OKB vazhdon mandatin e misionit në Liban

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka vazhduar për një vit mandatin e Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).

Duke miratuar unanimisht rezolutën, 15 anëtarët e KS-OKB-së vazhduan mandatin e UNIFIL deri më 31 gusht të vitit 2020 dhe përsëritën thirrjen për Izraelin dhe Libanin që të mbështesin një armëpushim të përhershëm dhe zgjidhje afatgjate, thuhet në një kumtesë së OKB-së.

Duke theksuar rolin pozitiv të UNIFIL-it, këshilli i bëri thirrje qeverisë libaneze që të lehtësojë hyrjen e misionit në vend.

Këshilli gjithashtu dënoi të gjitha shkeljet ajrore dhe tokësore të Linjës së Kaltër dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që “të respektojnë ndërprerjen e armiqësive, të parandalojnë çdo shkelje të Linjës së Kaltër dhe ta respektojnë atë në tërësinë e saj, dhe të bashkëpunojnë plotësisht me OKB-në dhe UNIFIL”.

Linja e Kaltër është e gjatë 120 kilometra dhe është një përcaktim kufitar i mbështetur nga OKB, i vendosur në vitin 2000 midis Izraelit dhe Libanit.

“Këshilli gjithashtu i kërkoi Qeverisë së Izraelit të shpejtojë me tërheqjen e ushtrisë së saj nga (fshati) Ghajari Verior pa vonesa të mëtejshme në koordinim me UNIFIL”, shtohet në kumtesë.

UNIFIL është një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe që është vendosur në jug të Libanit që nga viti 1978. Qëllimi kryesor i saj është të ruajë sigurinë në rajon dhe të monitorojë arritjen e një marrëveshjeje për ndërprerjen e armiqësive.

Pas konfliktit të vitit 2006 midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, UNIFIL u ngarkua me detyrë që të siguronte zbatimin e Rezolutës 1701 të KS-OKB-së, e cila bëri thirrje për armëpushim midis palëve ndërluftuese dhe një tërheqje të Izraelit nga jugu i Libanit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne