Organizata Komuniste e Arlind Qorrit mbështet terrorizmin kurd

Arlind Qorri, që ka shumë kohë që e ka humbur rrugën ka nisur një fushatë që në emër të një “Organizata Politike” i ka dalë në mbrotje terrorizmin kurd dhe kundër operacionit të Turqisë për çlirimin e zonave të pushtuara në veri të Sirisë.

Nëpërmjet kësaj faqe komuniste islamofobi Arlind Qorri kërkon të manipulojë opinionin publik shqiptar se gjoja atij i intereson komuniteti kurd.

“Organizata Politike”

Në solidaritet me Rojavën

Prej ditësh ushtria turke është lëshuar pamëshirshëm mbi popullsinë liridashëse kurde, duke shkelur hapur ligjin ndërkombëtar dhe atë moral.

Rajoni i Rojavës, apo Kurdistani perëndimor, është prej vitesh vatra kryesore e luftimeve kundër ISIS-it. Me mbështetjen e SHBA dhe forcave vullnetare ndërkombëtare, kurdët kanë arritur deri më tani të mposhtin tërësisht të ashtuquajturin Shtet Islamik, i cili nuk përbënte rrezik vetëm për Lindjen e Mesme, por për mbarë botën. Në këtë mënyrë populli kurd është sakrifikuar edhe për paqen dhe sigurinë e vendeve perëndimore që sot heshtin përballë masakrës së ushtrisë turke.

Mirëpo befasisht presidenti i SHBA Trump vendosi tërheqjen e forcave amerikane të cilat shërbenin si garanci që ushtria turke nuk do të mësynte. Justifikimet e Trump-it janë një nga shfaqjet më të ulëta të cinizmit politik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Po ashtu, kritika me pambuk e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian vjen si rezultat i marrëveshjes së padenjë të BE me Erdoganin për fatin e miliona refugjatëve sirianë.

Tërheqja e befasishme e forcave amerikane nga ky rajon dhe sulmi i menjëhershëm i ushtrisë turke janë shqetësuese për disa arsye. Së pari, sulmi ndaj kurdëve dhe pozicioneve të tyre do të sjellë riaktivizimin e forcave të ISIS-it. Këta të fundit do të përfitonin nga boshllëku i krijuar prej ikjes së luftëtarëve kurdë si dhe nga lirimi i mundshëm i terroristëve që mbahen të burgosur. Problemi i dytë ka të bëjë me krizën humanitare që do të shpërthejë si pasojë e kësaj lufte: humbja e shumë jetëve të pafajshme dhe shpërngulja e shumë të tjerëve. Ç’është më e rëndësishmja, ky sulm përbën një goditje të fortë dhe një padrejtësi ndaj idealit të kurdëve për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e barazimtare, në një rajon fuqimisht të sunduar nga patriarkalizmi, pabarazitë e larmishme dhe ekstremizmi fetar.

Ne aktivistët e Organizatës Politike shprehim solidaritetin tonë ndaj popullit kurd që prej dekadash vuan në kurriz të tij politikat shoviniste. Dëshira e këtij populli të shtypur e të nëpërkëmbur historikisht për të ndërtuar një shoqëri barazimtare dhe për t’u vetëqeverisur duhet të jetë shembull për këdo që lufton për liri, paqe e drejtësi shoqërore./GazetaImpakt/

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne