Organizata për ndalimin e armëve kimike merr mostra në Duma

Organizata ndërkombëtare e krijuar për të mbikëqyrur respektimin e Konventës Kundër Armëve Kimike, tha se ekipi i saj ka mbledhur mostra nga zona ku besohet se u krye një sulm kimik dy javë më parë në Duma të Sirisë.

Në një deklaratë për shtyp, OPCW tha se ekipi i tij kishte vizituar një nga dy vendet që thuhet se u bombarduan në Douma më 7 prill. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike tha se do të hartohet një raport bazuar në të dhënat që janë mbledhur dhe informata të tjera të siguruara nga ekipi i saj, pasi mostrat të analizohen në laboratorët përkatëse. Në bazë të përfundimeve, thanë përfaqësues të organizatës, “do të analizojmë hapa të mëtejshëm përfshirë edhe mundësinë e një vizite tjetër në Duma”. Ekipi fakt-mbledhës po priste prej disa ditësh të futej në Duma, por nuk kishte mundur të hynte si rrjedhojë e disa pengesave nga kontrollet e sigurisë të terroristëve. Ekipet e emergjencës kanë thënë se të paktën 40 vetë gjetën vdekjen në një sulm me 7 prill ku besohet se ishte përdorur gaz helmues. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre akuzojnë regjimin sirian për sulme kimike mbi kundërshtarët dhe popullatën civile. Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë që ndalohen nga ligji ndërkombëtar dhe ka thënë se është e hapur për inspektime të zonës nga ekipe ndërkombëtare./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne