OKB: Premtimi i Netanyahut për aneksim, shkelje e ligjit ndërkombëtar

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, lidhur me premtimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të aneksuar Luginën Jordan, tha se hapa të tillë përbëjnë një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, transmeton .

Në një deklaratë me shkrim, Dujarric reagoi ndaj premtimit të Netanyahut për të “aneksuar Luginën Jordan në Bregun Perëndimor nëse ai fitoi zgjedhjet.”

Duke theksuar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është i shqetësuar për deklaratat e Netanyahut, Dujarric, tha se “Hapa të tillë ashtu sikurse përbëjnë një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, dëmtojnë edhe potencialin e rigjallërimit të negociatave dhe paqes rajonale si dhe minojnë seriozisht zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete”.

Dujarric theksoi se çështja izraelito-palestineze duhet të trajtohet në përputhje me rezolutat e OKB-së dhe në bazë të zgjidhjes me dy shtete bazuar në kufijtë para 1967.

Premtimi i Netanyahut për aneksim

Netanyahu, në një konferencë për shtyp të zhvilluar para zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 17 shtator, ishte shprehur se nëse rizgjidhet ai “brenda një kohe të shkurtër” në koordinim me qeverinë e SHBA-ve do të “aneksojë” Luginën Jordan që ndodhet në Bregun Perëndimor.

Edhe para zgjedhjeve të përgjithshme të 9 prillit, Netanyahu bëri të njëjtin premtim. Gjithashtu edhe ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, mbështeti Netanyahun, duke pretenduar se Izraeli “ka të drejtë” të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor.

Në Bregun Perëndimor, të okupuar nga Izraeli në vitin 1967, ka rreth 250 vendbanime hebreje të paligjshme, me më shumë se 400.000 kolonë hebrenj që banojnë atje.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e okupuara konsiderohen të paligjshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne