Shqiperia

Olta Xhaçka, nusja e piramidës “Gjallica”, i kërkoi Bazat e NATO-s për frenimin e ndikimit të Turqisë në Shqipëri

Propozimi zyrtar që SHBA të ngrejë një bazë ajrore të NATO-s në vendin tonë, u artikulua për herë të parë nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në takimin që pati në Pentagon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Xhejms Matis.

Mes klisheve për miqësinë dhe gadishmërinë për kontributin në NATO, ra në sy fjalia ku Olta Xhaçka e rreshtoi Turqinë mes vendeve që krijojnë shqetësim për ndikimin në rajon.

Për të bindur Matis se në Shqipëri është e nevojshme një bazë e NATO-s, Xhaçka renditi të parin rrezikun rus, pastaj foli për ndikimin e Kinës, Iranit dhe Turqisë kur u shpreh saktësisht se: “Krahas qëllimeve të Rusisë për t’u shtrirë në rajon dhe veprimeve të tyre destabilizuese, vihet re edhe një shtim i synimit dhe ndikimit nga vende të tjera si Kina, Irani apo Turqia”.

Që përmendja e Turqisë nga pala shqiptare nuk ishte një gafë e Xhaçkës, ajo e konfirmoi në intervistën që dha për Zërin e Amerikës, kur u pyet se çfarë nënkuptonte me këtë.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre, ju folët dje për një rritje të ndikimit rus në Shqipëri, ndërkohë gjatë bisedës me zotin Matis përmendët, se janë vënë re qëllime edhe interesa dhe nga vende të tjera në rritje, duke përmendur këtu, Kinën, Iranin por edhe Turqinë, a mund të na shpjegoni se çfarë nënkuptoni me këtë?

Xhaçka: Është e vërtetë ajo që ju thashë pak më përpara, influenca ruse në rritje, pra rreziqet që vijnë nga Lindja, por edhe rreziqet që vijnë nga Jugu, përmes ekstremizmit fetar apo përmes aktorëve të tjerë jo qeveritarë, të cilët tentojnë që të destabilizojnë rajonin në funksion të interesave të tyre. Pa diskutim që këto janë çështje të sigurisë që bashkë me aleatët ne i konsiderojmë, ka për t’u marrë seriozisht dhe ka për të mos u marrë seriozisht, por le të themi kërkesa ime ka të bëjë me faktin që një prezencë e NATO ose një prezencë e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, unë besoj që në këtë moment do të ishin shumë e domosdoshme. Sigurisht që janë rrethanat që diktojnë vendime dhe nëqoftëse rrethanat janë të tilla, që kërcënimet që vijnë nga Lindja apo sfidat që vijnë nga Lindja dhe nga Jugu janë të tilla për ta diktuar këtë vendim, unë shpresoj që ata do ta konsideronin me seriozitet.

Shqetësimi i Shqipërisë për shtimin e ndikimit të Turqisë, i artikuluar gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara tingëllon çuditshëm po të kemi parasysh se qeveria Rama ka hapur dyert pa asnjë paragjykim për çdo gjë që vjen nga Turqia. Bashkëpunimi me Turqinë reflektohet në investime, në stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe në ecejaket e ndërsjellta të Ramës dhe Erdogan, ku të dy nuk e fshehin miqësinë dhe kënaqësinë për marrëdhënien e afërt që kanë me njëri tjetrin.

Ndërkohë, kohët e fundit mes Turqisë dhe Shtetet e Bashkuara marrëdhëniet kanë nisur të acarohen. Preteksti i fundit është burgosja e një kleriku amerikan në Turqi, i cili akuzohet se ka mbështetur puçin ushtarak dhe se ka ruajtur komunikimin me Fetullah Gylen.

SHBA kanë vendosur sanksione ndaj ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm të Turqisë.

“Ne besojmë se ai është një viktimë e vëmendjes së padrejtë që po i kushtohet nga qeveria e Turqisë”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, duke iu referuar pastorit Andreë Brunson. Pastori amerikan është venë në qendër të një polemike të hidhur diplomatike midis dy aleatëve të NATO-s.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar ngrirjen e pronave të Sekretarëve amerikanë të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në Turqi, nëse kanë. Gjatë një fjalimi ai tha “Populli të jetë i qetë. Brenda një jave kemi neutralizuar 56 terroristë dhe do të vazhdojmë t’i neutralizojmë”.

Presidenti Erdogan shtoi se “ata të cilët i shenjtërojnë terroristët dhe e mbështesin organizatën terroriste nuk do të shpëtojnë kurrë nga kthetrat e këtij shteti”./Lapsi.al

OPINIONE