Oriz për kokainë/ Babai i Gentian Malindit akuza të rënda prokurorisë e policisë: Organizata kriminale, arrestojnë e më pas mbledhin prova

“Djali im do të dorëzohet kur të plotësohen provat”- kështu deklaroi në një prononcim për mediat, Ilir Malindi, babai i Gentian Malindit i shpallur në kërkim pas sekuestrimit të 137 kg kokainë në portin e Pireut, e që në Durrës u zëvendësua me oriz. Malindi hodhi akuza të rënda ndaj prokurorisë e policisë së shtetit, duke i etiketuar si organizatë kriminale, ndërsa i akuzoi për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

“Prokuroria për Krime të Rënda ka bërë një gabim trashanik, edhe shpërdorim detyre apo falsifikim pasi Ardian Bega është  pyetur në të njëjtën orë e datë nga prokurori dhe oficeri i policisë gjyqësore, ku përfaqësues kanë qenë dy avokatë, ne dyshojmë për falsifikim e shpërdorim detyre të policisë në bashkëpunim me policinë.

Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që ka pjesë në prokurori. “Kjo është një poshtërsi që po bëhet, këtu të arrestojnë një herë pastaj mbledhin provat. I di kush janë porositësit e kokainës.Janë dy procesverbale në të njëjtën orë e në të njëjtën datë, kjo është e pamundur të ndodhë. Kjo është një mafie e organizuar  nga Këshilli i Ministrave e poshtë që e kanë katandisur vendin në skëterrë. Gentjani do të japë cdo dëshmi në prani të noterit, do të dorëzohet kur të plotësohen provat,-“ u shpreh Malindi./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne