OKB: Refugjatët sirianë, tashmë mbi 5 milionë

Numri i sirianëve që kanë braktisur vendin pas 6 vitesh lufte civile ka kaluar 5 milionë.

Lajmërimi i UNHCR-së, agjencisë së OKB-së për refugjatët, vjen një vit pasi vendet që morën pjesë në një konferencë në Gjenevë premtuan se do të strehojnë 500 mijë refugjatë nga Siria.
Deri tani është bërë vetëm gjysma, ndërsa numri i refugjatëve sirianë shtohet me shpejtësi. Komisioneri i lartë i Refugjatëve, Filipo Grandi tha se duhet bërë ende shumë punë për të strehuar refugjatët dhe për t’u ofruar atyre rrugëdalje të ndryshme. Sipas tij, për të përballuar këtë sfidë duhen jo vetëm më shumë burime, por gjithashtu duhet përshpejtuar implementimi i angazhimeve të marra. Sipas OKB-së, një vit më parë numri i sirianëve që kishin braktisur vendin ishte 4.8 milionë, ndërsa rreth 6.3 milionë të tjerë kanë lëvizur brenda vendit për t’i shpëtuar luftës. Në vitin 2011, kur nisi lufta civile në Siri, popullsia e vendit ishte rreth 22 milionë. Turqia është vendi që strehon më shumë sirianë, ku me 47 mijë refugjatët që kanë mbërritur aty që prej shkurtit, numri total është rritur në thuajse 3 milionë. Libani dhe Jordania janë dy vendet e tjera që kanë pritur më shumë sirianë, respektivisht një milion dhe 700 mijë. Shtetet e Bashkuara kanë programin më të madh të strehimit të sirianëve me 64 mijë vende të premtuara dhe, megjithëse administrata “Trump” po përpiqet ta reduktojë këtë numër, sipas OKB-së përpjekjet për strehimin e refugjatëve vazhdojnë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne