OKB: Sulmet izraelite në Gaza mund të çojnë në pasoja katastrofike

Koordinatori Special i Procesit të Paqes në Lindjen e Mesme i Kombeve të Bashkuara (OKB), Nickolay Mladenov, shprehu shqetësime se tensionet në Gaza mund të çojnë në pasoja katastrofike, raporton Anadolu Agenncy.

Duke folur në Keshillin e Sigurimit të OKB-së, Mladenov tha se përplasja e re në Gaza nuk do të jetë në interes të asnjërës palë dhe paralajmëroi Palestinën dhe Izraelin se konflikti do të krijojë “pasoja shkatërruese” në rajon.

“Mund të përballemi me një tension të rrezikshëm që mund të rezultojë edhe një herë me një katastrofë në Gaza. Ngjarjet në dy ditët e fundit treguan se sa jemi afër pragut të luftës”, tha Mladenov, duke bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë.

Mladenov theksoi nevojën për ndalimin e raketave të shkrepura nga Gaza në drejtim të Izraelit, ndërsa po ashtu u bëri thirrje forcave izraelite të përmbahen.

Ndryshe, qeveria izraelite mbylli dy porta kufitare të Gazës pasi shtatë persona u plagosën dje në mëngjes si pasojë e një rakete që ra në veri të Tel Avivit.

Presidenti amerikan Donald Trump dje firmosi një dekret që “zyrtarisht njeh sovranitetin izraelit mbi Lartësite Golan”, përkundër rezolutës 497 të OKB-së të miratuar në vitin 1981, e cila e cilëson si të paligshëm pushtimin izraelit të këtij rajoni.

Izraeli prej vitit 1967 mban nën pushtim Lartësirat e Golanit, të cilat janë rajon i Sirisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne