ONM: Nuk ka bazë ligjore për të hetuar ankesat e ish-anëtares së KLP Sevdari

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) iu përgjigj pas gati një muaji pyetjeve nga Exit se pse ONM nuk ia përcolli Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) ankesat e ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Antoneta Sevdari.

Ankesat e Sevdarit, të paraqitura në muajin maj, ngrinin dyshimet se dy nga gjyqtarët e KPA-sw nuk përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e institucionit më të lartë të vetingut, i cili ndodhet brenda Gjykatës Kushtetuese.

Sevdari i paraqiti ankesat tek ONM, siç parashikon Ligji i Vetingut, neni 17(2). Megjithatë, ONM gjykoi se ky ligj nuk “ofron bazë të mjaftueshme ligjore për nisjen e një hetimi disiplinor”:

[Vëzhguesit ndërkombëtarë] nuk ia përcollën KPA-së ankesat [e Sevdarit], pasi gjykojnë se neni 16 i Ligjit nr.84/2016 nuk ofron bazë të mjaftueshme ligjore për nisjen e një hetimi disiplinor për çështjet e shënuara më poshtë.

Neni 16 i Ligjit të Vetingut shpjegon përgjegjësinë disiplinore të anëtarëve të institucioneve të vetingut, përfshirë edhe KPA-në. Lista e çështjeve për të cilat këta anëtarë mbajnë përgjegjësi nuk përfshin shprehimisht emërimin në kundërshtim me ligjin, të cilin e pretendon Sevdari në dy ankesat kundër Luan Dacit dhe Ardian Hajdarit.

Sigurisht, fakti që Daci dhe Hajdari mund të jenë emëruar në kundërshtim me Ligjin e Vetingut ka një ndikim të madh në çështjen e Sevdarit, dhe ai është i rëndësishëm për të kuptuar shkarkimin e saj nga ana e KPA-së, por duket se në interpretimin e ONM-së, Ligji i Vetingut nuk ofron mjetet ligjore për ta zgjidhur situatën.

Kjo na çon te një pyetje shumë shqetësuese. Nëse është me të vërtetë rasti që disa anëtarë të institucioneve të vetingut janë emëruar në kundërshtim me kriteret e nenit 6 të Ligjit të Vetingut, atëherë kush duhet ta shqyrtojë këtë çështje? Tani ONM na thotë se këtë nuk mund ta bëjë vetë KPA-ja.

Sidoqoftë, çka është e qartë është se një ose më shumë persona kanë shpërdoruar detyrën në të gjithë këtë histori. Shpërdorimi i detyrës përshkruhet kështu në nenin 248 të Kodit Penal:

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale […]

Sigurisht që me këtë përkufizim përputhet edhe fakti që një ose disa persona nuk ndërmorën ndonjë veprim, megjithë informacionin që duhej t’i skualifikonte disa nga kandidatët për në KPA, anëtarët e të cilës gëzojnë status të barabartë me ata të Gjykatës Kushtetuese.

Atëherë ku duhet të shikojmë?

Mund t’i rikthehemi Komisionit të Parë dhe të Tretë Ad-Hoc për Verifikimin e Kandidatëve të Institucioneve të Vetingut, të cilët intervistuan kandidatët për në KPA në vitin 2017.

Komisioni i Parë Ad-Hoc pranoi dy lista me kandidatë nga Avokati i Popullit, një listë me kandidatë të kualifikuar (Lista A) dhe një me kandidatë të pakualifikuar (Lista B), si dhe një listë me rekomandime nga ONM. Sidoqoftë, sipas nenit 8, pika 3 të Ligjit të Vetingut, Komisioni i Parë Ad-Hoc nuk mund të heqë asnjë kandidat nga lista e kandidatëve të kualifikuar.

Luan Daci dhe Ardian Hajdari ishin pjesë e versionit të dytë të Listës A, pasi Parlamenti zgjati periudhën e aplikimit, në kundërshtim me ligjin dhe rekomandimin e ONM-së. Si Daci, ashtu edhe Hajdari morën rekomandime pozitive nga ONM-ja.

Kandidatët në Listën dhe me rekomandim pozitiv nga ONM-ja kaluan automatikisht në listën përfundimtare, nga i cili Komisioni i Tretë Ad-Hoc zgjodhi me votim të fshehtë kandidatët përfundimtarë të institucioneve të vetingut.

Kështu që, në rastin e Komisionit të Parë Ad-Hoc, ata nuk mund të mbahen përgjegjës për zgjedhjen e Hajdarit dhe Dacit, dhe as se përse nuk i hoqën ata nga lista përfundimtare, sepse komisioni nuk kishte të drejtë ligjore ta bënte këtë.

Anëtarët e Komisionit të Tretë Ad-Hoc mund të kishin vendosur të mos i zgjidhnin Dacin dhe Hajdarin në KPA, por ata i zgjodhën, megjithëse gjatë intervistave ngritën pikëpyetje serioze në lidhje me cilësinë e aplikimeve të tyre. Kështu që dikush mund të thotë se me zgjedhjen e Dacit dhe Hajdarit në KPA, anëtarët e Komisionit të Tretë Ad-Hoc mund të kenë kryer shpërdorim detyre.

Por zgjedhja përfundimtare e Komisionit të Tretë Ad-Hoc u miratua nga Parlamenti. Atëherë, a janë të gjithë deputetët bashkëfajtorë në këtë krim të mundshëm në emërimin në KPA të anëtarëve të pakualifikuar?

Apo duhet të kthehemi pas në kohë dhe të fajësojmë Avokatin e Popullit, që nuk i vendosi Dacin dhe Hajdarin në Listën B? Apo duhet fajësuar ONM-ja për dhënien e rekomandimeve pozitive?

Problemi kryesor është se në zgjedhjen e Dacit dhe Hajdarit u përfshinë kaq shumë institucione – Avokati i Popullit, ONM, Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, dy Komisione të veçanta Ad-Hoc, dhe seanca plenare e Parlamentit, – saqë duket gati e pamundur të përcaktohet pika ku procesi doli nga shinat.

Kjo më pas na çon te çështja thelbësore: nëse Daci dhe Hajdari janë zgjedhur në KPA vërtet në kundërshtim me kërkesat ligjore, a ka ndonjë mënyrë që ta të pushohen nga puna?

E gjithë arkitektura e reformës në drejtësi është ndërtuar për të mos e lejuar një mundësi të tillë. Institucionet e vetingut janë krijuar për të qenë plotësisht të pavarura nga pjesa tjetër e gjyqësorit dhe institucionet e tjera shtetërore, dhe kjo për arsye të mirë. Por, gjithashtu, kjo do të thotë që pasi një “mollë e kalbur” të ketë përfunduar në kolltukun e gjykatësit në KPA, ai duket se do të qëndrojë atje praktikisht përgjithmonë.

Kjo situatë do të vazhdonte, sigurisht, deri kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të vendoste se institucionet e vetingut nuk përbëjnë një “gjykatë të pavarur dhe të paanshme”, pikë në të cilën e gjithë ndërtesa e vetingut do të shembej./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne