Opozitat në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi bojkotojnë Parlamentet: BE hesht për korrupsionin

Deputetët e opozitës nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, i thanë BIRN se nuk do të kthehen në parlamentet e vendeve të tyre dhe do të vazhdojnë bojkotin dhe protestave kundër abuzimeve të qeverive.

Deklaratat e tyre vijnë pavarësisht apelit nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic.

“Znj Kocijancic do të bënte të njëjtën gjë nëse do të ishte në vendin tonë”, tha deputetja e opozitës serbe, Marinika Tepic për BIRN.

Tepiq është pjesë e një grupi deputetësh opozitarë të quajtur “Aleanca e Serbisë”, e cila vendosi këtë muaj për të mos marrë pjesë në seanca parlamentare apo mbledhjeve të asambleve në nivelet e tjera të qeverisë në të gjithë vendin.

Aleanca e Serbisë arsyeton vendimin duke renditur abuzimet e pretenduara nga partia qeverisëse e drejtuar nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

“Nuk ka më dialog politik në parlament, i cili është shndërruar në një teatër të absurdit,” tha Tepiç.

Në Shqipëri, Izmira Ulqinaku, e cila ishte deputete e Partisë Demokratike, por e dorëzoi mandatin e saj në shenjë proteste në 21 shkurt, fajësoi BE-në se nuk ka folur kundër “korrupsionit dhe krimit” në Shqipëri.

“Për shumë kohë, figura të larta të institucioneve të BE kanë heshtur për korrupsionin, kapjen e shtetit nga interesat kriminale dhe sundimin autokratik të [Kryeministrit] z. [Edi Rama],” tha ajo kur u pyet nga BIRN për t’iu përgjigjur komenteve të Kocijancic .

“Mediat perëndimore kanë publikuar dëshmi gjyqësore të bashkëpunimit të qeverisë me organizatat kriminale për të blerë zgjedhjet e vitit 2017, por nuk ka pasur asnjë reagim nga Komisioni [Evropian]”, shtoi ajo, duke iu referuar një hetimi të përbashkët nga BIRN Shqipëri dhe Zëri i Amerikës mbi bashkëpunim në mes të rrjeteve të krimit të organizuar dhe zyrtarëve të ndryshëm të Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Mijëra shqiptarë migrojnë çdo vit në vendet e BE-së për të ikur nga korrupsioni, krimi dhe pasiguria endemike në Shqipëri. Shqiptarët në fund kanë vendosur të ngrenë zërin e tyre dhe të protestojnë për demokracinë, lirinë dhe qeverisjen e mirë, në vend që të emigrojnë”, shtoi ajo.

Kocijancic tha në një konferencë shtypi të hënën se parimi evropian që “parlamenti është një vend për diskutim rreth çështjeve politike dhe të tjera” duhet të zbatohet gjithashtu për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se protestat në Tiranë, Podgoricë dhe Beograd kanë secila karakteristikat e veta “dhe unë nuk do t’i krahasoja këto situata”, sipas Beta.

Një gazetar e pyeti zonjën Kocijancic se përse Komisioni Evropian “vlerëson qeveritë në Ballkanin Perëndimor megjithëse thyejnë të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit”.

Kocijançiç u përgjigj duke këmbëngulur se raportet e progresit të BE për vendet e Ballkanit Perëndimor janë të balancuara.

Në Malin e Zi, shumica e deputetëve të opozitës nuk morën pjesë në seancat parlamentare pas zgjedhjeve të përgjithshme në tetor 2016, duke pretenduar shkelje të votimit dhe duke kërkuar një votim të ri.

Në qershor të vitit 2018, partia kryesore e opozitës malazeze, Fronti Demokratik, u kthye në parlament, por disa parti më të vogla e kanë vazhduar bojkotin.

Udhëheqësi i lëvizjes opozitare të URA të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha për BIRN se apeli i Kocijancic nuk do të bindë partinë e tij për t’u kthyer në Parlament.

“Kërkesat e njerëzve në Beograd, Podgoricë dhe Tiranë janë për të mbrojtur vlerat themelore të BE, kështu që nëse ata [përfaqësuesit e BE] nuk e shohin këtë, ata kanë një problem me vlerat e tyre”, shtoi Abazoviç.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne