Organizata terroriste YPG/PKK pengon me forcë largimin e civilëve nga Afrini

Disa pamje të xhiruara me dron nga ushtria turke kanë vërtetuar se terroristët e YPG/PKK-së pengojnë largimin e civilëve nga distrikti veriperëndimor sirian i Afrinit duke bllokuar rrugët dhe hapur zjarr ndaj tyre.

Siç bëjnë të ditur korrespondentët e Agjencisë Anadolli (AA) nga Siria, civilët po përpiqen gjithnjë e më shumë për t’u larguar nga Afrini, të cilin më parë e kanë braktisur edhe krerët e organizatës terroriste YPG/PKK në rajon.

Me ngushtimin e rrethimit të Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) në operacionin “Dega e Ullirit”, civilët gjithnjë e më shumë po ikin nga organizata terroriste YPG/PKK, e cila i përdor ata si mburojë njerëzore.

Megjithatë organizata terroriste po bën përpjekje për t’i penguar civilët duke bllokuar rrugët dhe hapur zjarr ndaj tyre.

Nga ana tjetër, sipërfaqja e pastruar nga terroristët gjatë operacionit ka arritur në 1.100 km2.

Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Ushtrisë së Lirë Siriane aktualisht u kanë ngelur të përparojnë vetëm 1,5 km në drejtimin lindje-juglindje për të rrethuar qendrën e distriktit Afrin.

Ndërkohë, 3,5 km kanë ngelur për të rrethuar qendrën e qytetit nga jugu.

Luftëtarët e FSA-së janë duke i vazhduar operacionet në koordinim me ushtrinë turke.

Pas përfundimit të rrethimit, pritet zgjerimi i linjave përreth qendrës së Afrinit.

Që nga fillimi i operacionit, ushtria turke dhe FSA-ja kanë çliruar nga organizatat terroriste YPG/PKK-DEASH 193 lokalitete, përfshirë pesë qendra komune, 155 fshatra si dhe 33 pika strategjike në distriktin Afrin.

Linjat e përqendrimit dhe mbrojtjes së YPG/PKK-së në masë të madhe ndodhen në qendrën e Afrinit. Organizata ka orientuar me forcë civilët e rajoneve drejt qendrës së distriktit në mënyrë që të mund t’i përdorë ata si mburojë njerëzore, ndërsa pengon popullsinë arabe dhe kurde, e cila dëshiron të shkojë nga qendra drejt zonave të kontrolluara nga regjimi i Esadit dhe opozita e armatosur.

Mbajtja e civilëve ka ngjallur reagim edhe në Kombet e Bashkuara.

Më 20 janar, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini.

Sipas ushtrisë turke, operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit, si dhe të mbrojë sirianët nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.

“Operacioni po kryhet në kuadrin e të drejtave të Turqisë, të cilat bazohen në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas Kartës së OKB-së dhe respektimin e integritetin territorial të Sirisë”, thekson Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Turqisë.

Ushtria turke nënvizon gjithashtu se operacioni synon vetëm objektivat e terroriste dhe se po tregohet “kujdes maksimal” për të mos dëmtuar civilët. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne