Opinioni ndërkombëtar duhet të ngre zërin kundër Armenisë, tha Ministria turke e Mbrojtjes në lidhje me shkeljen e armëpushimit nga ana e Armenisë.
Në një deklaratë në llogarinë zyrtare në Twitter, ministria shpërndau fotografi të sulmeve armene ndaj vendbanimeve civile në Azerbajxhan.
Ministria turke theksoi se Armenia, e cila ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së fundmi shkeli edhe armëpushimin e arritur midis dy vendeve.
“Madje edhe në armëpushim, Armenia i vazhdon sulmet ndaj vendbanimeve civile. Opinioni publik ndërkombëtar duhet të ngre zërin kundër Armenisë”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, Armenia sot sulmoi me raketa qytetin azerbajxhanas Ganja, duke shkaktuar 9 të vdekur dhe 34 të plagosur, ende pa kaluar 24 orë nga armëpushimi i përkohshëm që hyri në fuqi dje.
Në takimin e ministrit të Jashtëm të Azerbajxhanit Ceyhun Bayramov dhe ministrit të Jashtëm armen Zohrab Mnatsakanyan në Moskë dy ditë më parë, me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, u ra dakord që nga dje në mesditë të shpallet armëpushim për qëllime humanitare për shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vrarëve.
Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe, Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, duke shkatuar viktima.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.
Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese./AA