Shqiperia

Operacioni në Elbasan/ Zbardhen përgjimet e zyrtarëve të AMA, sa lekë morën dhe si ulën gjobën 20 mln

Vënia në përgjim e Bledar Karaj me qëllim zbulimin e plagosjes së tij në vitin 2013 në Elbasan, ka nxjerrë këtë të fundit dhe zyrtarë të AMA, në një aferë korruptive në Elbasan dhe Tiranë. Këto përgjime, kanë nxjerrë zbuluar anëtaren e Autoritet të Medias Audiovizive Suela Musta, dy ish-anëtarë të AMA Andrea Nathanaili dhe Izmir Hajdari por dhe dy biznesmenë.

“Shqiptarja.com” disponon të plotë vendimin e gjykatës së Elbasanit, ku nga përgjimet telefonike rezulton se në datën 29 mars 2019, inspektorët e AMA-s kanë ushtruar kontroll në njësinë administrative Bradashesh në subjektin kabllore “Brado”, në qytetin e Elbasanit.

Sapo nga Bledar Karaj është konstatuar se inspektorët kanë qenë në selinë e këtij televizioni, ai ka biseduar me ish-anëtarin e AMA Andrea Nathanaili, duke i thënë se inspektorët kanë shkuar te televizioni. Nathanaili ka komunikuar me anëtaren e bordit të AMA-s Suela Mustën, duke i thënë se inspektorët kanë shkuar për kontroll te subjekti “Brado” në Elbasan dhe i ka kërkuar që të ndërhynte me qëllim largimin e tyre.

Nga ana e anëtares së AMA, Suela Musta, pasi i kërkohet të dijë se në ç’gjendje është ky subjekt, nëse është i gjobitur apo jo, ka marrë përsipër që të ndërhyjë me qëllim largimin e inspektorëve nga ky televizion dhe të mos ushtronin kontroll. Nga përgjimet rezulton se inspektorët e AMA-s kanë ushtruar kontroll në këtë subjekt dhe kanë bërë konstatimet përkatëse.

Nga përgjimet telefonike mes Bledar Karaj dhe vjehrrit të tij, Adem Boriçi, konstatohet se subjekti, i cili është në pronësi të Adem Boriçi dhe realisht administrohet nga dhëndëri i tij Bledari, transmetonte në mënyrë të paligjshme pa kontratat përkatëse me televizionet e licencuara, programe të ndryshme televizive.

Nga këto përgjime rezulton se Bledar Karaj dhe Adem Boriçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, realizonin nëpërmjet televizionit kabllor “Brado” transmetime të paligjshme dhe duke paguar shuma të ndryshme parash te shtetasi Andrea Nathanaili, kërkonin prej tij ndërhyrjen tek anëtarët e bordit të AMA-s dhe punonjësve të tjerë të këtij institucioni që të mos pengoheshin në kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme. Nga përgjimet telefonike rezulton se pasi inspektorët kanë ushtruar kontroll në subjektin “Brado”, nga ana e ish-anëtarit Andrea Nathanailit, i është kërkuar anëtares së bordit të AMA-s Suela Musta, që të ndërhynte te ndihmonte televizionin.

Përgjimet e plota

Nga përgjimi telefonik i Bledar Karaj, ai komunikon me Andrea Nathanaili ku Bledi i thotë: “na kanë prurë këtu lart, jena në Labinot Mal”. Personi i cili përdor nr.+704 e pyet Bledin: “…ti a e ke shit apo jo…” dhe “…

thuaj Çimit të na sjellë çelsat…”.

Bledi i thotë Andreas: “ia kam shitur një çuni dhe s’di gjë”. Personi që përdor nr. +704 e pyet përsëri Bledin se “kush i ka blerë, Çimi” dhe Bledi i përgjigjet: “jo, një person tjetër”. Nga ana e personit përdorues i nr. tel. +704, i drejtohet Bledit me fjalët: “po të ishte për të bërë nuk ishim ngjit lart, a e kupton”.

Bledi telefonon një person dhe e informon këtë person në lidhje me punonjësit e AMA-s, të cilët kanë shkuar në fshatin Labinot Mal, Elbasan dhe janë te dera e vendit ku realizohet shpërndarja e sinjalit të kanaleve televizive.

Bledi i kërkon këtij personi që të shkojë në vendin ku janë inspektorët e AMA-s, me qëllim që ai të bisedonte me ta. Në bisedën Bledi telefonon përsëri personin , ku i thotë se kishte folur me inspektorët e AMA-s dhe ata e kanë informuar se janë 4 veta. Në këto kushte, Bledi i thotë personit: “…shif ca t’i pjesëtosh për kokë…”.

Në këtë bisedë Bledi i thotë personit se nëpërmjet “WhatsApp”, punonjësit e AMA-s i kanë bërë presion që të dërgojë çelësat, se përndryshe do të thërrasin policinë, krimin ekonnomik. Ai i thotë Bledit se “…kam marrë një njëshe me vete (e ka fjalën për para) dhe ndoshta duhen më shumë, duhen dy…”.

Më pas Bledi komunikon me një individ tjetër dhe i thotë se: “personi me të cilin komunikoj në këto raste nuk ndodhet në Shqipëri, ndodhet në Greqi…”. Personi e pyet Bledin se “…çfarë të bëj, t’i jap një njishe…”dhe Bledi i thotë: “shko dhe jepja sa lekë duan”.

Më pas mes Bledit dhe personi, i cili identifikohet me emrin Tan Drazhi, bisedohet me qëllim që ky i fundit të shkojë te pika e transmetimit dhe t’u japë dy milionë lekë të vjetër inspektorëve, me qëllim që ata të mos i sekuestrojnë pajisjet e transmetimit.

Nga ana tjetër Bledi merr në telefon një persondhe i shpjegon se inspektorët e AMA-s kanë shkuar në Labinot Mal për sekuestrim.

Bledi i thotë se inspektorët kanë dijeni se ai i kishte shitur aparaturat e transmetimit. Bledi i thotë personit se kishte folur me Ardianin, Nardin në lidhje me këtë problem dhe ata i kanë thënë se personi, i cili e rregullon këtë punë dhe me të cilin merrem edhe ata, ndodhet në Greqi.

Ky person quhet Andrea Nathanaili dhe ndodhej në Greqi. Personi i thotë Bledit se çfarë ka thënë Izmiri dhe “thuj Tanit të takojë Izmirin dhe t’i japë ndonjë lek”. Është i njëjtë shtetas që i thotë Bledit që t’i japë 2 milionë e gjysmë lekë dhe ta mbyllë se është gjynah.

Bledi komunikon me një personazh që quhet “Tila”, ku i thotë se do të shkojë në Labinot se kanë shkuar inspektorët e AMA-s. Tila i thotë se “ç’punë ke ti” dhe Bledi i përgjigjet duke i thhënë: “po kam lidhje se pa letra dhe i merrja 100 mijë lekë dhe ai tjetri ka shkuar në Greqi”.Më pas Bledi, komunikon me vjehrin e tij Adem Boricci dhe bisedojnë në lidhje me pagesën që duhet t’u japin inspektorëve të AMA-s.

Në këtë bisedë të orës 11:58,Ademi i thotë Bledit që t’u jepte më shumë, ta çojë shumën në 3 milionë lekë, pasi ata janë 4 veta. Demi ,i thotë Bledit që ta takojë Izmirin dhe veç t’ia japë 3 milionë lekët. Në bisedën e 27 shtatorit 2018 rezulton se mes Bledit dhe Tanit bisedohet në lidhje me mundësinë e dhënies së lekëve Izmirit. Tani i thotë Bledit që të bisedojë se lekët i ka në xhep.

Tani gjatë bisedës thotë se inspektorët nuk ia kishin sekuestruar të gjitha pajisjet e transmetimit, i kishin marrë disa dhe disa ia kishin lënë. Në bisedë mes Bledit dhe Demit, Bledi e informon Demin se inspektorët nuk ia kishin sekuestruar të gjitha pajisjet dhe Çimi i kishte thënë se kishin lënë 10 dekodera. Bledi i thotë se kishte folur me Andrean dhe ai kishte folur me sekretaren dhe i ka marrë përsipër që t’i kthente përsëri. Bledi i thotë Demit se kishte biseduar me Tanin dhe i kishte thënë se “…me 100 mijë lekë që paguan ti nuk e mbyll këtë punë…”.

“Po dola në fshat do të më rrahin abonentët tanë”

Bledar Karaj flet për veten se, gjatë vitit të kaluar dhe se kishte paguar nën dorë çdo muaj dhe kishte marrë dhe një gjobë 10 milionë lekë. Në këtë bisedë Demi i thotë Bledit se, “përderisa ke marrë njëqind mijë lekë duhet ta mbrosh.

Nga ky moment e mbrapa duhet të uleni dhe të vendosni çfarë do të bëni, ai duhet të merret vetëm me këto gjëra”. Bledi flet me Çimin, ku ky i fundit e informon në lidhje me pajisjet të cilat inspektorët e AMA-s nuk ia kanë sekuestruar.

Bledi flet me Çimin sesi do t’i mbulojnë për atë natë abonentët me transmetimin e kanaleve, të paktën kryesorët si “Top Channel” dhe “Klan” dhe disa kanale bullgare. Çimi i kërkon Bledit mendim sesi do të mund të shfajësohet tek abonentët, pasi i thotë: “…po dola në fshat do të më rrahin…”. Bledi i thotë që t’u thotë se “do të ndërrojmë studion dhe se ja janë djegur aparaturat”. Çimi i thotë Bledit se “fola me inspektorët dhe më lanë disa aparatura”. Mes tyre bisedohet në lidhje me marrëdhënien mes Bledit dhe Tanit dhe mënyrën e vazhdimit të punës me qëllim transmetimin e kanaleve, pasi ato janë pa licencë dhe lidhjen që mund të krijonte Bledi mes Tanit dhe personave të tjerë që ta lejonin që të transmetonte pa licencë duke paguar para.

Takimi në Tiranë me punonjësin e AMA

Në datën 27 shtator 2018 është lejuar vëzhgimi dhe fotografimi në ambiente publike i Bledar Karaj. Nga raportet e vëzhgimit rezulton se një 37 vjeçar identifikuar me emrin Artan Drazhi, ka udhëtuar me mjetin me targa AA 248 GK dhe ka shkuar në rrugën Elbasan-Librazhd, në afërsi të pikës së transmetimit në fshatin Labinot Mal . Po kështu nga vëzhgimi rezulton se në qytetin e Elbasanit Bledar Karaj ka udhëtuar me mjetin me targa AA 769 OB. Bledar Karaj është takuar me Artan Drazhi në ambientet e një lokali në afërsi të banesës së Bledarit.

Gjatë vëzhgimit të Bledar Karaj rezulton se në orën 17:40, ai së bashku me shtetasin Artan Drazhi kanë qenë në një lokal në zonën e Kinostudios, në qytetin e Tiranës dhe pikërisht në lokalin “Bar Kinostudio”. Në këto momente aty ka shkuar shtetasi i identifikuar Izmir Hajdari, punonjës i AMA-s, i cili pasi i ka takuar është ulur në tavolinë me ta. Pasi kanë ndenjur pak çaste në tavolinën jashtë, ata të tre së bashku janë ngritur dhe janë futur në ambientet e brendshme të lokalit. Rreth orës 18:01, të tre së bashku, Bledar Karaj, Artan Drazhi dhe Izmir Hajdari kanë dalë nga lokali dhe pasi janë përshëndetur me njëri-tjetrin, janë ndarë.

Problemet me abonentët

Nga përgjimet telefonike rezulton se mes Artan Drazhi dhe Shkëlqim Sula, bisedohet në lidhje me problemin e transmetimit të kanaleve televizive dhe shqetësimeve që kanë abonentët në lidhje me këto kanale, të cilat u mungojnë.

Nga ana e Artanit i sugjerohet Çimit që të mundohet t’i mbajë me shpresë klientët se kanalet do t’i rilidhin dhe për sa u përket lekëve, të mos ua kthente. Nga biseda e datës 2 tetor 2018 mes shtetasit Shkëlqim Sula, dhe Bledit rezulton se në pikën e transmetimit Labinot Mal transmetohen 27 kanale televizive.

Gjatë bisedës Çimi i ankohet Bledit se ka qenë ai që ka biseduar me abonentët dhe u ka thënë se do të tranmetojnë 27 kanale kundrejt pagesës. Në momentin që këto kanale janë shkëputur, abonentët i kërkojnë atij llogari.

Çimi thotë se të gjithë abonentët kanë filluar t’i kërkojnë paratë dhe i kanë thënë se:“…na i ka marrë lekët në një kohë që nuk ka licensë…”.

Nga bisedat telefonike të kryera nga Bledi rezulton se në pikën e transmetimit të kanaleve televizive të Labinot Mal, Artan Drazhi ka 240 abonentë, të cilëve u shpërndan sinjalin televiziv të 27 kanaleve dhe abonentët paguajnë 600 lekë në muaj.

Nga bisedat telefonike të Shkëlqim Sula rezulton se edhe pas sekuestrimit të një pjese të aparaturave nga inspektorët e AMA-s, ata kanë vazhduar shpërndarjen në mënyrë të kundërligjshme të sinjalit për 10 kanale, duke përdorur aparatet që inspektorët u kanë lënë duke mos i sekuestruar.

Në bisedën e datës 2 tetor 2018 mes Artan Drazhi dhe Shkëlqim Sula rezulton se Artani, në datën 1 tetor 2018 ka çuar në pikën e transmetimit disa aparatura dhe nga Çimi është rritur kapaciteti i transmetimit nga 10 në 16 kanale. Rezulton se Artani e vë në dijeni Çimin se pasdite do të shkojë në Tiranë me Bledin, tek AMA dhe do ta ndajnë muhabetin me ata të AMA-s.

Nga bisedat e tyre rezulton se Artani ka blerë dhe 22 aparatura të tjera me qëllim vazhdimin e punës pasi e kanë rregulluar me Bledin dhe nuk shkon më njeri për kontroll.

Dalja në skenë e Suela Mustës

Nga përgjimet telefonike rezulton se Artani ka biseduar me Bledin, me qëllim vazhdimin e transmetimit të kanaleve televizive pa licencë, por se në lidhje me vazhdimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm duhet të bëhet një pagesë prej 300 mijë lekësh me qëllim që të mos kontrollohen nga inspektorët e AMA-s.

Nga përgjimi telefonik rezulton se Bledi bisedon me Demin, dhe i thotë se sapo ka qenë në Tiranë ku është takuar me Andrean. Kur Demi e pyet se “a ia dhe lekët”, Bledi i thotë: “po, ia dhashë tonat”. Demi i thotë që “bisedo me atë mikun në lidhje me paratë e tjera”. Nga përgjimi telefonik Andrea Nathanaili rezulton komunikon me Suela Musta, e cila është anëtare e bordit të AMA-s.

Nga telefonata e datës 15 tetor 2018 rezulton se Andrea i kërkon Suelës që të bisedojë me Izmirin në lidhje me kontrollin e kryer në vendin e quajtur Labinot Mal, me qëllim që Izmiri të mos e ngacmojë këtë pikë transmetimi. Kjo rezulton në përgjimet e datës 15 tetor 2018 dhe 25 tetor 2018. Në bisedat e përgjuara mes Bledit, dhe Andreas, rezulton se Bledi i kërkon Andreas që të ndërhyjë me qëllim që të transmetojë pa licencë në pikën Labinot Mal.

Mes Andrea Nathanaili, dhe Suela Musta rezulton se bisedohet në lidhje me uljen e gjobave të vëna për subjekte të ndryshme që transmetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga ana e Suelës i jepet informacion Andreas në lidhje me uljen e masës së gjobave dhe faljen e tyre për subjekte të ndryshme. Në një nga këto biseda rezulton se Suela i thotë Andreas se “e ula gjobën për subjektin që unë interesohesha, nga 20 milionë në 10”.

Në fakt nga dokumentacioni te Ama rezulton që për subjekti kabllor ”Brado” është vendosur vetëm një herë një gjobë 1 milionë lekë në datën 12.04. 2019,e cila me vendim të bordit të datës 7.6.2019 pas rekursit, është lënë në fuqi.

Të arrestuarit për korrupsionin në AMA

1. Bledar Karaj, Përfaqësues i TV kabllor “Brado” në Bradashesh
2. Adem Boriçi, pronari i televizionit privat kabllor “Brado” me frekuencë në Bradashesh/ Licencën e ka marrë në vitin 2011.
3. Andrea Nathanaili,Ish-Këshilltar në AMA
4. Suela Musta Anëtare e Autoritetit të Medias Audivizive
5. Izmir Hajdari Gazetar dhe ish-inspektor i AMA
6. Artan Drazhi, lindur dhe banues në Elbasan,
7. Shkëlqim Sula, u shpall në kërkim
8. Ervin Tahiri, Pronar i TV kabllor “Tata Junior” Tropojë./shqiptarja

OPINIONE