zbuloi se krimet sipas ligjit ndërkombëtar vazhdojnë të kryhen nga forcat e armatosura të Mianmarit.

“Kjo konfirmon konkluzionet tona të mëparshme se cikli i mosndëshkimit mundëson dhe kuptohet nxit këtë sjellje të forcave të sigurisë që meriton të dënohet”, shtoi ai.

Përndjekja e komunitetit Rohingya në Mianmar vazhdon pamëshirshëm dhe kjo e bën kthimin e afro një milion refugjatëve Rohingya në Bangladesh “thjesht të pamundur”, vuri në dukje Darusman.

– Populli i persekutuar

Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milionë.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne