OKB “thellësisht e shqetësuar” për veprimet e Indisë në Kashmir

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësime në lidhje me veprimet e fundit të Indisë dhe ndikimin e tyre ndaj situatës me të drejtat e njeriut në rajonin Xhamu dhe Kashmir.

“Jam thellësisht e shqetësuar për ndikimin e veprimeve të fundit nga Qeveria e Indisë në lidhje me të drejtat e njeriut për banorët e Kashmirit, përfshirë edhe kufizimet e internetit, komunikimin dhe tubimit paqësor, si dhe ndalimin e liderëve politikë lokal dhe aktivistëve”, tha Komisionerja e Lartë e OKB-së, Michelle Bachelet gjatë sesionit të 42-të të rregullt të Këshillit në Gjenevë.

Bachelet hapi sesionin dhe informoi Këshillin për situatën me të drejtat e njeriut në të gjithë botën.

Ajo tha se në zyrën e saj vazhdojnë të vijnë raportime për situatën me të drejtat e njeriut nga të dyja anët e Linjës së Kontrollit (LOC), që “de facto” është kufiri që ndan luginën e Kashmirit mes Pakistanit dhe Indisë.

“Përderisa unë vazhdoj të nxis qeveritë e Indisë dhe Pakistanit që të sigurojnë se të drejtat e njeriut respektohen dhe mbrohen, unë i kam bërë thirrje veçanërisht Indisë që të lehtësojë bllokimet aktuale ose paraburgimet, të sigurojë qasjen e njerëzve në shërbimet themelore dhe të gjitha të drejtat e procesit të duhur të respektohen për ata që janë ndaluar”, tha Bachelet.

Ajo gjithashtu bëri thirrje që të konsultohet populli i Kashmirit për çfarëdo procesi të vendimmarrjes që ka ndikim në të ardhmen e tyre.

Duke iu referuar listës së shtetësisë në shtetin verilindor të Indisë, Asam, që është në kufi me Bangladeshin, ajo tha se është shkaktuar një pasiguri dhe ankth për rreth 1,9 milionë njerëz, që u përjashtuan nga lista e botuar më 31 gusht.

“Unë i bëj thirrje Qeverisë (Indiane) që të sigurojë procesin e duhur gjatë procesit të ankimeve, të parandalojë dëbimin ose ndalimin dhe të sigurojë që njerëzit të mbrohen nga pashtetësia”, shtoi ajo.

Rajoni Xhamu dhe Kashmir i administruar nga India ka qenë nën një bllokim pothuajse të plotë që nga 5 gushti, pasi India ia hoqi statusin special. Që atëherë qeveria indiane gjithashtu ka bllokuar qasjen në komunikim dhe ka vendosur kufizime për të parandaluar çfarëdo proteste në rajonin me shumicë muslimane.

Disa grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International, vazhdimisht i kanë bërë thirrje Indisë që të heqë kufizimet dhe të lirojë të burgosurit politik.

Megjithatë, autoritetet indiane pretendojnë se 90 për qind e rajonit të diskutuar Xhamu Kashmir është pa kufizime ditore.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht të këtij viti, Xhamu Kashmiri kishte dispozita të posaçme sipas të cilave rajoni miratonte ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin dhe të zotëronin tokë në këtë territor.

India dhe Pakistani administrojnë dy pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë kontroll të plotë mbi këtë rajon. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne