Operacioni Dega e ullirit: Pse Rusia e ndihmon Turqinë në Afrin?

nga Leonid Issaev.

Më 20 janar Turqia nisi një ofensivë ajrore dhe tokësore të quajtur “Dega e ullirit”, kundër enklavës së kontrolluar nga kurdët në Afrin, Siria veriore.

Ndërsa ofensiva po përparonte me shpejtësi, u duk qartë se një operacion i tillë ambicioz nuk mund të kishte qenë i mundur pa miratimin e Rusisë.

Kryesorja ishte se operacioni kërkonte që Forca Ajrore Turke të hyjë në hapësirën ajrore të Sirisë, diçka që Ankaraja nuk mund ta bënte pa u konsultuar me Rusinë. Për më tepër, përpara se të rekrutonin forcat e ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) të mbështetura nga Turqia në Afrin, Ankaraja duhej të sigurohej nga Rusia se Bashar al-Assad nuk do të përfitonte nga situata dhe të përpiqej të kapte postet e kontrolluara nga turqit në krahinën e Idlibit.

Forcat Demokratike të Sirisë (SDF), aleanca e luftëtarëve kurdë dhe arabë në Siri gjithashtu e dinin se do të ishte e pamundur që Turqia të fillonte operacionin “Dega e ullirit” pa u koordinuar me Moskën. Si rezultat, përfaqësuesit e SDF-së shprehën zhgënjimin e tyre me qëndrimin e Rusisë në këtë çështje.

Gjenerali Sipan Hemo, një komandant për njësitë mbrojtëse të popullit kurd (YPG), forca kryesore kurde brenda SDF-së, tha se Rusia “i tradhtoi kurdët”. Ai shtoi se “do të vijë dita kur Rusia do t’u kërkojë falje kurdëve për këtë mungesë parimi”.

Në sytë e kurdëve Rusia u duk qartë se ishte bashkëpuntore me palën turke. Është e vështirë që të mos pajtohesh me vlerësimin kurd, por një shqyrtim i afërt i zhvillimeve të vitit të kaluar tregon se bashkëpunimi mes Moskës dhe Ankarasë në lidhje me të ardhmen e Afrinit në kurriz të kurdëve, filloi shumë përpara se Turqia të nisë operacionin kundër enklavës.

Farat e operacionit “Dega e ullirit” u mbollën që verën e kaluar, gjatë bisedimeve midis ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të shtabit turk Hulusi Akar në Stamboll. Si rezultat i këtyre bisedimeve, Moska dha pëlqimin për përdorimin e pjesshëm të hapësirës ajrore të Sirisë nga forcat ajrore turke, duke hapur rrugën për ofensivën e Turqisë në Afrin.

Ankaraja filloi ndërtimin e pranisë së saj ushtarake pranë enklavës kurde një muaj më parë, pas arritjes së një marrëveshjeje me Moskën mbi përcaktimin e zonës së paqësimit në Idlib.

Miratimi i Moskës për operacionin Dega e Ullirit u bë edhe më e qartë në ditën kur filluan luftimet, kur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi tërheqjen e trupave ruse nga Afrini.

Gjithashtu, në deklaratën e shkurtër të lëshuar rreth operacionit më 20 janar, Ministria ruse e Punëve të Jashtme u kufizua vetëm me shqetësimin e saj që u interpretua si një “dritë jeshile” ndaj veprimeve të Turqisë.

Loja e fundit e Rusisë

Pavarësisht indinjatës së kurdëve siriane, bashkëpunimi me turqit për çështjen e Afrinit është shumë më e dobishme për Rusinë sesa konfrontimi.

Marrëdhënia e Rusisë me kurdët nuk ka qenë kurrë e bazuar në bashkëpunimin afatgjatë dhe strategjik. Përkundrazi, gjatë gjithë historisë së saj, Moska ka përdorur “kartën kurde” vetëm kur duhej të arrinte një kompromis me vendet e Lindjes së Mesme, veçanërisht me Turqinë.

Në rastin e Afrinit, Moska nuk i detyrohet shumë YPG-së. Gjatë gjithë krizës siriane, grupi u bashkua me SHBA-në dhe de facto u vendos në anën e kundërt të konfliktit. Kurdët hodhën poshtë ofertën e Rusisë për të dorëzuar territorin  e Afrinit nën kontrollin e tyre tek regjimi sirian, në këmbim të garancive të sigurisë. Uashingtoni nuk ishte në gjendje të ndihmonte aleatin e saj YPG, dhe kjo i dha Moskës një mundësi shtesë për të demonstruar edhe njëherë natyrën zhgënjyese të garancive të sigurisë së SHBA-së.

Përveç kësaj, për momentin bashkëpunimi me Ankaranë është i një rëndësie parësore për Moskën. Turqia është një nga bashkëorganizatorët e Kongresit të Popullit Sirian, i cili mbahet më 29-30 janar në Soçi.

Forumi ka rëndësi të brendshme politike për Kremlinin, pasi nuk është vetëm një nismë personale e Vladimir Putinit, por gjithashtu përkon me fillimin e fushatës së tij zgjedhore. Presidenti rus dëshiron t’i afrohet zgjedhjeve presidenciale në mars të vitit 2018 si paqebërës dhe fitimtar. Ai dëshiron t’i ofrojë elektoratit të tij një përfundim fitimprurës të konfliktit ushtarak në Siri dhe pastaj ta vendosë qeverinë e tij si lojtar kyç që do të sillte paqen në vendin e shkatërruar nga lufta.

Gjithashtu, duke bashkëpunuar me Ankaranë në Afrin, Moska ka krijuar një mundësi që do ta lejojë atë të zgjidhë situatën në Idlib pa përshkallëzim ushtarak. Rusia e dinte se një konfrontim ushtarak në Idlib do të ishte i kushtueshëm për Damaskun dhe aleatët e tij, pasi ai do të çonte në një katastrofë të re humanitare të ngjashme me atë që ndodhi një vit më parë në Aleppo. Mos të përmendim se një konflikt i tillë do ta kishte shteruar ushtrinë e dobët siriane, duke e detyruar Rusinë të kthehej në frontin e luftës siriane.

Aprovimi i heshtur i Rusisë për Degën e ullirit, përkundrazi çoi në lëshime reciproke nga Ankaraja në Idlib. Në të njëjtën ditë që Turqia filloi operacionin e saj, regjimi sirian njoftoi se kishte kapur aeroportin Abu Duhur të kontrolluar nga opozita në Idlib pa ndonjë pengesë.

Së përfundim, Turqia ka një pazarllëk tjetër të rëndësishëm bisedimesh me Rusinë: Gazsjellësin Rrjedha Turke. Moska ka shpresa të mëdha në këtë projekt dhe dëshiron që asgjë të mos e pengojë ndërtimi i tij.

Pëlqimi i Moskës ndaj një operacioni turk në Afrin përkonte me një deklaratë nga Aleksei Miller, shefi akzekutiv i Gazprom, i cili konfirmoi një marrëveshje të shumëpritur për ndërtimin e një linje të dytë të gazit që kalon përmes ujërave territoriale të Turqisë.

Kjo e bën të pamundur që Ankaraja të pezullojë projektin në një të ardhme të afërt, ashtu siç bëri në vitin 2015. Nëse ndërtimi vazhdon pa pengesë, rryma turke mund të përfundojë në vitin 2019 siç është planifikuar./aljazeera/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne