OKB verifikon vrasjet masive në Afganistanin verior

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të shtunën konfirmoi se talibanët dhe luftëtarët lokal të vetëshpallur DEASH kanë vrarë civilë në një sulm të kryer në fillim të këtij muaji në Afganistanin verior.

Më 3 gusht, militantët sulmuan luginën Mirza Olanf, e cila ndodhet në provincën Sar-i-Pul, kryesisht të banuar nga pakica etnike Shia Hazara. Në atë kohë, zyrtarë lokal afganë kishin pohuar se më shumë se 50 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, ishin vrarë nga militantët.

Zëdhënësi i talibanëve, Qari Yosuf Ahmadi, kishte marrë përgjegjësinë për vrasjen e vetëm të “anëtarëve të milicisë pro-qeveritare” në luginë. Në një deklaratë të lëshuar dy javë më parë, Ahmadi hodhi poshtë raportet në lidhje me viktimat civile.

Në ndërkohë, DEASH gjithashtu mori përgjegjësinë për vrasjet. Deklarata e publikuar javën e kaluar nga organizata terroriste në gjuhën arabe, tha se 54 persona u vranë në Mirza Olang.

Në zbulimet fillestare, Misioni i Asistencës i OKB-së në Afganistan konfirmoi vrasjen e 36 personave, por nuk gjeti prova të prerjeve të kokave, rrëmbimit të grave dhe dhunës seksuale, si dhe pretendimeve të urrejtjes sektare si faktor për masakrën.

“Unë e dënoj këtë shënjestër të paligjshme të civilëve në një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”, tha Tadamichi Yamamoto, përfaqësues i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm për Afganistanin, duke shtuar se “autorët e vrasjeve dhe krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Misioni i OKB-së mirëpriti emërimin e një ekipi të lartë nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Brendshme për të hetuar sulmin.

Disa ditë pas masakrës, forcat qeveritare morën kontrollin e luginës pas një operacioni tokësor dhe ajror, njoftuan zyrtarët më 15 gusht.

Nasratullah Jamshedi, zëdhënësi i Korpusit 209 të Armatës Kombëtare të Afganistanit (ANA), tha për AA se deri në 50 militantë talebanë, duke përfshirë disa komandantë të tyre të lartë u vranë, ndërsa mbi 20 të tjerë u plagosën në operacionin që synonte rimarrjen e luginës Mirza Olang.

Militantët pro-DEASH janë kryesisht të përqëndruar në pjesët lindore të vendit, që kufizohen me zonat fisnore të Pakistanit dhe në krahinat veriore, që kufizohen me shtetet e Azisë Qendrore të Uzbekistanit dhe Turkmenistanit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne