OKB kërkon veprime urgjente për myslimanët Rohingya

Zv/komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OKB), Kate Gilmore, ka kërkuar nga Mianmari të ndërmarrë “veprime urgjente” kundër pashtetësisë së popullit Rohingya.

Duke folur në seancën e 41 të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Gilmore tha se qeveria e Mianmarit duhet të sigurojë ambient të përshtatshëm për kthimin e popullit Rohingya.

“Kushtet e favorshme për kthimin e refugjatëve thjesht ende nuk ekzistojnë dhe zbatimi i programeve sipas Memorandumit të Mirëkuptimit janë të kufizuara ngushtë”, tha Gilmore.

Gilmore po ashtu bëri të ditur se mbi 730 mijë njerëz janë duke jetuar si “refugjatë të pashpresë në kushtet humanitare” në Bangladesh, duke shtuar se “gjendja e 126 mijë njerëzve Rohingya, kryesisht të zhvendosur brenda vendit, të cilët jetojnë në Rakhinën qendrore janë me një shqetësim të barabartë”.

Ajo po ashtu i kërkoi qeverisë së Mianmarit të “sigurojë që krimet e rënda që janë kryer kundër popullit Rohingya dhe tani komunitetit etnik Rakhinë, të jenë plotësisht të hetuara në mënyrë të duhur, transparente dhe të paanshme, si dhe ata që janë përgjegjës për krime të tilla të japin llogari sipas sundimit të ligjit”.

“Qeveria e Mianmarit mundet dhe duhet të ndërmarrë hapa urgjente për ta ndryshuar këtë situatë dhe për t’i dhënë fund pashtetësisë së popullit Rohingya. Ata duhet të krijojnë një proces të besueshëm për njohjen e statusit të tyre të shtetësisë dhe kushtet që favorizojnë kthimin e të gjithë refugjatëve në vendet e tyre të origjinës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Gilmore.

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit e Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë myslimane në gusht të vitit 2017.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne